The Best Places to go - Destinacionet më të bukura shqiptare 2015

The Best Places to go - Destinacionet më të bukura shqiptare 2015

on Tuesday, 09 June 2015. Posted in Destinacione

Këtë vit propozimet tona për udhëtimet e vitit, vijnë të gjitha nga natyra

The Best Places to go - Destinacionet më të bukura shqiptare 2015
Jo më kot këtë vit kemi vendosur që destinacionet  më të mira shqiptare t’i ofrojmë të gjitha nga natyra. Male, dete, pyje, lumenj, laguna, shtigje, natyrë, zogj, kafshë, gjithçka që natyra shqiptare ofron, në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu siç i kemi, pa zbukurime e teprime por duke mos i lënë në hije. Bota (rreth nesh) ka shumë më pak dhe bërtet (marketon) shumë më shumë.
Mënyra se si e kemi ofruar Shqipërinë natyrore të 2015-ës, është edhe një qasje drejt turizmit aktiv, të cilin jemi përpjekur ta nxjerrim sa më në pah. Dhe këtë e kemi bërë duke prekur vetë çdo shteg e çdo gjethe, ashtu siç në fund të fundit shijohet natyra. Shijojeni dhe gëzuar sezonin turistik të këtij viti!
 “Vjosë - Nartë – Zvërnec”
destinacioni ideal për kundrimin e shpendëve
Trekëndëshi “Vjosë - Nartë – Zvërnec” është padyshim një prej zonave më të bukura përgjatë bregdetit Shqiptar të Adriatikut. Në një sipërfaqe prej rreth 20 000 ha ndërthuret një larmishmëri e gjerë habitatesh me një diversitet të lartë biologjik, çka e shtyu qeverinë shqiptare në vitin 2004 t’i japë statusin peisazh i mbrojtur kësaj zone. Ju mund të përjetoni emocionet e rralla të të qenit në një zonë ku peisazhi të ndryshon si me magji, ashtu sikurse është dhe shumëllojshmëria e shpendëve dhe bimëve që popullojnë zonën.
Udhëtimin tonë e fillojmë nga dalja e qytetit të Fierit ku ndjekim rrugën e vjetër drejt qytetit të Vlorës dhe kthehemi në fshatin Fitore, përmes një atmosfere të ngrohtë rurale vazhdojmë në veri drejt fshatit Bishan, më tej në perëndim drejt fshatit Poro, duke kaluar mbi urën në “Lumin e Vdekur” (ish grykëderdhjen e hershme të Vjosës) për të mbërritur në fushat e gjera të Grykëpishës, ku befas gjendesh nën rrethimin e Hutave dhe Shqipeve të kënetës, këtyre shpendëve të rrallë e  të mëdhenj që rrëshqasin në qiejt  e hapur të zonës. Kur gjendesh aty, në një anë të rrethon kaltërsia e detit me pamjen e ishullit të Sazanit dhe Gadishullit të Karaburunit dhe nga ana tjetër laguna e Kallëngës me rrënojat e dajlaneve të vjetër dhe shpendët e shumtë. Ndër ta edhe Pelikani kaçurrel, një shpend gjigand, i cili mund të shihet vetëm në shumë pak vënde në Shqipëri. Çlodhja dhe kundrimi i shpendëve në kullën e vëzhgimit, i jep më shumë shije piknikut të drekës, i cili pasohet me ecjen e shkurtër e të këndshme përgjatë bregut drejt grykëderdhjes së Vjosës, një prej lumenjve të vetëm të egër të Evropës. Grykëderdhja e Vjosës është një ndër peisazhet më të bukura të pjesës veriore të zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë. Plazhi i gjerë dhe prania e dendur e peshkut e bën një vend ideal për të ngritur çadrën, hedhur grepin, për të pritur perëndimin magjik të diellit, e për të kaluar natën.
Në agimin e ditës tjetër zgjohemi me emocionin për të parë pjesën jugore të zonës së mbrojtur, akoma më e bukur dhe më e larmishme. Përgjatë një udhëtimi të shkurtër rreth 30 minuta me makinë drejt jugut gjendemi në rrethrrotullimin që të drejton për në argjinaturën që ndan lagunën e Nartës me Kriporen unike në Shqipëri. Pikërisht ky segment është një  vend ideal për të kundruar shpendët e shumtë. Nga do të hedhësh sytë drejt vaskave të kripores sheh flamingot të cilët në distanca të largëta duken si gurë të bardhë që shndrisin nën dritën e Diellit. Flamingot në kripore mund të shihen në çdo ditë të vitit. Jo pak rrallë shihet dhe Pelikani kaçurrel por gjithashtu edhe shumë lloje të tjera  shpendësh uji si Sqepbiza, Kojliku, Kalorësi, shumë lloje rosash, çafkash, baltakësh etj.  Mbas një kundrimi të kënaqshëm të shpendëve, vazhdojmë udhëtimin për pak minuta drejt fshatit të Nartës, ku mund të shijojmë drekën me prodhimet lokale në restorantet buzë rruge në hyrje të fshatit ose në restorantet përtej Pyllit të Sodës, në Zvërnec. Nën cicërimat e zogjve këndonjës mund të shijojmë peisazhet e mrekullueshme të ishullit të Zvërnecit ku ndodhet manastiri i vjetër, plazheve të gjerë e të virgjër të Triportit, Dajlanit të lagunës dhe kodrave të Dajlanit, nga ku duket një peisazh i gjerë dhe tejet i larmishëm. Mbas shkarkimit të baterive të aparatit fotografik në zonë, në mbrëmje na presin dyert e hapura të shtëpive të turizmit familjar në Zvërnec, ku na ndjell aroma e ushqimeve organike të traditës dhe historitë e legjendat interesante të banorëve të zonës për të kaluarën e saj.
 
Itinerari i madh i veriut
6 Ditë udhëtim i paharrueshëm në Shqipërinë Veriore
Tiranë- Rubik-Koman-Fierzë-Bajram-Curr-Valbonë-Lurë-Theth-Bogë-Razëm-Shkodër-Tiranë
Një përvojë që zgjat një jetë
Në ka diçka që bota ia ka zili Shqipërisë tonë të bukur, është natyra… e bota është e apasionuar shumë ndaj natyrës tonë, ndaj bjeshkëve tona, luginave, lumejve, maleve e kodrave, kanioneve e shpellave, dhe të gjithë ekosistemit të kësaj natyre. Jo me kot janë dyfish vizitorët e huaj kundrejt vendasve në zona si Thethi, Valbona, Razma, Lura etj. Jo me kot kalimi Valbonë-Theth fitoi titullin si shtegu më i bukur në botë para pak vitesh, si pjese e shtegut të quajur “Majat e Ballkanit”, ku vizitorë nga e gjithë bota shprehin kënaqësinë për të kaluar ndër këto shtigje të shënuara dhe mjaft piktoreske. Nëse dëshironi të jeni pjesë e një udhëtimi, plot aventurë, me pamje mahnitëse, plot mikpritje, tradië e kulturë, ushqim bio dhe karakteristik i zonës, hulumtim të Shqipërisë së Veriut, mes për mes Bjeshkëve të Namuna, të ndjeni dhe të jetoni në ajrin e pastër të këtyre zonave, të shijoni ujin e burimeve të maleve, dhe sigurisht të shpenzoni energji duke hulumtuar këto zona, ne kemi perzgjedhur Itinerarin e Madh të Veriut, një tur të paharrueshëm 6-ditor…. Ky tur është edhe një ndër turet më të plota në zonën e veriut, që ju mundëson njohjen e zonave të mahnitshme si Lura, Thethi, Valbona, Rubiku, Razma, që janë edhe destinacionet më të preferuara të të gjithjë Shqipërisë veriore. Fli, Maze e Zjeme, Qingj në Hell, gjalpë i freskët, djathë i njomë, suxhuk shtëpie,  etj etj., janë pjesë e tryezes se këtyre zonave… Liqenet e Lurës, Lumi dhe ujvara e Valbonës, Vaskat e Gurit, Syri i Kaltër, Kanioni I Grunasit, kulla e Ngujimit, Ujvara, janë pjesë e Thethit, kalimi me traget në Liqenin e Komanit, një ndër liqenet më të bukur në Shqiperi, ku trageti kalon përmes maleve, kënaqësinë dhe qetësinë që të ofron Razma e mbi të gjitha komoditetin dhe argëtimin, të hulumtosh në majën e Velës, Kisha e famshme ndërtuar mbi një shkëmb në Rubik… Këto janë vetëm disa prej mrekullive që ju presin në këtë udhëtim të paharrueshëm…
 
Riviera Grand Tour
nga Zvërneci në Porto Palermo….
Që në ditët e para me diell, mjaftojnë disa mendime për jugun dhe sikur fillojmë të ndjejmë kënaqësinë e pushmeve verore. Sapo kujtojmë pushimet verore, imagjinata shkon për në zonat më të bukura të rivierës, si Vlora, Dhërmiu, Jali, Drimadhes, Llamani, Ksamili…
Por a e dini që ka edhe destinacione më të bukura dhe më të pazbuluara? A keni patur kënaqësinë të shikoni perlat e vërteta të Rivierës si Gjiri i Gramës, Gjiri i Shën Andreas, pjesën e Karaburunit si Shën Vasili, Shën Jani, Shpella e Haxhi Alisë, Kepi I Gjuhëzës, ishullin e famshëm te Sazanit, (që tani mund ta vizitoni) Gjipenë, Shpellën e Piratëve e shumë vende mahnitëse... kënaqësinë dhe emocionin e veçantë të të parit delfinë, që notojnë pranë teje, botën nënujore mahnitëse ku gjithmonë e më tepër mbetesh i mahnitur nga kjo bukuri që s’e ke ditur… të ndjeni adrenalinën e udhëtimeve me Skaf dhe udhëtimeve me Anije… nëse i keni bërë, jeni me fat, jeni vërtet me fat dhe ju e dini mjaft mirë dhe e kuptoni se çfarë aventure është. Nëse jo, këtë verë keni mundësi t’i zbuloni këto vende mahnitëse me ne…
Një tur që fillon nga Zvërneci dhe përfundon në Porto Palermo… duke shëtitur dhe duke pushuar në destinacione si Zvërneci, Radhima, Vlora, Karaburuni, Ishulli i Sazanit, Palasa, Drimadha, Dhërmiu, Gjipea, Jali, Himara,  Porto Palermo, Kalaja e Ali pashes, Kalaja e Himares, etj etj. Duke udhëtuar me Skaf çdo ditë drejt këtyre destinacioneve, dhe duke patur mundësinë e të bërit plazh dhe vizita në vende si Gjiri i Shën Janit, Gjiri i Shën Vasilit, Shpella e Haxhi Alisë, Kepi i Gjuhëzës, Gjiri i Gramës, Gjiri i Shën Andreas, Shpella e Piratëve,  Akuarumi, plazhi I Livadhit, Potamit, Llamanit etj., përvoja juaj do të jetë e paharrueshme. Nuk do të mund të përjetoni dot një emocion më të bukur në këtë verë sesa ky udhëtim. I mirëorganizuar dhe i provuar, nëse mendoni se mund ta imagjinoni, gaboheni!!! Është vërtet diçka që kur ta provoni, do ta ndjeni veten me fat…. 
 
 
Liqeni i Komanit
Një udhëtim përmes fjordeve shqiptare
Një shëtitje e mrekullueshme në itinerarin ujor Koman-Fierzë përgjatë liqeneve artificiale të krijuara prej ndërtimit të hidrocentraleve të veriut të Shqipërisë, që na dhurojnë një copëz të vyer në mozaikun e turizmit natyror shqiptar. Një përvojë unike përshkrimi i këtij segmenti ujor që përjetohet vetëm në këtë zonë të Shqipërisë.
Liqeni i Komanit, i cili ndodhet 30 km larg qytetit të Shkodrës, është formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin, ku është ngritur Hidrocentrali i Komanit me 600 mijë kë/orë. Liqeni ka sipërfaqe 12 km 2 , gjatësi 34.5 km dhe gjerësi 50-60 m. Rreth liqenit lartësohen male të pyllëzuara me lartësi 1000-1200 m mbi nivelin e detit. Ky rajon, veç vlerës turistike, ruan edhe vlera historike. Aty pranë ndodhet fshati Koman, ku është zbuluar një varrezë e shekullit 6-8 e.j., e cila lidhet me kulturën e shoqërisë së hershme shqiptare.
 
 
Përmeti, destinacioni juaj  gjithëvjetor
Një udhëtim përherë tërheqës dhe mbresëlënës.
Sapo fjala bie te Përmeti në mendje të vijnë trëndafilat me të cilët identifikohej ky qytet dikur, apo edhe glikotë e famshme unike në llojin e vet edhe sot e kësaj dite, dhe një vlerë me të cilën përmetarët kanë të drejtë të krenohen. Mirëpo Përmeti nuk është kaq i vogël. Spektri i larmishëm i ngjyrave sot turistike, përfshin kulturën e hershme e të gjerë, përfaqësuar nga historia, arti dhe muzika, fshatrat e bukur, rrethinat e mrekullueshme plot monumente natyre, parqe kombëtare e burime ujore pa fund. E kush nuk e njeh artistin e madh të Përmetit, Laver Bariun, me kabatë e muzikën e tij, me të cilën përmetarët do të krenohen brez pas brezi, Frashërin e vëllezërve rilindas, apo mikpritjen e përmetarëve të butë e të qeshur? Intensiteti i vlerave për metër katror të këtij qyteti të vogël nuk është thjesht çështje gurësh për të gdhendur kalldrëme, mure kishash apo ura me harqe. E nuk është thjesht çështje ushqimi, qoftë edhe me shije unike. Është çështje arti, kulture, zemre. Edhe damar toke pse jo. Jo më kot të huajt ishin dashuruar pas këtij qyteti, aq sa rrugët e tij nuk mbeten kurrë bosh. Ta vizitoni këtë qytet do të jetë një përvojë e paharrueshme në jetën tuaj. Prandaj po përpiqemi ta bëjmë këtë udhëtim për të njohur sadopak bukuritë e kësaj zone të mrekullueshme të Shqipërisë.
 
Parku Kombëtar Shebenik- Jabllanicë – turizëm natyror dhe rural
Një ftesë drejt natyrës
Parku Kombëtar Shebenik- Jabllanicë ndodhet në veri-lindje të Shqipërisë. Qendra e zonës është fshati Steblevë, që ndodhet vetëm 30 km nga qyteti I Librazhdit dhe shumë pranë kryeqytetit. Nga Tirana udhëtimi nuk zgjat më shumë se 2-3 orë, në varësi të pushimit gjatë rrugës.
Ky park mund të vizitohet brenda ditës ose mund të shijohen edhe për më gjatë bukuritë natyrore të kësaj zone, duke qëndruar në shtëpi pritëse. (Kampingjet nuk janë të këshillueshme për shkak të kafshëve të egra)
Udhëtimi për në Steblevë bëhet çdo fundjavë ose çdo ditë në varësi të kërkesave, nga pranvera deri në fund të vjeshtës . Në stinën e Dimrit ajo preferohet më rrallë, në varësi të kushteve të motit . Akomodimi bëhet në shtëpi pritëse vendase, me kushte mjaft  të mira, ku janë të përfshira, Ushqimi (Mëngjesi - Darka, në varësi të dëshirës), fjetja, guida nëpër malet Visharicë, Popovicë, Raduc, LLakaicë, në lumin e Bella Reka, si dhe në liqenet e saj të mrekullueshëm t Draganit dhe të Fushë-Studnës, duke ju shoqëruar guida , që njeh mirë zonën dhe historinë e saj. Mikpritja e banorëve të zonës është e admirueshme. Shumë prej tyre janë rikthyer në fshatin e tyre duke rindërtuar banesat e tyre, duke mirëpritur turistë dashamirës të natyrës, për të shijuar bukuritë e kësaj zone.
Është një terren alpin dhe i vështirë por i admirueshëm për bukurinë mahnitëse. Përveç  shëtitjeve, (hiking, biking, climbing, fishing etj), duke pasur parasysh se ndodhemi në një zonë të izoluar, mund të ushtrohen edhe sporte si futboll, volejboll,etj. Ndërsa në dimër rekomandohen shëtitje në natyrë në bardhësinë e borës dhe për amatorët e skive,  ski në pista natyrore.   Gjithashtu mund të ndezim edhe zjarre në natyre (duke pastruar zonën nga drurët e thatë), Mund të organizohen piknikë në natyrë, birrat dhe pijet e freskëta dhe frutat mbahen të freskëta në ujrat e ftohta të zonës.
Përse Shebenik-Jabllanica?
Sepse Flora dhe fauna e këtij parku është për tu admiruar
Pisha, ahu, e mjaft bimë e pemë të rralla karakteristike e zonave në mbi 1200 m.
Çaji i malit, kamomili, boronica janë çajra që gjenden në këtë park. Gjithashtu edhe mjaft bimë të tjera medicinale që kanë efekt kurativ.
Zona është e pasur me kafshë të egra si: ariu i murrmë, ujku, dhelpra,etj, gjithashtu mund të shihni, qukapik, lepur të egër, ketër, etj
Gjuetia bëhet vetëm me leje të posaçme.
 
Shirokë-Zogaj
Traditë, natyrë, kuzhinë, artizanat, të gjitha në një; me biçikletë
Përgjatë bregut të liqenit të Shkodrës, shtrihen Shiroka dhe Zogaj, në të cilët restorante të vegjël e të shumtë, mirëpresin pushuesit ditorë, nën pjatat e pasura me menu peshkun e njohur të liqenit, krapin. Ka qenë historikisht traditë që banorët vendas, e kanë vizituar ose frekuentuar liqenin dhe plazhet e tij, me biçikleta, për shkak të distancës së shkurtër dhe ngaqë ky mjet lëvizës është shumë popullor në Shkodër. Një gjë të tillë mund ta bëni edhe ju si turistë, duke marrë biçikleta me qera e duke provuar kënaqësinë e padiskutueshme të soditjes së peisazhit fantastik.  Vija liqenore deri në Zogaj do t'ju japë përveç kënaqësisë së natyrës, edhe mundësinë për të parë nga afër produktet e tezgjahut, për të cilat Zogaj është me famë dhe i bën edne edhe sot. Përgjatë bregut të liqenit ju pret edhe Taverna Shkodrane, një restorant mjaft simpatik, që ju ofron kuzhinën e pasur të liqenit.
 
Kune – Vaini
Mes magjisë së lagunave, detit e shpendëve
Në fund të plazhit të Shëngjinit ndodhet laguna e Kunë-Vainit, një nga lagunat më të pasura e më tërheqëse në të gjithë Shqipërinë. Drurë e zogj të shumëllojshëm e bëjnë atë të vizitueshme në çdo stinë të vitit. Pasuria dhe bukuria natyrore e lagunës, është renditur në listën e zonave të mbrojtura, që ruhen me ligj nga shteti shqiptar.
Në brendësi të lagunës, ju presin restorante të mrekullueshëm, ku natyra sundon me forcë,  e ku civilizimi nuk prek dot asnjë detaj. Çdo gjë është natyrale, gatuhet me zjarr, ndriçohet me qirinj dhe shërbehet në ambiente të mobiluara me veshje popullore qindravjeçare. Aty historia dhe etnografia e zonës është fare e paprekur dhe do t’ju mahnisë. Edhe bregu i detit është fare i virgjër dhe do t’ju lërë përshtypjen se jeni  ju vizitorët e parë të tij. Kjo nuk do t’jua heqë kënaqësinë e shijimit të rërës së pastër e të rrezeve të diellit, përkundrazi, do t’ju ekzaltojë edhe më shumë sesa një zonë e mbipopulluar me zhurma dhe njerëz.
Puka - qyteti i vogël  me zemër të madhe
Ne nuk mund të themi kurrsesi që Puka është një destinacion i panjohur por mund me plot gojën të themi që ky qytet i vogël me zemër të madhe po bëhet çdo ditë e më shumë një destinacion shumëplanësh turistik që përfshin brenda spektrit të tij, tri shtylla të forta që e mbajnë platformën turistike të qëndrueshme sin ë dimër, ashtu edhe në verë; Natyra, Kultura dhe Gastronomia.
Rrethi i Pukës është një zonë mjaft tërheqëse, me një kurorë të gjelbër rreth saj, me male, shpella e pyje, ku fshihen të paktën 17 monumente natyre. Këtu jeton një popullsi vitale, e shpërndarë në të gjithë territorin, me një histori të pasur, që dëshmohet nga prania e qendrave arkeologjike, kalatë, gjurmët e mureve ilire, shpellat si edhe me një kulturë shpirtërore që shprehet në traditat e zakonet, në këngët e vallet popullore aq të bukura të kësaj treve. Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një potencial turistik të veçantë, mjaft të përshtatëshm për shëtitje, ski, alpinizëm, gjueti sportive (të peshkut, shpendëve dhe kafshëve të egra) dhe për veprimtari të tjera rekreative, çodhëse e argëtuese. Ky është një sektor në zhvillim e që mund të sigurojë të ardhura të shumta në ekonominë e zonës.
Pjesa më tërheqëse dhe mjaft e frekuentuar është pista e skive në Pukë, e cila nuk përdoret thjesht për argëtim por edhe për të zhvilluar aty gara të ndryshme. Shoqata Dajti Alpina Turistik zhvillon aktivitetin e saj edhe në këtë zonë, duke ju ofruar ngjitje në malin e Munellës, eksplorimin e shpellave të shumta (më e njohura është ajo e Kaurit), dhe mjaft aktivitete si dhe ngritja e kampingjeve në zona të ndryshme ku doni të zhvilloni aventurën tuaj.
 
Shishtaveci - vendi i bukurive të rralla
Shishtaveci (Kukës) është vendi i bukurive të rralla natyrore ku natyra përzihet me traditë, me mikpritje, me sporte e me vlera të veçanta. Bjeshkët e Shishtavecit, Guri i mëngjesit, Pylli i Mështeknave (mjaft i vecantë në llojin e tij), Lugina Lumit Ilina Reka, Dushkajat e Novosejit, Liqeni i Novosejit, Mali i Kallabakut, janw vetwm disa prej vendeve qw mund tw vizitoni.
Shishtaveci mund të shfrytëzohet edhe në dimër edhe në verë, në dimër për të shfrytëzuar sportin e skive dhe në verë për freskinë dhe bukuritë natyrore të zonës.
Gjatë dimrit komuna kryesisht është e mbuluar nga dëbora prej 4-5 muajsh. Lartësia  mesatare mbi nivelin e detit është rreth 1300 m , duke filluar nga 500 m dhe përfundon me 2174.
Banorët e Shishtavecit janë të njohur për tradita të spikatura në fushën e sportit, sidomos atij të skive për faktin që në këtë zonë ekziston dhe shfrytëzohet një pistë natyrore për ski me përmasa 1800 m gjatësi dhe 60 m gjerësi. Ky  sport ka një tradite mbi njëqind vjecare (1908). Më 1928 është themeluar klubi sportiv “Kallabaku”. Në Komunën Shishtavec janë funksionale 3 ekipe kombëtare skiatoresh, të cilët janë të njohur  në konkurimet kombëtare dhe ndërajonale. Vit pas viti ne zonen e Shishtavecit shtohen të apasionuarit pas sportit të skive.
Zona e Shishtavecit është e pasur me tradita si: Sport , Etnografi , Gastronomi, Zejtari.
Në  fshatrat Shishtavec, Novosej, Kollovoz, Shtrez, Oreshke, Borje dhe Cernaleve po  zhvillohet turizmi i Guest House-ve gjatë gjithë vitit. 20 deri 30 shtepi mund të shfrytëzohen që tani. Banorët  e kësaj zone janë shumë mikëpritës dhe të pasur me një kulture folku, gatimi, rregulli dhe pastërtie.
Zona e Sishtavecit dallohet për ushqimin e saj tradicional dhe të veçantë. Ushqime të tjera tradicionale të njohura janë Çorba e gorës, Suxhuku, Gubjaniku, si dhe shumë produkte të tjera bulmeti të cilat dallohen për vecoritë e tyre. travel
4.0/5 rating (2 votes)

Hits

15871

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.