Progonati - Perla e Labërisë

Progonati - Perla e Labërisë

Written by Flora Xhemani Baba on Wednesday, 19 September 2012. Posted in Destinacione

Aty ku natyra dhe njerëzit, do t'ju bëjnë ta ktheni kokën pas

Progonati - Perla e Labërisë

 

Ftesën e këtij numri për rubrikën “No(w) more secrets”, e kemi marrë prej vetë banorëve të këtij destinacioni, të cilët përmes komunikimit të gjerë në internet, na kanë sugjeruar ta “zbulojmë” edhe para vëmendjes tuaj, këtë perlë të fshehur vërtet në zemër të maleve të Labërisë.

E kemi fjalën për Progonatin, një nga fshatrat më të njohur të historisë shqiptare, i cili është njëkohësisht edhe një nga fshatrat më të mëdhenj të Shqipërisë, sipas informacioneve të intelektualëve dhe studiuesve të kësaj zone. Më shumë se një përshkrim të vendit, ne do t’ju përcjellim këtë herë fjalët bujare të vetë banorëve të kësaj zone, të cilët “të ndëshkuar” prej arsyeve të migrimit dhe emigrimit, vuajnë mungesën njerëzore, e cila është vërtet e rëndë për një fshat dikur të madh, që konsiderohej udhëheqësi i gjithë kësaj krahine të Labërisë. 

 Progonati është një fshat me emër magjik që perceptohet trimërimshëm në kujtesën e çdo shqiptari për mbresat e të kaluarës dhe për emrin e mirë të bijve të kësaj krahine. Progonati për qytetin e Tepelenës, për atë rrethinë Labërie të mbushur me traditë dhe kulturë, përbën një kryeqytet të mendimit, trimërisë, bujarisë dhe intelektualëve të njohur, që sot janë shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, dhe me valixhen e traditës së vendlindjes krenarisht kanë pushtuar botën.

Por megjithë largimin e të rinjve drejt shpresës e një jete tjetër dikur të largët, ka ende të rinj që vazhdojnë të qëndrojnë në Progonat, dhe njëri prej tyre është Shpati Hila, autori i ftesës për rubrikën tonë,i cili këmbëngul se Progonati është një vend që ia vlen ta vizitosh për shumë e shumë arsye, duke fillluar që nga mikpritja e rrallë, e deri tek natyra e mrekullueshme, thuajse fare e pazbuluar për syrin e shumëkujt, që në mendje e në veshë mund të ketë pika natyrore të njohura tashmë për Shqipërinë, por jo Progonatin.

Nëse  progonatasit janë shpërndarë nëpër botë e disa prej tyre kthehen të sjellin në vend përvojat e tyre, ju duhet të shkoni të paktën një herë në këtë karahinë të bukur shqiptare, ku kanionet dhe ujvarat, duken si strehë zanash, me rrëke uji që bien nga qielli, gjelbërime të fshehura nëpër shkëmbinj, maja të thepisura e pellgje të thellë, ujvara që bien mbi njëra-tjetrën e segmente lumi me pllaka si të vëna me dorë nga ustallarë-mjeshtër…

Ju do të provoni patjetër shijen e pashlyeshme të mikpritjes së këtyre banorëve, e do të merrni me vete copëza historie, që në fakt tashmë janë kthyer në legjenda, si ajo e Bilbilenjve, që “vanë në litare vetë”, për të shpëtuar prej ndëshkimit të armikut, popullin e pafajshëm. Bilbilenjtë, që u varën në Rrapin e Janinës, ishin nga Progonati. Burimi kryesor i krenarisë së këtyre banorëve, ishin pikërisht këta burra guximtarë, që e pritën vdekjen duke qeshur e duke dredhur cigare.

Ison labe mund ta shijoni pa masë edhe këtu në Progonat, shoqëruar patjetër me zëra të fuqishëm burrash, e pse jo edhe me aromën e mirë të mishit të pjekur e rakinë bërë vetë me vreshtat e Progonatit.

Shpati është një djalë i apasionuar pas fotografisë. Aq shumë foto ka shkrepur për vendin e tij, sa ua dërgon miqve në internet, duke postuar albume të tëra. “Dua t’u tregoj atyre vendlindjen”, thotë, që të mos e harrojnë, edhe pse jetojnë larg. Kemi një vendlindje të bukur. Vetëm te Ujvara të shkosh, mbetesh pa fjalë. Pale ta shëtisësh gjithë zonën, të bësh një xhiro të gjatë nëpër kanionet që nuk kanë fund. Të gjithë ata që kanë jetuar këtu, janë rritur me ujët e lumit Gurra, gjithë fëmijëria e tyre, ka kaluar nëpër skutat e fshehta të kësaj ujvare, të këtyre pellgjeve me ujë kristal…

Vërtet mahnitëse ujvara…

Uji që binte nga lart, e pengohej disa dhjetëra metra poshtë, përfundonte në një pellg e binte sërish, duke formuar një ujvarë tjetër. Një katarakt në seri…

Progonati bën çdo vit një festë, që quhet “Takimi i Brezave”. Pleq të moçëm vijnë aty për të parë nipërit e stërnipërit, që nuk jetojnë më aty, bij që vijnë të takojnë etërit, ata që kanë mbetur gjallë, fëmijë të vegjël, lindur nëpër botë, vijnë të njohin rrënjët e vendlindjes së prindërve, rrënjët e tyre. Është e bukur kjo festë, ku gjithkush kërkon të ushqejë me sadopak dashuri, historinë e vendit të tij, për të mos u zhdukur në asgjë, e gjthë historia jo pak e lavdishme e kësaj zone të Shqipërisë. E mblidhet kjo festë në mes të sheshit tek Rrapi i Progonatit, nën jehonën e këngës labe, nën tingujt e muzikës e zërit të bukur, që nuk zbehet as nga ngjyra e zezë e grave të veja apo plakave të moçme që kanë përcjellë para tyre shumë njerëz të dashur e megjithatë, vazhdojnë të jetojnë në këtë botë, për të gëzuar me gëzimin e të tjerëve.

Progonati, është një vend që ndodhet diku në jugperëndim të qytetit të Tepelenës (Shqipëri), shtrirë mbi një rrafshnaltë, 900 metra mbi nivelin e detit. Është i rrethuar nga një kurorë malesh si valltarët në dasëm dhe rrihet vazhdimisht nga erërat e perëndimit. Karakteristikë ndryshe nga shumë fshatra të Labërisë, është se shtëpitë janë pranë njëra-tjetrës të rrethuara nga pemë frutore, arra e gështenja, e sidomos qershi. Në dimër bie dëborë që u rri kurorave të maleve si qeleshe, ndërsa vera vjen e freskët. Klima dhe uji i ftohtë kanë qenë dhe mbeten dy pasuri të pandryshueshme dhe të pazvëndësueshme për vendasit. Sipas shumë historianëve Progonati është vendbanim shumë i hershëm me toponime interesante para kristiane e kristiane të hershme. Fshati  është rritur deri 350-400 shtëpi, e pastaj si për çudi, për shkak të migrimit dhe emigrimit, sfumohet në 70-199 shtëpi. Migrimet më masive që mbahen mend kanë qenë në Himarë, Progër-Korçë, Lazarat, Mallakastër, etj. Ka disa vende historike të përmendura ku mblidheshin burrat e krahinës së Labërisë në kuvende si Lisat e Kadhe, Përralli i Buxe, Rrapi i Progonatit etj.

Kush ka njohur nga afër një progonatas, ka bërë një mik për kokë, i cili nuk e braktis kurrë as në momentet më të vështira. Kështu thonë progonatasit, e kështu thonë edhe ata që i kanë njohur progonatasit. Kështu mund të thoni edhe ju pasi të jeni kthyer nga udhëtimi, pasi të keni shijuar natyrën e pabesueshme të kësaj zone, e sidomos pasi të keni provuar edhe mikpritjen e këtyre njerëzve të mrekullueshëm, që do t’ju mbeten gjatë në kujtesë…

5.0/5 rating (1 votes)

Hits

20707

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.