Odisea: Kayak ne Karaburun

Odisea: Kayak ne Karaburun

Written by Gent Mati on Wednesday, 07 March 2012. Posted in Outdoor

Shënime udhëtimi nga ditari i Gent Matit

Odisea: Kayak ne Karaburun

Tentativa të dështuara

Prej disa vjetësh lundrimi i gadishullit të Karaburunit me kajak, qëndronte në listën personale të gjërave "për t'u bërë".  Im atë e kishte provuar të nisej  i vetëm dy herë, por nuk kishte mundur të shkonte shumë larg pasi sapo i qe afruar kepit të Gjuzës, deti i trazuar dhe era e kishin detyruar të braktiste këtë ndërmarrje. E njëjta gjë më ndodhi dhe mua gjatë tentativës së parë - kur një erë e beftë, ndryshoi brenda më pak se gjysëm ore "detin vaj" duke e shndëruar në ujëra vështirësisht të lundrueshme. Dallgët ngadalësojnë lundrimin dhe era e fortë të pengon sa herë që ngre lopatën për të rremuar, duke të ndryshuar drejtimin. Pas mbi dy orë rremimi agresiv të lodhshëm, fatmirësisht përfitova një "shëtitje" të papritur deri në Pashaliman, që u ofrua me bujari nga një patrullë e marinës ushtarake, efektivi i të cilës po shpërthente mina, pikërisht në plazhin ku unë parashikoja të zbarkoja, pranë gjirit të Shën Janit.

Një mision i vështirë

Brigjet shkëmbore të thepisura që vazhdojnë me kilometra në anën perëndimore të gadishullit, të kufizojnë shumë mundësinë e daljes në breg në rast rreziku. Ka vetëm pak plazhe të vogla ku mund të zbarkosh pa goditur shkëmbenj dhe ata janë mjaft larg nga njëri tjetri; në rast ere të fortë, rryma mund të të transportojë shumë shpejt në det të hapur. Aventura në këtë ambient kaq të ashpër duhej përgatitur vërtet  me kujdes, dhe jo thjesht si një shëtitje  e zakonshme në plazh. Për më tepër, kjo zonë nuk mbulohet nga celulari. Nevojitej një kombinim i dy tre ditëve të lira me kushte meteorologjike të favorshme - gjë që u bë e mundshme gjatë hënës së plotë të Gushtit 2010 teksa ndodhesha në Vuno për disa ditë pushim. Parashikohej kohë e qetë me fare pak erë nga veriu, dhe kajaku ishte gati!

Fatkeqësisht asnjë nga shokët e mi të aventurave nuk ishte i lirë ato ditë, ndaj vendosa ta provoj "solo".

Në laptop, monitoroja me kujdes zhvillimet meteorologjike të atyre ditëve, ndërsa në "google earth" dhe në hartë, piketoja stacionet e detyrueshme dhe ato të ndërmjetme të etapave.  Parashikoja që udhëtimi të zgjaste dy ditë, ndaj sektorët e thatë të kajakut në bash dhe kiç i mbusha me ujë të pijshëm, ushqim të zgjedhur energjik , thesin e fjetjes dhe një shtrojë. Më pas gjithçka u vulos me kujdes nga kapakët hermetikë.

Nisja

Udhëtimi nisi në orën 17 nga plazhi i Jalit, pasi u përshndeta me familjen dhe shokët. Deti qe vërtet "vaj" siç thuhet, dhe kajaku përparonte me shpejtësi përgjatë bregut  me një fëshfërimë të lehtë, duke lënë pas gradualisht, gjirin e Gjipesë, Dhërmiun dhe Palasën. Aty ndalova në Eko Kamping - një kamp i këndshëm i orientuar drejt ambientit - për të pirë një birrë të ftohtë, para nisjes drejt bregut të egër, larg çdo frigoriferi.

Mbas përfundimit të zallit të Palasës, nisin brigjet shkëmbore të Karaburunit, dhe shpejt e kupton se nuk mund të dalësh në breg ku të të teket . Stacioni  im i kampit të natës, gjiri i Gramës ndodhej disa kilometra larg dhe lopata nuk pushonte së renduri drejt saj duke "gërmuar" në ujin e pastër, për të mbërritur para se të binte nata.

 Hyrja në Gramë nën rrezet e fundit të perëndimit qe një përvojë magjike, që u rivalizua pak më vonë nga drita "verbuese" e hënës së plotë, që nuk vonoi të dukej mbi shkëmbenjtë madhështorë të gdhendur me mbishkrime detarësh të të gjitha epokave.

"Anija" ime modeste, clodhej në plazhin e bardhë, dhe unë përgjumesha pranë saj duke shprehur dëshira për çdo yll që binte, në "hotelin tim" me miliarda yje.

Në Karaburun

 Qe një gjumë i thellë,sa çlodhës aq edhe i elektrizuar nga rrezatimi i hënës. Në orën 6  të mëngjesit zilja e alarmit më hodhi në këmbë për tu nisur me nxitim drejt veriut, për të shfrytëzuar çdo kilometër të detit të qetë dhe hijen e malit mbi breg, para se të shfaqej kurora e diellit.

Kajaku parakalonte, xhepa të vegjël në trajtë fjordesh dhe më pas bregu shkëmbor ia la vendin gjirit më të gjerë të Karaburunit, "Bristanit", ku kisha parashikuar të haja mëngjes. Bunkerët dhe strukturat e ushtrisë më stepën disi, ndaj ndryshova planin dhe vendosa të përparoj pak më tej, për të mbërritur në një gji të vogël të mrekullueshëm, atë të Dafinave. Atje të dukej sikur lundroje në xham të lëngët, dhe në një vend të tillë nuk mund të mos shijosh kënaqësinë e të notuarit në një plazh vërtet të virgjër.

Teksa haja me shije mëgjesin, në një guvë të vogël në breg, nisa të planifikoj pjesën e mbetur të lundrimit, pasi kisha përparuar vërtet shumë duke përfituar nga deti  i qetë dhe mungesa e erës.

Vendosa të rrezikoj duke u nisur drejt Kepit të Gjuzës edhe pse mesdita po afronte, duke bartur me vete ngritjen e erës dhe të dallgëve, ndërkohë që është pikërisht kjo pjesë e bregut që karakterizohet nga shkëmbenj të lartë, të thepisur e të vazhdueshëm për kilometra të tërë. Temperatura sa vinte e rritej, por kapelja speciale që mbulonte qafën dhe bluza me mëngë të gjata ofronin një mbrojtje mjaft të mirë. Shoqëria e vetme ofrohej nga tufa sardelesh blu që kërcenin herë pas here në trajtë ylberesh të praruar përpara kiçit të kuq të kajakut që çante ujërat e errëta të thella, dhe pulëbardha që vallzonin sipër nesh.

Ndërkohë era nuk vonoi t'ja behte në "takimin e mesditës", më shpejt se ç'mendohet, deti ndryshon dhe lundrimi bëhet i bezdishëm - fatmirësisht për pak kilometra mund edhe ta përballoja, ndaj vijova me këmbëngulje duke lundruar pranë  bregut për t'u strehuar sadopak prej erës. Në ngushticën mes Kepit të Gjuzës dhe Sazanit, dallgët anësore përpiqeshin të përmbysnin kajakun, dhe hyrja në portën madhështorë të shpellës së Haxhi Alisë qe një çast vërtet i mirëpritur. Kubeja e kësaj shpelle piratësh është mbresëlënëse, ndërsa ujërat poshtë saj marrin nuanca mistike, plotësisht të denja për një shpellë piratësh.

Prehja nuk zgjati shumë pasi ndjeja një shtysë të brendshme për të vazhduar përpara. Mbas pak e gjeta veten sërish në ujra të valëzuara për të mbërritur në anën lindore ku më në fund mund të komunikoja me celuar me familjen dhe miqtë për ti siguruar se isha mirë - pjesë që rezultoi më e gjatë seç e kisha menduar pasi  edhe lodhja kishte nisur të bënte të vetën.

Ndalova në një plazh fare të vogël me zall të bardhë të imët përballë Vlorës dhe malit të Shashicës, ku nxorra celularin nga çanta e thatë hermetike dhe u komunikova me  kënaqësi miqve arritjen e objektivit të shumë dëshiruar: lundrimin e Karaburunit me kajak në autonomi të plotë!

U rrezita për disa orë në plazhin e vogël, derisa era dhe deti u qetësuan, dhe me forcat e mbetura nisa etapën e fundit drejt plazhit të Vlorës, i njohur nga vlonjatët si "Zhironi".

Mbërrita në plazh mes pushuesve që po mbyllinin çadrat dhe po mblidhnin sendet për tu përgatitur për darkë, tërësisht mospërfillës ndaj një kajaku të kuq që po zbarkonte në breg dhe një kajakisti të lumtur e të lodhur.

Aventura ime kishte zgjatur ekzaktësisht 24 orë, duke lundruar gjatë të cilave rreth 80km - një rekord personal të cilin dyshoja ta arrija në një kohë kaq të shkurtër. Falë Eolit mbretit të erërave, Poseidonit që thuajse nuk e përdori cfurkun tridhëmbësh dhe informacionit on-line, odisea ime në kajak përfundoi me sukses! Herën tjetër do të rikthehem me ekuipazh..

5.0/5 rating (1 votes)

Hits

16637

About the Author

Gent Mati

Eksplorues dhe ushtrues i sporteve te natyres si rafting, kayaking, skiing, kite-surfing etj, me kompanine e tij Outdoor Albania. OA eshte nje nga kompanite me te spikatura qe ushtron aktivitete dhe ture me natyre aventureske ne Shqiperi.

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.