Vetëm turizmi lokal mund ta zhvillojë  Shqipërinë rurale

Vetëm turizmi lokal mund ta zhvillojë Shqipërinë rurale

Written by Flora Xhemani Baba on Tuesday, 12 January 2016. Posted in Fokus

Eko, agro, camping, farming, guest houses, local living dhe gjithçka tjetër që vjen nga natyra dhe zonat rurale, mund të jetë e vlefshme për të zhvilluar zonat sot të prapambetura të Shqipërisë.

Vetëm turizmi lokal mund ta zhvillojë  Shqipërinë rurale

Të gjithë e dimë që turizmi shqiptar është plot me probleme, të vogla e të mëdha, të thjeshta e të koklavitura, nga ato që herë mbeten pa zgjidhur për çështje vullneti e herë për shkak të situatave të ndërlikuara që nuk zgjidhen me një të rënë të lapsit. Të gjithë e dimë po ashtu që megjithë vështirësitë, kurba e zhvillimit të turizmit në vite ka njohur vetëm rritje, si në ekonomi ashtu edhe në numër turistësh. Kjo e fundit sidomos ka një kërcim shifrash që tani nuk mund të konsiderohen më edhe aq të parëndësishme. Rritja e numrit të turistëve sidomos atyre të huaj, është një dukuri që nuk ka nevojë të shikohet në statistika. Mjafton t`i hedhësh një sy rrugëve të Shqipërisë në sezonin e verës, që të kuptosh se turistët shëtitës, makinat-rulota, motorët, shpesh në autokolonë apo autobusët e shumtë të tur-operatorëve shqiptarë dhe atyre të huaj, janë një dukuri e zakonshme që nuk habit më askënd. 

Duke marrë parasysh edhe problemet e mëdha e pavarësisht tyre, me gjithë këtë fluks, tashmë mund të flasim për turizëm. E kur flasim për turizëm, ka ardhur koha të flasim edhe për degët e tij. Kur flasim për turizëm në Shqipëri, argumenti drejtohet shpesh nga turizmi masiv i plazheve e me të drejtë, se pavarësisht kaosit dhe informalitetit të lartë, është dega e turizmit që sjell më shumë të ardhura në ekonominë shqiptare. Edhe turizmi informal gjeneron të ardhura për shtresa të caktuara të popullsisë, me punësimin masiv sezonal, i cili gjithashtu ndikon pozitivisht në mirëqenien e popullsisë. Por a mjafton vetëm turizmi masiv? Natyrisht që jo. Kjo fatmirësisht është kuptuar tashmë dhe ka filluar të lëvrohet sipërpjekje edhe aty ku mendohet se turizmi masiv është dominues. Le të marrim për shembull një qytet si Durrësi, që ka edhe bregdetin më të populluar në plazhet shqiptare. Nëse mendoni se Durrësi është vetëm Vollga dhe Plazhi, e keni gabim. Hapësirat natyrore të Durrësit, të cilat kanë filluar të zbulohen relativisht vonë, janë të pafundme në krahasim me vijën e tij të populluar bregdetare. Plazhet e virgjëra të vijës bregdetare veriore, përveç bukurisë së pashoqe, rrethuar me kurora kodrash që nusërojnë në katër stinë të vitit, veshur me shkurre mesdhetare, fshehin në brendësi të steres, fshatra të tëra që përveç durrsakëve, askush tjetër nuk e di se ekzistojnë. Vetëm zinxhiri i fshatrave të zonës që të çon drejt Gjirit të Lalzit, është një xhevahir natyror që përbëhet nga emra të tillë si Rrushkull, Hamallaj, Shetaj, Bizë, Armath, Kuraten, Radë, etj. Ndërkohë, në pjesën juglindore të qytetit, ndodhen fshatrat Romanat, Pjezës, Shesh, Arapaj, Shkallnur, të gjitha natyrë e virgjër, shkelur vetëm nga vendësit. Këto perla natyrore po rrisin brenda tyre atë që sot në gjuhën ekonomike e quajmë agroturizëm. Ferma me cikël të mbyllur prodhimi që rrisin gjithçka vetë, kantina me vreshtat e tyre që kanë ngritur struktura krejtësisht në harmoni me natyrën, komplekse turistike apo restorante që anojnë kah tradicionalja dhe natyralja, duke vënë në punë edhe ambientet natyrore përreth, janë vetëm disa bërthama të këtij turizmi të ri, i cili në Durrës premton shumë. Në Radë AgriTurizëm Huqi po zhvillon me sukses filozofinë e ushqimit të vendit duke rritur vetë produktet por edhe duke bashkëpunuar me banorët e zonës. Në Eminas, Kantina Kokomani po rigjen traditën e verës edhe me rrushin e fshatit Shesh, nga ku ka origjinën edhe vera Shesh i Bardhë dhe i Zi, duke ndërtuar një strukturë të mrekullueshme degustimi gjithashtu. Në Shkallnur tek Kodra e Kuajve, përveç gatimeve fantastike mund të bëni xhiro me kuaj rreth e qark zonës së bukur, deri në Liqenin e Manskurisë. Këto janë vetëm pak, nga ajo çfarë po lind në Durrës, gjë që sjell nevojën e patjetërsueshme të njohjes dhe shfrytëzimit të këtij lloj turizmi, i cili mund të jetë e ardhmja e të gjitha zonave të pazhvilluara rurale të Shqipërisë. Morëm si shembull Durrësin por këto bërthama agroturistike kanë filluar të lindin në shumë zona të Shqipërisë. Agroturizmi, apo turizmi lokal, ka shumë karakteristika pozitive, të cilat shkojnë të gjitha në të njëjtin drejtim në dobi të zhvillimit të ekonomisë, duke shfrytëzuar rrugë ndërtuese e ripërtëritëse dhe jo duke përdorur mënyra shkatërruese në ambient apo në shoqëri. Mendoni pak, një strukturë agroturistike në një zonë të caktuar nuk është vetëm një biznes i thjeshtë turistik por një gjenerator që prodhon energji për të gjithë zonën ku është vendosur. Ajo stimulon banorët e zonës të mbjellin tokat e tyre, të prodhojnë pastër, të rrisin blegtori e produkte të shëndetshme e të kultivojnë a pyllëzojnë duke i bërë kështu një shërbim të paçmuar edhe mjedisit e natyrës. Njerëzit që kanë emigruar në vende të tjera prej vitesh apo që kanë lëvizur nëpër qytete të mëdha mund t`i rikthehen tokës që edhe ajo prej vitesh ka mbetur djerrë apo punohet vetëm për pak bukë të përditshme. Anila Kokomani thotë se që nga momenti kur Kantina Kokomani ka zënë vend në fshatin Eminas i Vogël, tokave të fshati u është rritur vlera. Çdo lloj forme e zhvillimit të turizmit lokal, është një bekim për zhvillimin e jetës dhe rritjen e mirëqenies në zonat tona, fatkeqësisht të prapambetura rurale. Banorët e këtyre zonave duhet vetëm ta kuptojnë këtë.

5.0/5 rating (2 votes)

Hits

13115

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.