Turizmi shqiptar

Turizmi shqiptar "Verë 2018" - në qershor vjen çarteri i parë nga Moska

on Friday, 01 December 2017. Posted in Lajme

Nga data 21 qershor deri më 20 shtator, çdo javë një avion do të ulet në Rinas

Turizmi shqiptar
Tashmë është e konfirmuar: Vera e vitit 2018 do të sjellë në Shqipëri edhe turistët rusë, dhe jo si pjesë e tureve ballkanike apo kuturore por nëpërmjet paketave turistike të blera në vendin e origjinës, pra në Rusi. Duke filluar nga data 21 qershor 2018, e deri në datën 20 shtator 2018, një avion çarter me 210 vende do të niset drejtpërdrejt nga Moska e do ulet çdo javë në Rinas, për të hapur më në fund kështu koridorin e parë të sjelljes së turistëve rusë në Shqipëri.
Nëse deri verën e shkuar Shqipëria është zgjedhur përmes paketave turistike nga Polonia, Çekia, Sllovakia, Ukraina, Bjellorusia apo edhe vende të tjera rusishtfolëse, nuk kishte ndodhur ende që të vinin grupe të organizuara turistësh nga Rusia përmes Moskës, drejt e në Shqipëri.
Sipas burimeve të Space Travel, agjencisë më të madhe në Moskë që ka lidhur këtë marrëveshje, ky është vetëm viti i parë i bashkëpunimit me Shqipërinë, që shpresojmë të jetë i suksesshëm e të rrisë numrin e pushuesve që do të kërkojnë Shqipërinë për pushime.
Drejtori ekzekutiv i Space Travel, Artur Muradian, shprehet për Travel Magazine se vendimi për të ofruar Shqipërinë si destinacion turistik në Rusi, u mor pas një bashkëpunimi e komunikimi gati dy-vjeçar me kolegët e Aler Travel që operon në Shqipëri prej disa vjetësh tashmë e që e ka provuar suksesshëm këtë treg me turistët nga Ukraina e Bjellorusia. Nisur jo vetëm nga bisedimet me drejtuesit e Aler Travel por edhe nga përshtypjet tejet pozitive të vetë turistëve për Shqipërinë, menduam se ky mund të jetë një destinacion i përshtatshëm edhe për turistët nga Moska dhe e gjithë Rusia. Arsyet tashmë klasike për të zgjedhur Shqipërinë ishin çmimet e lira, klima e farvorshme mesdhetare, që krahasuar me vendet fqinje të Ballkanit mund të shijohet duke blerë një paketë me të lirë në Shqipëri, bukuria mahnitëse e plazheve shqiptare por edhe historia interesante e një populli që pak njihet nga rusët, megjithë përiudhën historike të afërt të kohës së komunizmit, që për brezin e ri është tërësisht e panjohur.
Artur Muradian pohon se në Rusi nuk ka thuajse aspak informacion për Shqipërinë turistike, përveç informacioneve që agjencitë ruse kanë shkëmbyer me kolegët e agjencive shqiptare nëpër panaire të ndryshme turizmi. Prandaj edhe si agjencia më e madhe në Moskë që ka marrë përsipër të hapë koridoret e këtij rrugëtimi turistik për rusët, Space Travel ka filluar një fushatë të gjerë publicitare në mediat ruse.
Megjithëse turisti rus është konsideruar si lloji I turistit me kërkesa të larta që kërkon luks dhe blen një paketë të shtrenjtë turistike, të denjë për hotelet e Turqisë apo të Dubait, drejtuesit e Space Travel, pohojnë se sidoqoftë kërkesat e njerëzve janë të ndryshme dhe sigurisht ka edhe shtresa të tilla që kanë interes për të blerë paketa turistike në nivelin që ofron Shqipëria, E rëndësishme është që turistët të informohen drejt për kushtet që turizmi shqiptar ofron, me qëllim që pritshmëritë të jenë në raport të drejtë me ofertën.
Kështu Shqipëria dhe turizmi shqiptar vit pas viti po hyn nëpër paketat turistike të thuajse të gjitha vendeve të rëndësishme të Europës, vende që zotërojnë një potencial të madh në këtë fushë. Kujtojmë se vetëm në Turqi shkojnë të pushojnë çdo vit më shumë se 4 milion turistë rusë, pa llogaritur destinacionet e tjera të Europës. Mbetet që operatorët turistikë por sidomos strukturat akomoduese dhe pushteti vendor e qendror, të koordinojnë mes njëri-tjetrit, për të mundësuar një sezon turistik me sa më pak probleme.
 
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

14845

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.