Shqipëria dhe oferta turistike

Shqipëria dhe oferta turistike

on Tuesday, 02 April 2013. Posted in Fokus

Shqipëria turistike duhet të jetë ajo që blejnë turistët dhe jo ajo që shesim ne

Shqipëria dhe oferta turistike

Dritan Zaimi 

Turizmi është sot industria me rritjen më të shpejtë dhe zhvillimin më dinamik në botë. Menaxherëve, planifikuesve dhe politikbërësve u duhet të jenë shumë vigjilentë, mendjemprehtë, praktikë dhe efiçentë në marrjen e masave të duhura dhe zbatimin e tyre në kohë, kjo pasi tendencat e reja në një turizëm me rritje të shpejtë tentojnë të zhvlerësojnë shpejt shumë strategji të cilat nuk ecin në të njëjtin ritëm me hapin e zhvillimit të turizmit. Një plan veprimi i vonuar mund të dalë jashtë loje apo të jetë joaktual nëse vonon të prodhojë veprim dhe reagim në kohën e duhur. 

 

Për Shqipërinë, kjo është edhe më shumë e vërtetë (futur në tregun e turizmit pas një kohe të gjatë izolimi dhe pa patur mundësi të eksperimentonte apo të ndërtojë një produkt të vetin turistik), është e vështirë të përcaktosh çfarë mund të ofrojë më mirë Shqipëria në mënyrë që të diferencohet, të krijojë një avantazh konkurrues dhe të tërheqë sa më shumë nga vizitorët e rajonit dhe më gjerë.  Nëse do të marrim turizmin tradicional të diellit dhe rërës, Shqipëria nuk mund të konkurojë me vendet e rajonit të cilat ofrojnë shumë më tepër për nga pikëpamja e infrastrukturës apo cilësisë së shërbimeve dhe produkteve turistike. Ndërkohë në botë, turizmi i diellit dhe rërës po humbet terren ndaj turizmit kulturor, aventurier dhe eko-turizmit, ai po përjeton rritje jo më shumë se 2-4% krahasuar me 15-20% rritje vjetore të turizmit kulturor.

Sot, në këtë fazë ku jemi, nuk mund të themi dot çfarë profili turistik përfaqëson destinacioni Shqipëri. Është Shqipëria më shumë destinacion i pushimeve në det, apo në mal, i turizmit kulturor, apo i ekoturizmit, apo i ndonjë lloji tjetër. Ndërkohë që çështja që duhet të ngremë është, a ka nevojë tani Shqipëria për një marketim të tillë vetëm në njërin apo në tjetrin produkt turistik, nëse nuk kemi mundur ta bëjmë deri tani dhe të nxirrnim përfitimet përkatëse?! Ndoshta, në këtë kontekst realisht duhet të luajmë rolin e dhelprës me rrushtë, as që duhet ta synojmë, sepse mund të ketë shtigje të tjera për tu takuar me konkurentët tanë në kushte edhe më të favorshme dhe duke kompensuar në këtë mënyrë kohën e humbur. Për këtë duhet të jemi vizionarë dhe të synojmë të plotësojmë atë që do të duan më shumë turistët në 20 vitet e ardhshme dhe jo atë që kanë dashur në 20 vitet e fundit.
Kjo për faktin, se ritmi i rritjes dhe prirjet e turistëve tani kanë pësuar një evoluim mjaft cilësor drejt një pakete eksperiencash sa më të pasura. Turistët sot janë bërë shumë më tepër kërkues dhe të sofistikuar në kërkesat e tyre, janë me pervojë, nuk mjaftohen më lehtë vetëm me pushime pasive në det pranë rërës dhe plazhit por duan një paketë me një mori përvojash të larmishme, dhe një sërë aktivitetesh për të mbushur ditët e tyre të pushimeve. Një ditë në plazh, mbasdite një vizitë në një park arkeologjik, në mbrëmje një koncert, të nesërmen një shkëptuje për një shëtitje në një park tërheqës natyror, një vizitë në muze etj. Një varietet eksperiencash të reja dhe intriguese, si vlerë e shtuar ndaj pushimeve tradicionale në bregdet, është ajo çfarë po kërkojnë gjithnjë e më shumë turistët sot në botë. Destinacione të sukseshme turistike janë ato që ofrojnë sa më shumë, në një hark kohor dhe distancë sa më të shkurtër nga njëra tjetra, gjë që Shqipëria i ofron më së miri. Mosprofilizimi dhe si rrjedhoje mosspecializimi në një produkt të caktuar turistik nga ana e Shqipërisë ka avantazhin dhe disavantazhin e vet. Disavantazh për faktin se duke mos u diferencuar me një produkt apo ofertë të caktuar shton pasiguri në radhët e turistëve që dëshirojnë të prenotojnë pushime në Shqipëri duke ushqyer frikën e mos përfitimit të kënaqësisë dhe cilësisë maksimale në asnjërën nga atraksionet e synuara, dhe si rrjedhojë mospërmbushje të pritshmërive dhe zhgënjim. Avantazh për faktin se turistëve nuk u ofrohet një Shqipëri e pjesshme, por Shqipëria e plotë, me të gjjithë larminë dhe potencialet e saj të shumta turistike, si një sofër bujare, ku çdo vizitor do të ulet, do të marrë dhe do të shijojë atë pjesë të ofertës që pëlqen më shumë. Në fakt, kjo është ajo çfarë duhet të jetë Shqipëria. Shqipëria turistike nuk është ajo qe ne do të duam të shesim si të tillë, përkundrazi, do të jenë vetë turistët, vit pas viti e ndoshta dekade, në sajë të përzgjedhjes dhe vlerësimit të tyre, ata që do ti japin markën Shqipërisë turistike. Në një ofertë të pasur turistike, me diell e det, me male dhe lugina, me arkeologji dhe histori, me tradita dhe folklor, me natyrë dhe biodiversitet, me aktivitete dhe larmi, me moderne dhe antikitet, me zona të zhvilluara por edhe me zona të papekura fare nga zhvillimi dhe të virgjëra, me njerëz bujare dhe mikpritës, luksin dhe sfidën e përzgjedhjes e ka turisti. Ne duhet të jemi vëzhgues, sigurues të cilësisë së kërkuar dhe garantues të zhvillimit të qëndrueshëm. 
Që të kemi sukses, duhet të investojmë ndjeshëm në rritjen totale të cilësisë në të gjitha dimensionet e ofertës tonë turistike. KJO duhet të jetë detyra jonë, të përkrahim zhvillimin, të mosparagjykojmë se cila formë zhvillimi na përket më shumë, dhe të synojmë që çdo turist të përftojë një eksperiencë befasuese e mbresëlënëse në çdo kontakt të tij me ofertën tonë.
Që ta realizojmë, duhen kombinuar dy trajektoret e lëvizjes; jona, dhe e turistëve kudo në botë, duke synuar në këtë mënyrë që kur ne të jemi afër qëllimit tonë final atje do të takojmë turistin që kemi synuar.

 

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

15648

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.