Mirëse vini në Gjinar,  tek Shtëpia e Traditës,  e mikpritjes dhe e vlerave

Mirëse vini në Gjinar, tek Shtëpia e Traditës, e mikpritjes dhe e vlerave

Written by Flora Xhemani Baba on Saturday, 22 July 2017. Posted in Tradita

Rritet turizmi i bujtinave edhe në malësitë e Elbasanit

Mirëse vini në Gjinar,  tek Shtëpia e Traditës,  e mikpritjes dhe e vlerave
Kur në vitin 2011 botuam në revistën Travel artikullin e parë për Gjinarin, në një bashkëpunim të ngushtë me Ardjan Bërdufin, një djalë i talentuar e i përkushtuar ndaj promovimit të vlerave të vendit të tij, shumica e atyre që e lexuan artikullin, nuk kishin dëgjuar asnjëherë për Gjinarin. Gjurmët e pikës së bukur turistike të dikurshme ishin tretur nëpër kohëra e ata që dikur mund të kishin qenë atje në ndonjë ekskursion me kolektivin e punës apo të shkollës, sigurisht që nuk ishin aq të shumtë sa të  kalonin emrin e Gjinarit gojë më gojë deri në ditët e sotme.

Sot, në vitin 2017, kur turizmi natyror e ai rural në Shqipëri, janë konturuar dhe po bëjnë hapat e parë të sigurt, disa zona e kanë të zhvilluar më shumë këtë ofertë turistike. Njëra prej këtyre zonave është edhe Shpati, me kryeqendër Gjinarin, i cili në pesëvjeçarin e fundit, gradualisht është kthyer në një fshat turistik shumë të preferuar për turistët e huaj, dashurues të natyrës, por edhe nga shqiptarët që tashmë po e shikojnë edhe ata mundësinë e shijimit të turizmit natyror. Për këtë arsye, shumë prej shtëpive të Gjinarit u kthyen në bujtina për të pritur turistët, madje u ngritën edhe struktura të reja pritëse, për shkak të fluksit që rritet çdo vit.
Kështu lindi në hyrje të Gjinarit edhe një shtëpi e vogël dhe e bukur, që në pamje të parë ngjan me një shtëpi përrallash. Është Shtëpia e Traditës, ajo që ju uron e para mirëseardhjen në fshatin e bukur malor, e që don t`ju tregojë se qëndrimi juaj këtu qoftë për një natë, qoftë për më shumë netë e ditë, do të jetë veçse i rehatshëm e mbresëlënës.
E ndërtuar sipas traditave të Shpatit, me kombinimin e gurit me dru, me arkitekturë të këndshme e ambiente të ngrohta e mikpritëse, Shtëpia e Traditës, pikërisht këtë ka si qëllim, që t`i ofrojë turistit ngrohtësinë e shtëpisë e jo thjesht një dhomë hoteli. Oxhaku në dhomën e ndenjjes, një gotë verë pranë zjarrit, bisedat me miqtë e rastësishëm që do të gjeni në bujtinë, e shton pa masë kënaqësinë e qëndrimit në Gjinar. Është shumë e rëndësishme që të ndjeheni mirë, për të qenë të çlodhur e të freskët, nëse për shembull keni vendosur që Gjinari ta vizitoni në mënyrë aktive, duke organizuar ture ose ekskursione në zonë. Ardjani do t`ju ndihmojë jo vetëm për qëndrimin tuaj tek Shtëpia e Traditës por edhe që të njiheni më mirë me të gjithë zonën e Shpatit, të vizitoni kishat, të bëni piknikë në natyrë e pse jo, të planifikoni edhe në ditët kur ka festa lokale, të cilat këtu organizohen me shumicë. E ku ka më bukur se pushimet tuaja të pasurohen me festën “Miqtë e Malit” ku përveç të gjitha gjërave të bukura që ka festa, si ushqimet tradicionale, panairet, lojrat, të shijoni edhe këngët dhe vallet e bukura të Grupit të Shpatit. Ky grup ka dhënë me dhjetëra shfaqje brenda e jashtë Shqipërisë dhe është pjesë e pandarë e të gjitha festave që bëhen në Gjinar dhe në të gjithë zonën e Shpatit.

Shtëpia e Traditës nuk është shumë e madhe e ndoshta nuk mund të presë shumë turistë njëherësh, por është një shembull i shkëlqyer se si duhet të ndërtohen strukturat pritëse në një fshat turistik, që të plotësojnë shumë standarte e jo vetëm atë të fjetjes, nëse nesër duam të kemi një turizëm të qëndruseshëm e me vlera. Investime të tilla duhet të shihen si modele për të ardhmen, kur Gjinari do të mbushet plot me turistë e kur shtëpitë e tjera që do të ngrihen të jenë si Shtëpia e Traditës, një shtëpi ku turisti ndjehet mik e ikën me mbresa të paharrueshme.

Në hyrje të Gjinarit, Elbansan, Albania; Tel.: +355 69 27 83 560
email: This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.; This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

14433

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.