Liqenet e Kasharit, periferia ideale për piknikë në natyrë

Liqenet e Kasharit, periferia ideale për piknikë në natyrë

on Sunday, 26 March 2017. Posted in Outdoor

Tirana që nuk njohim e nuk shfrytëzojmë

Liqenet e Kasharit, periferia ideale për piknikë në natyrë
Zonat rreth e qark Tiranës janë shpesh të parrahura nga banorët e saj, të vjetër e të rinj dhe kësisoj pakkush e di se çfarë fshehin. Relievet kodrinore, bimësia e gjelbër në çdo stinë, zbukurimi i peisazhit me garniturë liqenesh të vogla që dikur shërbenin si rezervuare, krijon klimën ideale për piknikë në natyrë. Dhe, si gjithmonë, ata që i shijojnë para nesh, janë të huajt. Këto janë vetëm disa foto të marra në Liqenin e Purrezit në zonën e Kasharit, vetëm pak kilometra larg Tiranës, ku sapo ka lindur bërthama e një kampingu të ardhshëm. Sa prej jush e njohin këtë zonë? 
Është vjeshtë dhe gjithkujt që kërkon të shijojë një ditë pushimi, i shkon mendja të organizojë një udhëtim në natyrë, mundësisht aty ku vegjetacioni është më i pasur e për rrjedhojë ku vjeshta premton më shumë shfaqje të bukura. E, zonat e veriut dhe jugut të Shqipërisë, premtojnë vërtet shumë në këtë drejtim, ku parqet kombëtare, të lëna rehat së fundi edhe prej gjuetisë së paligjshme po mëkëmben e po zbukurohen duke e lënë natyrën të harliset ashtu siç di ajo. Mirëpo dilemma e përhershme është: Ku? E mbi të gjitha; Ku tjetër? Pasi kemi parë e shijuar pak Theth, Vermosh, Valbonë, Dardhë, Voskopojë e të tjera vende të bukura që të mahnisin me vjeshtën e tyre?
Edhe ne e kemi shpeshherë këtë dilemë sa herë që pregatisim listën tonë të sugjerimeve për destinacionet e stinës, duke qenë se qëllimi kryesor është t`ju ofrojmë për të zbuluar vende gjithmonë të reja. E, këtë herë nuk ka qenë nevoja të shkojmë shumë larg, për t`ju ofruar diçka të re e vërtet të veçantë. Kemi dashur shumë herë të ofrojmë një informacion më të hollësishëm për zonat e bukura rreth e qark Tiranës, që shpesh keqkuptohet vetëm me parkun e Dajtit. Relievi interesant kodrinor që rrethon kryeqytetin në të tria anët e horizontit, fsheh në gjirin e tij zona të bukura natyrore që pakkush i njeh nëse nuk banon atypari. Kodrina të buta mbushur plot gjelbërim, rrugë të fshehura mes pemësh, kryesisht frutore që në stinën e prodhimit të ofrohen bujarisht, rrënoja kalash të dikurshme, rrjedha lumenjsh e liqene të vegjël që s`bëjnë gjë tjetër vetëm se i shtojnë më shumë bukuri peisazhit. 
Kështu për shembull nuk ju kemi folur ende për Liqenet e Kasharit, si më e paimagjinueshmja zonë turistike e Tiranës, një zonë që shpesh e shohim shkarazi nga dritarja e makinës kur rendim përgjatë autostradës Tiranë-Durrës.
Ndoshta do ta kishim shtyrë për në numrat e ardhshëm, sikur të mos kishim takuar Bashkimin, mikun e madh të turistëve të huaj, që nëpërmjet tij kanë shtatë vjet që njohin Shqipërinë turistike, përmes fjalës dhe veprës së bukur. Duke patur një përvojë shumëvjeçare në Itali në fushën e turizmit e duke menduar pse jo, edhe në Shqipëri mund të bëhej kjo, ai u kthye në vendlindje shtatë vjet të shkuar dhe filloi të priste grupet e para.
Bashkimi është djalë i zonës dhe kur flet për Bashkimin, është e pamundur të mos flasësh për Kasharin dhe anasjelltas. Aq shumë ka invesuar në vendin e tij të lindjes me punë të vogla e të mëdha saqë banorët e të gjitha fshatrave përreth, e kanë të vështirë të mos flasin për të, sa herë që kalojnë në rrugët-shtigje që janë hapur prej tij, në pusin e madh të përbashkët që i jep ujë gjithë zonës e që ishte nismë e tij, apo së fundi në nxjerrjen e asaj pjese të bukur të Tiranës nga anonimati, tani së fundi që ka vendosur të ngrejë një strukturë kampingu për të pritur të huajt e shumtë që prej vitesh tashmë i kërkojnë një hotel të mirë në Tiranë, ndërkohëë që do të zhvillojnë turet e tyre nëpër Shqipëri, të shoqëruar prej tij.
Teksa na tregon hapësirën ku në verë rrinë kamperat ose rulotat e të huajve, që si për herë të parë ishin befasisht shumë, ai na qeras me rakinë e re direkt nga balli kazanit, që i ati po zien ato ditë. Pastaj na tregon biçikletat që i përdor për turet e gjata nëpër Shqipëri. Në muret e magazinës dhe jashtë saj janë varur të thahen gjethet e duhanit. Miqëtë huaj mrekullohen kur shohin gjethet, duan t`i presin vetë me nge e hollë-hollë, pastaj ta dredhin nga një cigare të trashë që u shijon më shumë se çdo puro në botë. Jeta këtu është kaq e thjeshtë dhe e bukur, si në gjenezë, thonë ata, të etur tashmë për këtë lloj përvoje e të “dënuar” në njëfarë mënyre prej globalizmit të pamëshirshëm që po gllabëron gjithçka. Ruajini këto gjëra, mos u industrializoni. Kanë shumë vlerë.
Vreshtat në kodrën e shkallëzuar ngjiten deri lart, ku ai ka ndërtuar një verandë të thjeshtë prej druri. Prej aty pamja e liqenit është mahnitëse, ngjan me një liqen të vogël alpin, prej rreshtit të selvive që nga larg duken si bredha. Fushat me misër në breg dhe shkurret mesdhetare 
që veshin kodrën tejetej, janë qëndisur nga një shteg i bardhë, që familja Hyka e ka hapur për t`i mundësuar turistëve një shëtitje përreth liqenit dhe kodrave. Dhe sa e pëlqejnë ata këtë! Kur vijnë për ture të gjata disaditore, shfrytëzojnë pasditet sapo përgatitet të bjerë dielli, ose në mëngjes herët. Po pse të mos e shfrytëzojmë edhe ne vetë këtë? Vetëm Liqeni i Tiranës nuk mjafton për një popullsi kaq të madhe sa ç`jemi bërë ne tani. Kjo zonë ka disa liqene. Ky këtu, është Liqeni i Kusit ose i Purrezit i themi neve, pak më tej është Rezervuari i Kasharit, edhe
ai shumë i bukur, vend i mirë për piknik. Bile, më lart, në Gjokaj është liqeni tjetër, që ndoshta s`e di njeri përveç banorëve të zonës. Në fundjavë çdo njeri mund të vijë, me familjen për piknik, t`i ikë së paku për një ditë kaosit të Tiranës. Kushton kaq pak… dhe të jep kaq
shumë. Vetëm se, frikë është prej popullimit të mundshëm të fundjavave, sepse ende s`jemi mësuar ta respektojmë natyrën siç duhet. Megjithatë, ne do të ishim të lumtur sikur të na vinin mysafirë bregut të liqenit, çdo fundjavë. Kemi vendosur edhe një tabelë me këshilla
aty poshtë që shpresojmë t`i respektojnë, për të mirën e tyre dhe për të mirën e mjedisit. Kështu do t`ia rrisim më shumë vlerat dhe do të marrim më shumë prej tij.
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

15409

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.