Shqipëria, në panairin ndërkombëtar të turizmit në Arabinë Saudite
Edicioni i nëntë i panairit në Jeddah
Nga Adela Alla
TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ – Panairi Ndërkombëtar i Turizmit, i organizuar nën kujdesin e guvernatorit të Jeddah, princit Mishaal bin Majed, si dhe Komisionit saudit për Turizmin dhe Trashëgiminë Kombëtare, u zhvillua në datat 13-15 shkurt 2019 në Jeddah, Arabi Saudite.
Për tre ditë me radhë, ky event u ndoq nga më shumë se 200 ekspozues nga 29 vende të botës përfshirë investitorët, menaxherët, punonjësit e sektorit si dhe vizitorët e publikut të gjerë, dhe me një numër vizitorësh që tejkalonte 30 000. Shqipëria, pjesëmarrëse për herë të parë në këtë panair, u përfaqësua nga Agjencia Kombëtare e Turizmit në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë dhe Turizmit si dhe agjencinë turistike “Sahra Tours”.
Ky edicion i nëntë i panairit në Jeddah, në përputhje me strategjinë e zhvillimit të sektorit të turizmit të Mbretërisë, dëshmoi pjesëmarrjen e ekspozuesve që përfaqësonin tetë shtete të reja, të cilët paraqitën një gamë të gjerë të destinacioneve turistike, hoteleve, linjave ajrore, udhëtimeve detare, turizmit mjekësor dhe arsimor, si dhe shërbimeve të ndryshme të udhëtimit drejt destinacioneve turistike më tërheqëse në të gjithë botën.
Gjithashtu ofroi një mundësi unike për investitorët dhe punonjësit në këtë sektor vital për t’u takuar nën një ombrellë dhe për të promovuar dhe ofruar ofertat e tyre, si dhe për për të shkëmbyer përvoja e shërbime. Panairi u finalizua me sukses, me nënshkrimin e shumë marrëveshjeve tregtare dhe partneriteteve midis pjesëmarrësve. /a.a/j.p/