Come to My Home

Come to My Home

Written by Irhan Jubica on Sunday, 05 November 2017. Posted in Editorial

Përsiatje mbi strategjitë dhe të ardhmen e turizmit

Come to My Home

I përhershëm në strategjitë kombëtare të turizmit, qëkur këto nisën të hartoheshin, turizmi bregdetar mund t’i ketë sjellë Shqipërisë të ardhura të konsiderueshme, sepse shumica e frekuentuesve të plazheve tona ishin shqiptarë nga jashtë kufijve. Mirëpo sikurse e kemi thënë që në editorialin e numrit të parë të revistës Travel (Maj 2011), shtegtimi patriotik i kosovarëve drejt Shqipërisë po ulet gradualisht, e këtë e konfirmoi edhe INSTAT, sipas të cilit, vetëm gjatë Korrikut 2017, në krahasim me një vit më parë, në vendin tonë erdhën 33% më pak pushues nga Kosova. Në jo pak raste të zhgënjyer nga diferencimi në shërbime, dyndja e tyre krijoi idenë e një turizmi të përjetshëm, duke e shtyrë biznesin e ndërtimit drejt një krimi thuajse të pazhbëshëm: shëmtimin e qyteteve. Metastazat e betonit e kanë zgjeruar shkatërrimin mjedisor në secilën perlë të banuar përgjatë 400 km bregdet, duke i kthyer disa prej kryeqendrave, si Durrësin, Vlorën dhe Sarandën, në qytete fantazëm me përbindësha - bunkerë të frikshëm që hanë pyje dhe male e në të cilat, në këtë Tetor të ngrohtë, nuk gjendej turist që të ndizte një dritare, ndërsa ne pretendojmë zgjatjen e sezonit turistik deri në 10 muaj. Dhe nëse komentet negative të turistëve të huaj në TripAdvisor duken dashakeqe, një natë e kaluar në të ashtuquajturat hotele të bregdetit kundrejt kushteve dhe çmimeve të papërshtatshme, është provë se sa jostrategjike vazhdojnë të jenë investimet e biznesit të betonit në territorin e një shteti që nuk arrin ta shtrijë sovranitetin e tij territorial, në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës.

Kësisoj, ngjan më shumë se ironik mendimi që rekomandimi i Këshillit Botëror të Udhëtimeve dhe Turizmit (World Travel & Toursim Council - WTTC) se “autenticiteti është pika më e fortë e turizmit shqiptar” i referohet situatës së mësipërme. Me Beratin, Gjirokastrën, Iso-Polifoninë, (Lumin e Gashit dhe Shebenik-Jabllanicën), e sidomos Butrintin në UNESCO, autenticiteti do të duhej të reflektohej edhe në draft-Strategjinë e Zhvillimit të Turizmit 2017-2022, duke orientuar sa më shumë kapacitete të të gjitha llojeve drejt theksimit dhe shfrytëzimit për mirë të këtij tipari të turizmit shqiptar. Nga ana tjetër, duke tentuar të mashtrojë opinionin me pëlqimin e paqenë të UNESCO-s, Ministria e Kyltyrës arsyeton betonizimin e Butrintit me nevojën e plotësimit të kushteve që kërkojnë vizitorët e më të mirit park shqiptar. Diçka jo fort e ndryshme nga velierat, sheshskënderbejt dhe lungomaret e deritashme. Mirëpo turistët e huaj, konsumatorët më të mëdhenj të turizmit kulturor (kryesues dhe me rritje vjetore rreth 17%) vlerësimet më pozitive i kanë pikërisht për autenticitetin tonë, duke e mirëkuptuar kontekstualisht mungesën e luksit, bie fjala, në bujtinat e Alpeve Shqiptare. Gati të mrekulluar prej mbijetesës së traditës dhe mënyrës së jetesës të bukurive tona të rënda - siç i quajtën çifti Benzenberg-Klosi - turistët e huaj përbëjnë, sipas Planit Kombëtar Sektorial të Turizmit për Rajonin e Alpeve Shqiptare të përgatitur me mbështjetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) - 67% të vizitorëve në 860 km2 të këtij Parku Kombëtar. Falë metodës ekonometrike të Delphit, FSHZH parasheh që numri i vizitorëve në Alpe, nga rreth 69 mijë në 2017, të shkojë në mbi 570 mijë në vitin 2031. E shoqëruar edhe me zgjatjen e sezonit turistik, kjo do të thotë se nga rreth 3 mijë shtretër sa ka aktualisht në të gjithë Alpet Shqiptare, deri në vitin 2031, (kur Shqipëria do të presë rreth 9 milionë turistë në vit), duhet të sigurohen gati 30 mijë shtretër për mbi 2.5 milionë netëqëndrime.
Në këtë pikë, llogaritjet nisin të bien erë gëlqere, tulla e beton.
Presioni i madh i kërkesës për turizëm në këtë hapësirë, është evidentuar nga dokumenti serioz i FSHZH-së, si cenues i mjedisit natyror dhe atij të ndërtuar të Alpeve Shqiptare. “Ngakesa turistike mbi të cilën ceno­hen ndjeshëm aspektet mjedisore, sociale dhe infrastrukturore të Alpeve Shqiptare, është 18.000 deri në 20.000 vizitor në ditë” - shkruhet në draft-Plan dhe kjo i përgjigjet një oferte akomoduese prej jo më shumë se 12 mijë shtretërish, të shpërndarë në rreth 800 bujtina dhe mbi 100 hotele.
Ky vlerësim duket më afër Skenarit 4 të Zhvillimit në “Vlerësimin Strategjik Mjedisor” të FSHZH.
Mirëpo ajo çka ndodh në terren është diçka krejt tjetër. Përveç hidro­centraleve të dyshimta që po ua thajnë damarët Valbonës e Vjosës, as vetë malësorët nuk janë krejt pa përgjegjësi për situatën. Në vetëm më pak se dy dekada Valbona, e në vetëm një dekadë edhe Thethi, po e mbrrijnë pikën e ngopjes me ndërtimin e strukturave akomoduese, në mjaft raste pa kurrfarë respekti për arkitekturën tradicionale, duke ia vënë në diskutim, e ndoshta edhe duke ia ndërruar asaj identitetin (vetëm Thethi ka aktualisht rreth 1.000 shtretër nga 1.500 të parashikuara për 2031). Banorët e këtyre zonave akuzojnë shtetin se po i detyron të ndërtojnë në mënyrë të paligjshme dhe rrjedhimisht të ngutshme, për shkak se sipas tyre, nuk u ka dhënë tapitë dhe prapë rrjedhimisht, as leje ndërtimi. Për kredi të buta apo grante as që bëhet fjalë. Dhe duke parë se si fqinjët e kanë rregulluar jetën me turizëm, disa janë kthyer në fshatin e braktisur para 10 vitesh dhe me parà borxh po ndërtojnë, me tulla e beton - mundësisht brenda verës së shkurtër - ndonjë vilë me sa më shumë kate e dhoma. Këto probleme me të cilat ballafaqohet grupi i punës për hartimin e Kodit të Dizajnit të Thethit të mbështetur nga GIZ, në të vërtetë janë evidente edhe gjetkë në Alpe. Le t’i shtojmë kësaj edhe bjerrjen e pjesshme të traditave kulturore e kulinare aq sa, psh i ashtuquajturi Muze Etnografik i Thethit nuk ka inventar objektesh, apo që toka bujqësore zaptohet nga ndërtimi dhe turistëve u shërbehet qumësht tetra pak apo margarinë - dhe ajo çka pritet në perspektivë është një pamje po aq e shëmtuar sa fantazmat e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës.
A do të mund të flitet paskëtaj për autenticitet të turizmit shqiptar, së paku në Alpe? E sigurisht edhe në mrekullitë e jugut të thellë, pa harruar Mirditën dhe Matin. A do të duhej që përcaktimi “autentik” në Vizion të reflektonte ndryshimin edhe në vetë prioritetet e Strategjisë së Zhvillimit të Turizmit 2017-2022, për të nxjerrë turizmin e kulturës dhe atë të natyrës në krye? Pra për ta brand-uar turizmin tonë për vlerat historike, trashëgiminë kulturore, kulinarinë, ekoturizmin, agroturizmin, për mikpritjen dhe për barishtet e egra. Në intervistën e këtij numri të revistës Travel, ish-ministrja e Turizmit del kundër kësaj ideje, duke argumentuar se turizmi bregdetar ka potenciale të pashfrytëzuara, si psh. turizmi detar i jahteve etj. Po si t’ua ndërrojmë mendjen 79 % të turistëve, që sipas dokumentit të FSHZH-së të cituar më sipër, do të preferonin bujtinat dhe kampingjet për t’u akomoduar në Alpet Shqiptare, sepse ata nuk vijnë këtu për të vuajtur - por sigurisht as për komoditetin që ne nuk ua ofrojmë dot brenda përbindëshave të betontë - mosnxënia shembullore prej Spanjës, Monte Carlos, Izraelit e plot brigjeve tjera të Mesdheut të përçudnuara nga grykësia e turizmit masiv të dekadave të shkuara.
Pa folur për kulturën e shërbimit, që sikurse transmetoi ministri i ri i Turizmit një shqetësim të polakëve, dominohet nga kamarierë që nuk dinë as të buzëqeshin.
Ndoshta është koha, që motoja për­cjellëse e turizmit shqiptar “Go your own way”, e kuptuar me sa duket si “Bëj sipas qejfit”, të zëvendësohet me ndonjë koncept krejt tjetër. Ndoshta “Come to my home” është më ftuese dhe udhërrëfyese drejt një destinaciont të qartë: shtëpinë, që për çdo shqiptar është e Zotit dhe e Mikut.
Vështirë të kemi diçka më autentike se kjo.
Morali i fabulës: Le t’i presim turistët në shtëpitë tona të kthyera në bujtina, airbnb apo hostele dhe me paràtë që do të bëheshin bunkerë të rinj, të përmirësojmë kushtet dhe shërbimin e hoteleve që do t’i mbijetojnë konkurrencës.
4.8/5 rating (6 votes)

Hits

14182

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.