Nis sezoni turistik në Harmonia Hotels Group - gjermanët të parët
Turisti gjerman njihet si turist i natyrës apo i tureve kulturore
Sezoni i ri turistik sivjet ka nisur më herët dhe me një kombësi që ende nuk ishte përfshirë në sektorin e paketave të parapaguara ose siç njihen ndryshe, paketat “all inclusive”. Është zinxhiri i hoteleve “Harmonia Hotels Group”, që e hap siparin e kësaj periudhe të re për turizmin shqiptar duke shkelur në një territor të ri siç është ai gjerman. Turisti gjerman njihet si turist i natyrës apo i tureve kulturore dhe deri tani nuk kishte kompani shqiptare që të kishin krijuar këtë lloj bashkëpunimi, që duhet theksuar se rrit edhe shkallën e përfitimit ekonomik, duke pasur parasysh nivelin e jetesës së Gjermanisë në raport me vendet e tjera që sjellin turistë në Shqipëri.
Një sezon i bollshëm me 215 ditë, ndarë në udhëtime njëjavore me charter që nisi sot me 31 Mars dhe përfundon me 4 Nëntor, është një shenjë shumë e mirë e rritjes së cilësisë së turistit, që synohet prej kohësh nga tur operatorët shqiptarë, duke qenë se shpesh Shqipëria citohet nga analistët e ekonomisë si një pritëse e turistëve me buxhet të ulët. Mbetet që Shqipëria si pritëse të bëjë më të mirën pë r të krijuar një koridor të qëndrueshëm mes saj dhe Gjermanisë, duke qenë në lartësinë e kërkesave të turistëve të rinj. Dhe meqë mysafirët e rinj i përshëndeti edhe ministri i turizmit Z. Blendi Klosi dhe kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, shpresojmë që strukturat shtetërore dhe lokale të bëjnë gjithçka kanë për detyrë për mbarëvajtjen e sezonit turistik, duke mos e lënë barrën e rëndë vetëm në kurrizin e sektorit privat. Infrastruktura rrugore, energjia ekektrike, furnizimi me ujë të pijshëm, pajisja e plazheve me roje, vendosja e qendrave shëndetësore, pastrimi i mjediseve publike, janë vetëm disa prej nevojave bazike që shpeshherë çalojnë në pikun e sezonit turistik.