Nëse do të kalërosh, zgjidh kalin e duhur

Nëse do të kalërosh, zgjidh kalin e duhur

Written by Irena Kanani on Monday, 14 May 2012. Posted in Around

Për një fundjavë të magjishme në Pezë...

Nëse do të kalërosh, zgjidh kalin e duhur

 

Stina e bukur e pranverës i jep mundësi më së miri kryeqytetasve të kalojnë një fundjavë në natyrë larg streseve të përditshme të jetës urbane. Pavarësisht dëshirës së shumë njerëzve për të kaluar një ditë në natyrë, mundësitë që të ofron Tirana janë të pakta, por jo të pamundura. Për t’u argëtuar në ditët e bukura të stinës së luleve do të  zgjedhim Pezën. 

 

Sigurisht që  të gjithë ne e njohim Pezën nga ngjarjet historike ashtu edhe nga ato politike, sepse për disa kohë ka qenë mjaft e lakuar nga politikanët tanë. Fatkeqësisht nuk është përmendur për bukuritë dhe natyrën e mrekullueshme që ky vend të ofron. Rruga është e prishur, por tashmë jemi të mësuar me këto lloj rrugësh në vendin tonë, kështu që përqendrohemi vetëm tek peisazhi në një ditë kaq të bukur pranverore. Gjatë rrugës të bien në sy toka të tëra të mbjella me vreshta e  frutorë, vihet re kujdesi ndaj tokës nga ana e  banorëve të zonës, këtu çdo gjë dukej e gjallë dhe e qeshur. Sapo mbërritëm në qendrën e fshatit, një qendër e vogël dhe e këndshme në të njëjtën kohë, duke mos patur informacionet e duhura pyesim banorin e parë që gjejmë në shesh. Do të shkonim tek qendra e hipizmit. U siguruam për drejtimin  e rrugëtimit, i cili nuk zgjati më shumë se  pesë minuta. Gjelbërimi  në këtë vend na zuri në befasi. Sapo zbrita nga makina fillova të ec, ta shijoj, ta "prek" natyrën, duke lëvizur lehtazi drejt pranverës. Që në hapat e parë seç më dehu një valë shumë e këndshme e aromës, është aroma e natyrës dhe menjëherë dëgjoj tinguj të cicërimave të zogjve, në lëndinë disa kuaj  që ishin shpërndarë në livadhin e madh duke e zbukuruar edhe më shumë panoramën. Nuk mund të ngopem me këtë ajër të pastër dhe dua ta nxjerr nga brëndia atë gaz të ndotur që më rrethon nga ambientet me ngjyrë të hirtë, ku frymën ta zë betoni. Nuk ka kufij kjo bukuri e natyrës. E shikon një lule dhe thua: sa e bukur që është! Ndalesh tek tjetra dhe përsëritet i njëjti mendim, e njëjta përshtypje....Të gjitha ngjyrat i gjen këtu, të gjelbrën, të kuqen, të verdhën, të kaltrën, të bardhën... dhe secila e ka hapësirën e vet. Janë ngjyra me të vetmin mision: në shërbim të së bukurës. Por, mbi të gjitha e blerta këtu më duket se mban kurorën. Ndërsa, pak më tutje ishte shtruar një barbeky, një familje kishte shtruar drekën në mes të gjelbërimit, muzika shoqëronte atmosferën e gëzueshme që ishte krijuar. Më tutje një grup djemsh po luanin futboll, po të vështroje më me kujdes do të  shihje disa qen të mëdhenj,  ata rrinin shtrirë, më vonë vinin rrotull, dukej sikur kontrollonin që gjithçka të  ishte në rregull. Në drejtim të muzeut të Konferencës ndodhej dhe qendra e hipizmit.Aty takuam Arjan Rugjin,  instruktor i qendrës së hipizmit. Një mesoburrë rreth të pesëdhjetave, flokë gështenjë, me një gjatësi dhe peshë  mesatare trupore, i qetë. Na tregon se pasionin  për kuajt e ka pasur që në fëmijërinë e tij ku vinte shpesh në Pezë tek gjyshi. Që atëherë nuk është ndarë nga kuajt, madje edhe kur punonte si oficer ushtrie dhe policie nga viti ‘82 e deri më ‘96. Gjatë gjithë viteve të punës kënaqësinë më të madhe  e ka arritur  më 1994-ën, kur u bë parada e parë e kalorësisë me rastin e festës së çlirimit. (Arjani hesht për pak minuta, vështrimin e hedh tej në fushën e madhe ku kuajt kullotin) “emocion që nuk do ta harroj kurrë” . Kalin e vërtetë e mësova në Shkodër.   Ishin vitet ‘83-’84, ndodhesha në Shkodër për shkak të punës sime, ditët ishin të zakonshme, dhe rutinë si gjithmonë. Kur njeriu është mësuar apo dorëzuar me atë që jeton çdo ditë, atëherë merr surprizën. Dhe unë u befasova me bukurinë e një kali të bardhë,  ishtë pelë me  krenarinë e një kobre, fisnike madje edhe enët e gjakut i dukeshin. Më mahniti. Ky kale kaq i mrekullueshëm ka marrë pjesë edhe në filmin shqiptar “Vdekja e Kalit” . Është një film  ku në 1975 një gjeneral i njohur i ushtrisë shqiptare, i cili ngriti fermën e parë të kuajve në Shqipëri u dënua me vdekje. Kjo shënoi fillimin e ekzekutimit të kuajve. Agroni në “Vdekja e kalit” shpëton një kalë dhe për këtë dënohet nga gjyqi ushtarak. Madje edhe gazeta pariziane “La nuit” e ka cilësuar filmin si autopsi të diktaturës. Fatkeqësisht ky realitet i kuajve në vendin tonë vazhdon të jetë akoma.

Qendra e hipizmit në Pezë  është hapur  që në vitin 2000 , mund të thuash se sot është një shkollë kalërimi, ku marrin pjesë nga fillestari e deri tek profesionisti, janë 28 leksione, kushton 1000 lekë një orë mësimi. Në përfundim të mësimit çdo student  di të kalërojë me hap, me trok dhe me galop. Për profesionistët ofrojmë guida  të shoqëruar me një guidiator nga ne, për 4 orë. 

Pasi shijuam pasditen e mrekullueshme në Pezën e gjelbëruar, që krahas natyrës ofron edhe mundësinë që shumë persona të kënaqin pasionin e tyre për kuajt, largohemi me një panoramë të fiksuar mirë në mendime. 

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

21219

About the Author

Irena Kanani

Gazetare, ka mbaruar studimet e larta pergazetari ne Elbasan, aktualisht gazetare ne revisten Travel

Comments (3)

  • Anna Zoto

    Anna Zoto

    23 November 2012 at 14:42 |
    Ku mund te gjej me shume informacion per kalerimin ne Peze? Ju lutem me jepni nje numer kontakti,
    Ju faleminderit!

    reply

  • RevistaTravel

    RevistaTravel

    26 November 2012 at 09:38 |
    Personi i kontaktit eshte instruktori Arjan Rugji. Tel i tij: 066 20 65 074

    reply

  • Elisabeta Lekutanaj

    Elisabeta Lekutanaj

    18 August 2015 at 18:06 |
    Doja nje numer kontakti per kalerimin ne Peze.

    reply

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.