South Outdoor Festival 2019 e gjithë Shqipëria turistike në katër ditë

South Outdoor Festival 2019 e gjithë Shqipëria turistike në katër ditë

Written by Flora Xhemani Baba on Friday, 03 May 2019. Posted in Blog

Borshi mirëpriti edicionin e tretë të festivalit të kthyer në traditë

South Outdoor Festival 2019 e gjithë Shqipëria turistike në katër ditë

Trekking, hiking, mountain bike, scuba diving, “jeep safari”, kayak, stand up paddle, paragliding, fluturim me ballon, “Trike Flying”, joga, tenis, pingpong, lojra shpejtësie e zgjuarsie për fëmijë, fitness në natyrë, ushqim fshatçe, panaire me produkte lokale, muzikë pa hesap, live kuptohet, forum… dhe një fushë e madhe e gjelbër, si nëpër përrallat me mrize …. Të gjitha në Borsh nën një emërues të përbashkët; South Outdoor Festival 2019.

Ishte ky edicioni i tretë i këtij festifali që sivjet mund ta themi me plot gojën “pushtoi” Jugun, e jo dhe jo vetëm Jugun por të gjitha rrjetet sociale për katër ditë e në të tjerat në vazhdim. Dhjetëmijë pjesëmarrës në katër ditë sipas organizatorëve, patën mundësi të shijojnë ditët e bukura me diell të Jugut, megjithëse kryeqyteti po kalonte një pranverë të lagësht, duke u bërë pjesë e të paktën njërit prej tureve të ofruara në festival ose thjesht duke shijuar atmosferën e këndshme të sheshit të madh mes ullinjve, që falë zemërgjerësisë së Borshit, kishte vend për të gjithë. Mëngjese të freskëta e mbushur me lojra apo pasdite të mbushura me miq, aktivitete dhe muzikë, ishin prologu dhe epilogu i një dite të mbushur me hiking, joga, stand up paddle, paragliding, trike flying, balloon flying, apo edhe thjesht shëtitje apo ekskursione që u shtrinë që nga Borshi lart në kala, e deri në Porto Palermo. Më të “çmendurit” iu bashkuan makinave 4 x 4 për të përshkuar rrugët e pashkelura të Kuçit e Çorrajt por edhe eksplorimeve të lira. Dikush thjesht shijoi disa ditë plazh dhe ndonjë drekë nëpër hotelet dhe restorantet që kishin hapur dyert më herët sivjet për shkak të festivalit.
Larmia dhe shumëllojshmëria e aktiviteteve të South Outdoor Festival në këto katër ditë, mund të quhet pa frikë një Shqipëri turistike në miniaturë, për shkak se ofroi pothuajse gjithçka që Shqipëria ofron; kulturë, trashëgimi, natyrë, aventurë, kulinari, klimë, mikpritje, aktivitet, ture, paketa, muzikë popullore, atmosferë tradicionale, ushqime të shëndetshme, receta të zonës, produkte për suvenire dhe shumë elemetë të tjerë, që një turist do t`i vlerësonte me siguri si një “full package” i një udhëtimi në Shqipëri.
Kthimi në traditë i këtij festivali tashmë është i siguruar dhe nuk e teprojmë po të themi se në një të nesërme jo të largët, lëvizja ekonomike e këtij aktiviteti në zonën ku zhvillohet, pra në një segment jo të vogël të Rivierës Shqiptare, mund të krahasohet fare mire me efektet që ka Festa e Birrës në Korçë, ku prania e pothuajse njëqindmijë turistëve në 4-5 ditë, i plotëson qytetit një pjesë të mirë të buxhetit të gushtit, duke kënaqur çdo biznes në fushën e turizmit dhe kulinarisë. Në fakt po të kihet parasysh modeli i festave nëpër botë, si për shembull Festa e Birrës në Gjermani që zgjat një javë, Karnavalet e Rios në Brazil apo edhe ngjarje të tjera të kësaj natyre, ajo mund të shndërrohet në magnet për të tërhequr turistët në masë dhe sezoni turistik i Rivierës mund fillojë më shpejt e pa ndërprerje. Do të duhej ndoshta që festivali të shtyhej pak më tej, në ditët e mesit të majit, me qëllim që edhe ato biznese që hezitojnë të ndërmarrin punën e madhe të rihapjes së aktivitetit të tyre me frikën e shpenzimeve të pakthyera mbrapsht, të mos ngurrojnë të pregatiten pak më herët për pritjen e turistëve.
Forumi i gazetarëve dhe tur operatorëve ku ishin të ftuar mininstrat e Bujqësisë dhe Kulturës u përqendrua kryesisht mbi fokusin e projektit të “100 Fshatrave”, për të zgjuar interesin dhe vëmendjen e përgjithshme mbi rigjallërimin e jetës rurale të zonave me potencial turistik të përfshira në këtë projekt.
Borshi ishte vendi mikpritës i festivalit të sivjetëm. Si një destinacion turistik me potencial të fortë, me plazhin më të gjatë të Rivierës, me një qendër historike që përbëhet nga fshati me kalldrëme e rrugë të vjetra dhe kalaja, me një pasuri kulinare, që nga ullinjtë dhe agrumet, e deri tek kuzhina e detit, që e ofrojnë bollshëm strukturat pritëse në plazh, ndonëse nuk është përfshirë në projektin e 100 fshatrave dhe ende nuk ndjek plazhet e tjera të jugut që u pajisën me shëtitore turistike, ai është plazhi me numrin më të madh të pushuesve, që shkon nga shtatë, deri në dhjetëmijë pushues në ditë, në pikun e sezonit veror.
“South Outdoor” është një nismë e GIZ, përmes programit “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Zonave Rurale”, financuar nga qeveria gjermane. 
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

16003

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.