Prishtina - lindja e vështirë e  një qyteti perëndimor

Prishtina - lindja e vështirë e një qyteti perëndimor

Written by Irhan Jubica on Sunday, 22 December 2013. Posted in City Guide

Guidë në kryeqytetin më të ri në botë

Prishtina - lindja e vështirë e  një qyteti perëndimor
Mes xhamive dhe klubeve të natës, mes rrugëve të shtrembra dhe ndërtesave qeveritare me xhama, mes lapidarëve të luftës dhe fotografive të të pagjeturve, mes shërbimit të kulturuar dhe lypësave, mes dëshirës për bashkim me tokën amë dhe asaj për identitet të vetin, Prishtina është sot kryeqyteti më i ri në botë që pavarësisht të gjithash, aspiron drejt të ardhmes që të gjithë ne e quajmë ... evropiane....
Prishtina është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Republikës së Kosovës. Qyteti është bashki dhe kryeqendër e Qarkut me të njëjtin emër. Bashkia e Prishtinës ka një popullsi prej 198.214 banorësh sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2011. Prishtina përfshin gjithashtu edhe 48 fshatra. Përpos shqiptarëve që janë shumicë si kudo në Kosovë, në Prishtinë jetojnë edhe disa komunitete tjera siç janë: serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, etj.

 

Prishtina është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Republikës së Kosovës. Qyteti është bashki dhe kryeqendër e Qarkut me të njëjtin emër. Bashkia e Prishtinës ka një popullsi prej 198.214 banorësh sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2011. Prishtina përfshin gjithashtu edhe 48 fshatra. Përpos shqiptarëve që janë shumicë si kudo në Kosovë, në Prishtinë jetojnë edhe disa komunitete tjera siç janë: serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, etj.
Pak histori
Ende nuk ka një shpjegim për prejardhjen e emrit Prishtinë. Ekzistojnë disa hipoteza, por jopërfundimtare për këtë çështje. Disave u pëlqen të mbështeten në burimin ilir të fjalës, apo në atë latin (pristinume - e dikurshme).
Për herë të parë, emri Prishtinë përmendet në mesjetë, por gjurmët e vendbanimeve arkeologjike shtrihen që nga neoliti. Në afërsi të Prishtinës ka qenë një nga vendbanimet më të rëndësishme në rajon, Ulpiana, e ngritur në themelet e vendbanimit ilir, e cila pas një tërmeti katastrofë që goditi Dardaninë, u ngrit në një nga qendrat më të mëdha bizantine në mesjetën e hershme, me emrin “Justiniana seconda”.
Afër Prishtinës u zhvillua beteja e Fushë-Kosovës (qershor 1389), ku popullsia shqiptare luftoi përkrah popujve të tjerë ballkanas, kundër pushtuesve osmanë.
Më 1812, diplomati francez Anton Bas, shkruante se në Prishtinë mbahen dy panaire vjetore në të cilat marrin pjesë tregtarët nga Bosnja, Selaniku, Endrenja, Shkodra etj., që sillnin prodhime nga Smirna dhe Alepi, nga Venediku dhe qytetet gjermane. E më vonë, baroni Gamer, thotë se Prishtina është qyteti më i madh që nga Sarajeva deri në Selanik, me afro 12 mijë banorë.
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore Prishtina me rreth 16.000 banorë u përfshi në zonën e pushtuar nga italianet, si qendër e prefekturës me të njëjtin emër.
Bërthama e vjetër e qytetit me Bezistanin, Xhaminë e Llokacit, Kishën katolike, Sinagonën dhe Carshinë e vjetër, u shkatërrua përfundimisht nën pushtetin komunist jugosllav. Në vitin 1947 Prishtina u caktua si qendër administrative e politike e Qarkut Autonom të Kosovës dhe e Rrafshit të Dukagjinit.
Më 1968 dhe 1981, Prishtina u bë vatra kryesore e demonstratave të shqiptarëve.
Gjeografia dhe klima
Zona e Prishtinës shtrihet në luginat e lumenjve të vegjël Prishtevkë e Vellushë në një lartësi nga 585 deri në 670 m mbi nivelin e detit, ndërsa vetë qyteti është rreth 652 m mbi nivelin e detit. Sipërfaqja e Prishtinës është rreth 854 km2, ndërsa koordinatat gjeografike të qytetit janë: 42° 40' 0" Veri dhe 21° 10' 0" Lindje. Në lindje lartësohen kodrat e Gërmisë, ndërsa përballë hapet panorama e Fushës së rrafshët të Kosovës. Ky pozicion bën që në qytet të mbizotërojë klima kontinentale me një temperaturë vjetore mesatare prej 10,4 °C dhe me rreshje vjetore mesatare prej 600 mm. Në korrik temperatura mesatare vjetore është rreth 30 °C, ndërsa në janar rreth -0,6 °C.
Largësia nga Prishtina: Shkupi 86 km, Tirana 330 km, Beograd 360 km, Podgorica 298 km.
Turizmi
Edhe pse në Bashkinë e Prishtinës ushtrojnë aktivitet rreth 800 restorante dhe hotele, Prishtina është një nga kryeqytetet e pakta në botë, e ndoshta i vetmi në Europë, që nuk ka një zyrë të informacionit turistik. Kjo mungesë dëshmon shqetësimin e specialitëve të paktë të turizmit, të cilët vlerësojnë se turizmi ëshë një zë inekzistent në politikat, por edhe në ndarjet buxhetore të qeverisë së Kosovës.
Në vitin 2012, me ndihmën e BE, në fshatin Keqekollë u hap Zona Turistike e Prishtinës, e cila ofron shtëpi mikpritëse, ushqim tradicional, kalërim me kuaj si dhe oferta të tjera tradicionale e turistike.
Çfarë mund të vizitoni
Objekti i Sahat Kullës është një nga monumentet e pakta që i kanë mbetur pjesës së Çarshisë së Vjetër të Prishtinës. Objekte të tjera me shumë interes janë gjithashtu: Muzeu i Kosovës, Muzeu etnologjik, pjesa e vjetër e qytetit me Xhaminë e Mbretit, Xhamia e Çarshisë, shtatorja e Nënë Terezës, Varri i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, monumenti “Newborn”, galeria muze e artistit të njohur kosovar Agim Çavdërbasha, lokaliteti arkeologjik i Ulpianës, Manastiri i Graçanicës, Tyrbja e Sulltan Muratit II, Gazimestani, Parku Kombëtar i Gërmisë, Liqeni i Badovcit etj.
Muzeu i Kosovës
Muzeu i Kosovës përfshin një koleksion prej më shumë se 50 mijë eksponate të profileve të ndryshme; nga arkeologjia, teknologjia, historia, natyra, ento-kultura, folklori, trashëgimisa etj, që nga periudha e neolitit, 6 mijë vjet para erës së re, deri në ditët e sotme, mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Galeria e Arteve
Galeria e Arteve e Kosovës u formua në vitin 1979 si një institucion kulturor për prezantimin e artit pamor dhe ruajtjen e mbledhjen e veprave më me vlerë.
Gjatë këtyre viteve të veprimtarisë, ky institucion ka organizuar 500 ekspozita në vend dhe jashtë, të cilat janë përcjellur me shumë botime, dhe blerjen e afro 1000 punimeve artistike nga të cilat është formuar një fond i pasur i Galerisë.
Vetëm pas luftës së fundit janë organizuar rreth 250 ekspozita kolektive e individuale.
Monumenti i heroit kombëtar Zahir Pajaziti
Shtatorja e parë e vendosur në Prishtinë dhe në krejt Kosovën është ajo e komandantit Zahir Pajaziti, e vendosur nga bashkëluftëtarët e tij të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo ndodhet në sheshin me të njëjtin emër, i cili po mbaron së rikonstruktuari.
Monumenti i Skënderbeut
Ky monument kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeut gjendet në qendrën administrative të qytetit dhe është sjellë nga Shqipëria, në krye të sheshit më të madh të Prishtinës, “Nënë Tereza”.
Universiteti “Hasan Prishtina”, krenari e Kosovës
Një nga krenaritë e Kosovës është Universiteti “Hasan Prishtina” i kryeqytetit, i themeluar më 18 nëntor 1969. Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte ngjarje historike për popullin e Kosovës, si edhe për mbarë kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970, u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe pikërisht kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës. Në përbërje të Universitetit të Prishtinës të posathemeluar ishin këto fakultete me seli në Prishtinë: Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridiko-Ekonomik, Fakulteti Teknik dhe Fakulteti i Mjekësisë.
Aktualisht Universiteti i Prishtinës ka 17 fakultete, nga të cilat 14 janë fakultete akademike, ndërsa 3 janë fakultete të shkencave të aplikuara. Ndërkaq, me hyrjen në fuqi të Statutit të Universitetit, më 9 korrik 2004, të drejtat dhe përgjegjësitë e studentëve dhe të personelit të Fakultetit të Mësuesisë dhe të shkollave të larta pedagogjike u bartën në Fakultetin e Edukimit.
23.000 libra të djegur nga serbët
Komuna e Prishtinës ka 17 biblioteka publike. Biblioteka kryesore e qytetit ka përafërsisht 58.475 tituj librash dhe 16 degë: Pallatin e Rinisë, Bibliotekën Përkujtimore të shkrimtarit Hivzi Sylejmani, bibliotekën e "Përrallave", si dhe në lagjet: Llukar, Koliq, Hajvalia, Llaplleselë, Graçanicë, Çagllavicë, Slivovë dhe Viti të Marecit me 108.541 tituj, në total 167.016 tituj.
Gjatë masave të dhunshme serbe të viteve 1990-1999 dhe luftës, "Dora e zezë" dogji bibliotekën në Hade, shkatërroi disa tituj librash në bibliotekën e Obiliqit, dhe dogji bibliotekën në Koliq dhe Viti të Marecit. Numri i librave të djegur është rreth 23.000.
Sporti
Si në krejt Kosovën, edhe në Prishtinë, basketbolli është një ndër sportet më popullore, ku kryeqyteti përfaqësohet nga dy skuadra. Futbolli prishtinas ka një traditë të gjatë sportive me skuadrën që mban emrin e qytetit KF Prishtina. Taekwondoja është gjithashtu sport i zhvilluar në qytetin e Prishtinës, ku dallohen Taekwondo Prishtina dhe Akademia e Arteve Marciale Prishtina.
Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”
Pas luftës së vitit 1999, aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” është vendkalimi kufitar më i frekuentuar në Kosovë. Më 15 qershor 2010, Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI) i dha këtij aeroporti çmimin “Aeroporti më i mirë 2010’ për aeroportet me mbi një milion udhëtarë për vit. ACI vlerësoi rritjen mbresëlënëse prej 300 % në trafikun e pasagjerëve gjatë viteve të fundit, investimin e madh në objekte, rrjetin e zgjeruar në mënyrë të shpejtë, dhe ndërtimin intensiv të kapaciteteve dhe trajnimin e personelit të aeroportit.

 

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

14849

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.