Dardha  turistike – një mikpritje e përhershme

Dardha turistike – një mikpritje e përhershme

Written by Flora Xhemani Baba on Wednesday, 20 November 2013. Posted in Reportazh

Udhëtim mes ngjyrave të vjeshtës dhe traditës së mrekullueshme dardhare

Dardha  turistike – një mikpritje e përhershme

 

Udhëtimi
Jemi në vjeshtën e vonë dhe rrugët e Tiranës janë mbushur me gjethet e fundit të blireve, rrepeve e gështenjave të egra, që kërcasin nëpër këmbët e kalimtarëve, apo që i merr shiu i këtij fundnëntori, si për të na kujtuar se po hyjmë zyrtarisht në stinën e dimrit.
Ne vendosëm që të udhëtojmë sërish drejt Korçës, kësaj radhe për në Dardhë, një fshat shumë i njohur e karakteristik, që përveç bukurive natyrore, ofron edhe kulturë e traditë, ashtu siç në fund të fundit e ofrojnë nga pak të gjitha fshatrat e Korçës.
Pasi kemi përshkuar për rreth tri orë e gjysëm itinerarin e gjatë Tiranë-Korçë, vazhdojmë, në dalje të qytetit, në drejtimin që të çon për Ersekë. Lemë pas rrugën kryesore dhe marrim në të majtë, aty ku tabela turistike shkruan e bardhë mbi kafe “Dardhë-pikë turistike”. Fshati ndodhet rreth njëzet km nga Korça dhe gjithë rruga për atje, është një gjarpërim mbi kodrina të buta, që ashpërsohen gradualisht, derisa përfundojnë në male, gjithnjë të mbushur me bimësi e pemë. Peisazhi vjeshtor është ngjyra-njgyra, ku i gjelbër, ku i verdhë e ku i kuqërremtë, sipas ngjyrave që stina i ka dhënë bimësisë. Por surprizat më të bukura, natyra na i ka rezervuar në fshat, rrethinat e të cilit janë të gjitha të mrekullueshme e dhurojnë panorama të veçanta.

 

 

Sapo hyjmë në fshat, bashkë me ne ndalon edhe një autobus plot me udhëtarë.
Banorët, na përshëndesin miqësisht, duke ngritur dorën ose duke buzëqeshur. Edhe ne buzëqeshim vetvetiu, sepse mikpritja e tyre na krijon një ndenjë ngrohtësie. Në qendër takojmë kryeplakun e fshatit, i cili na ftoi në shtëpinë e tij. Oborri i shtëpisë së gurtë, ishte plot me lule, të të gjitha stinëve. Kur i thamë se kishim ardhur të bënim një reportazh për Dardhën, ai hyri në shtëpi e na nxori një libër të vjetër. Ishte një guidë turistike për Dardhën, botuar nga intelektualë dardharë e korçarë, në vitin 1938, nën kujdesin e Mitrush Kutelit, dhe drejtoreshës së atëhershme të Turizmit, Princeshës Maxhide Zogu. U habitëm kur pamë një guidë turistike në atë vit e në atë kohë kur mendohej se në Shqipëri kishte vetëm varfëri e luftë.
E shoqja e kryeplakut na qerasi me ëmbëlsira dhe një pije që e kishte bërë vetë. Atyre u dukej krejt normale që të qeraseshin miqtë. Gjithmonë kishin diçka gati për ta, madje edhe dhomën për fjetje. Ata e dinin se fshati ka vizitorë gjithë vitin. Madje kjo kishte ndodhur edhe para 90-ës, në vitet e diktaturës, kuptohet me njëfarë kujdesi. Vizitorët ose turistët priteshin e përcilleshin si miq ose farefis. Atëhere ishte e ndaluar të thoshe se kishe shkuar për turizëm. Por sot, banorët më në fund mund të ishin të lirë të mirëprisnin këdo që vinte për të vizituar Dardhën.
***
Si fshat turistik Dardha ka qenë i përmendur dhe i preferuar shumë kohë më parë, gjë që e vërtetojnë edhe shumë dokumente e botime të kohës. Përveçse destinacion i mirëfilltë turistik, Dardha rrezaton edhe një kulturë intelektuale e popullore që e bën atë të gëzojë traditë të pasur në vlera. Dardha si shumë fshatra të tjerë të juglindjes së Shqipërisë, ka shtëpitë se saj karakteristike të ndërtuara me pllaka guri, rrugicat me kalldrëm, portat e zbukuruara me motive artistike e oborret plot me lule. Në Dardhë dikur ndodheshin njëqind burime të kthyera në çezma të bukura, ndërtuar nga mjeshtra të ndryshëm, që udhëtarët të freskoheshin e të shuanin etjen. Akoma edhe sot disa prej këtyre burimeve ndodhen nëpër rrugët e fshatit.
Mikpritja e banorëve të Dardhës është e përmendur edhe shumë larg kufijve të saj, duke filluar që nga përshëndetja më e thjeshtë që u drejtohet të gjithëve, e deri tek gatimet e mrekullueshme të zonës, që mahnisin çdo vizitor. Të gjitha stinët janë të bukura në Dardhë, por pranvera është një festë e vërtetë pasi gjelbërimi dhe lulet që Dardha i ka me shumicë, mbulojnë rrugicat e kalldrëmta dhe muret e shtëpive të bukura. Të jetosh në Dardhë mund të konsiderohet një bekim, siç pohojnë banorët e zonës, por edhe ta vizitosh Dardhën, është një kënaqësi e vërtetë, që duhet provuar të paktën një herë në jetë.
Turistët që vijnë në Dardhë, mahniten nga rregullsia e planimetrisë së shtëpive, arkitektura interesante, pastërtia shembullore nëpër rrugët me kalldrëm, që në shumicën e kohës, janë të mbushura edhe me një shtresë bari.
Akomodimi
Në Dardhë të gjitha shtëpitë e banorëve janë të përshtatshme për akomodim, me kushte komode e mjaft të rehatshme. Nga ana tjetër, ka edhe hotele që ju ofrojnë akomodim dhe restorant gjithashtu, me kushte shumë të mira dhe çmime të përshtatshme. Struktura ekzistuese përfshin edhe ish-shtëpinë e dikurshme të pushimit, që funksiononte me fletët e famshme të kampit. Sot ajo është kthyer në hotel e restorant.
Së fundi në Dardhë janë ngritur të paktën dy komplekse të mëdha turistike me parametra modernë, që do të ofrojnë përveç cilësisë së shërbimeve, edhe një kapacitet më të madh akomodues. Njëri prej tyre ndodhet në hyrje të luginës dhe ju mund ta shikoni teksa jeni rrugës për të hyrë në Dardhë, ndërsa tjetri është në qendër të fshatit. Panorama që ju ofron nga dritaret ky kompleks qe ka marrë edhe emrin e fshatit, është e mahnitshme. Është e pamundur të vini në Dardhë dhe të mos e shikoni strukturën e bukur alpine të Hotel Alpin Dardha.
Gastronomia
Pa dyshim që karakteristikë e kuzhinës dardhare është lakrori me dy petë. Gjithashtu, ju duhet të provoni patjetër edhe pjata të tjera të amvisave të Dardhës, pa lënë mënjanë gatimet e tjera të zonës së Korçës, si oshmaret, kërnackat, mishin e pjekur të zonës etj. Por edhe produktet e zgarës, duhen provuar, ato sidomos marrin shije tjetër, nëse i konsumoni gjatë një pikniku në natyrë.
Për ski në Dardhë
Dimri është në prag dhe të gjithë ata që duan të shkojnë për ski në Dardhë, mund të pajisen me informacion dhe me instruktorë, duke pyetur për ta në çdo shtëpi fshati. Pista e skive është në funksion të plotë, dhe është sot një nga pikat më tërheqëse dimërore të fshatit.
Të vizitoje Dardhën ishte vërtet një bekim. Ne madje, do të shtonim, se Dardha duhej vizituar jo një, po katër herë, nga një herë në të gjitha stinët. Se duhej provuar shushurima e pyllit dhe këngët e zogjve në pranverë, se duhej parë gjithë ai ansambël lulesh të mrekullueshme në verë, se duheshin parë gjyrat e saj mbresëlënëse në vjeshtë, sidomos mbi Gurin e Vjeshtës, e se përveç skive, duhej provuar edhe oxhaku i ngrohtë ku piqeshin gështenja dimrit, apo duhej pirë një gotë verë tek Hotel Alpin Dardha, ndanë zjarrit. Për të gjithë ju që nuk e keni provuar ende, themi se diçka keni humbur, e se duhet të shkoni patjetër…
Të dhëna të dobishme për turistët
Korça ndodhet rreth 185 km larg nga Tirana, nën një itinerar që përshkon qytetet Elbasan-Librazhd-Prrenjas-Pogradec-Korçë.
Dardha ndodhet rreth 20 km në dalje të Korçës, në të majtë të rrugës nacionale Korçë-Ersekë. Rruga për në destinacion është në gjendje shumë të mirë dhe mund të përshkohet me çdo lloj automjeti. Nëse udhëtoni me mjete publike bileta kushton 500-700 lekë të reja.
Pjesë nga guida turistike e Dardhës, guidë e botuar në vitet ’30, nën kujdesin e Patroneshës së Turismit zonjës Maxhide Zogu
Dy fjal  përmi turism
Një nga vijat që ndan e që çquan Shqipërinë e sot – me nga Shqipëri e  parë është se kjo Shqipëri -  anë e kënd – ështe e ç’ do shqipëtari. Jo vetëm në mënyrë theorike, si shtet i organizuar dhe unitar po  edhe në mënyrë praktike. Më fort në mënyrë praktike. Kësilloj sot bukuritë e tokës  shqiptare, fort të pajosur nga dora e Zotit, mund të shijohen prei cilit – do: deti prej atyre që banojnë lark tij, pylli prej atyre që banojë në fusha e anëdete. Dobitë që rjedhin nga  kjo gjëndje janë të shumta e të mbëdha..Dobira ekonomike, dobira shëndetësore, dobira shoqërore e kombëtare e sa e sa të tjera .Rrugët e sotme, një nga objektet e para të kujdesis të Shtetit, si dhe mjetet e qarkullimit kanë  afruar pranë e pranë  viset e njerëzit që  gjer aty e disa vjet ishin të larguar fort. Sepse gjer aty e disa vjet për tiranasin a për dursakun ish m i afërmë një stacion  klimaterik  i huaj, në një mijë e sa kilometra,  sesa Dardha shqipëtare. Se qe nga Durrsi gjer në Dardhë  lipseshe të bënjë tri a katër dit  rrug me karvan e me frikën e kusarëve në gji ( nuk keni dëgjuar si ç’ vishej karvani aty e disa vjet ?) Sot punët u ndryshuan fort.  Nisesh në mëngjes nga vëndi ku vapa të tret të gjallë e pas mes dite je brenda në pyllin e Dardhës ku mbretëron boriga e vgjeri.  Këtu gjen gjith komoditetet e jetës të qytetit  t’ ënd  pranë e pranë me erën e  pastër, me ujën e ftohtë e gjelbërin e pyllit. Një çip parajsi  i sbritur në dhe, ku të shlodhet edhe shpirti edhe trupi.  Këtë çip parajsi ky pyllin e kini ne dera vizitoje – ni  vit për vit për të përmbajtur e për të plotësuar shëndenë tuaj. Kësilloj u lutet një i mërguar që fati e ka hedhur fort larg ë që nuk ka mundësinë  ti shijojë bukuritë e dobitë veç  se rall e tek. Po në dëshirat e vet , në ëndërimet e vet, e ka gjithmonë  përpara.
 
 
Organizata  Shoqërore Dardhare  që përkujdesen  për mbarëvajtjen e Dardhës
Në Shqipëri:
Shoqëria “ Shpresa “ -  Dardhë
Dega e “ Gruas Shqipëtare” – Dardhë
Në Rumani
Shoqëria “ Bashkimi” – Bukuresht
Në Amerikë
Vëllazërija “ Bleta” Boston
Ky album u shtyp në Atelierët E Topografisë Albania,  në Konstancë, Rumani nënë kujdesjen e M. Kutelit

 

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

20831

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.