Pogradeci – më i bukuri i vjeshtës

Pogradeci – më i bukuri i vjeshtës

on Saturday, 17 November 2012. Posted in Around

Ku mund të shijoni vjeshtë të bukur nëpër Shqipëri....

Pogradeci – më i bukuri i vjeshtës

 

Ai është i bukur në çdo stinë, e jo më kot ka frymëzuar poetët më të mëdhenj lirikë të Shqipërisë të krijojnë kryeveprat e letërsisë shqiptare. Epitetet e shumta që ka tërhequr mbi vete në stinë e në dekada, e kanë bërë Pogradecin të jetë një qytet i dëshirueshëm për të gjitha moshat. Është mbiquajtur “qyeti I luleve”, “qyteti i poezisë”, për ngarkesën e madhe të kënaqësisë shpirtërore që fal tek çdo vizitor, kurdo që ai ta vizitojë atë. Ne tani do ta mbiquajmë edhe “qyteti i vjeshtës”, për shkak të votimeve të shumta që mori në sondazhin e revistës Travel, se cili ishte qyteti me vjeshtën më të bukur në Shqipëri. E në fakt, peisazhet që fal Pogradeci në vjeshtë janë të pakrahasueshme, me një bukuri mahnitëse dhe elemetë që të bëjnë të marrësh frymë thellë, ose që të lenë pa frymë. Në të gjitha zonat turistike që rrethojnë Pogradecin, duke filluar që nga hyrja e segmentit buzë liqenit, përgjatë Pojskës (që nuk e ndan dot nga qyteti për shkak të vazhdimësisë së saj), e deri në Tushemisht (që mbetet bashkë me qytetin për të njëjtën arsye, se ndodhen në një vijë të pandërprerë bregliqenore), duke përfshirë në mes shëtitoren buzë liqenit, e sidomos Drilonin e mrekullueshëm, natyra luan me kapriço të theksuara lojra ngjyrash pafund. Në peisazh sundon një ngjyrë ndryshku, që kalon lehtësisht tek e verdha apo tek e kuqja e thellë, duke shkaktuar fenomene në pikturë, të cilat piktorët i kanë bërë tashmë emblema të punëve të tyre, e që i identifikojnë ata si artistë. Peisazhet e Drilonit janë të pangatërrueshme me asnjë pjesë tjetër të natyrës së Shqipërisë, duke e bërë unike pamjen e mjelmave që shëtisin të shkujdesura në ujin e burimit, të përkëdheluara me vëmendje nga fëmijët dhe vizitorët e shumtë.

 Të vizitosh Pogradecin në vjeshtë do të thotë të bëhesh artist, t’i japësh vetes kënaqsinë e papërshkrueshme të shijimit të thellë të natyrës, e cila në këtë qytet nuk mjaftohet vetëm me kënaqjen e syrit tuaj. Patjetër që nuk mund të largoheni nga Pogradeci pa provuar koranin e gatuar në njëmijë mënyra, nga  restorantet e shumtë, shoqëruar me verën e famshme të buteve, që zona e Pogradecit e ka të sajën. Edhe kulti i verës ka ditën e tij të veçantë, diku në mes të dimrit, në dhjetor me një festë tradicionale në sheshin e qytetit, ku ju mund të shijoni edhe një pamje tjetër të qytetit liqenor, atë të bardhësisë së dëborës.

Vjeshta mbi liqen e mbi Drilon, ju jep një tjetër kënaqësi, atë të oxhakur të ndezur, mbi të cilin po të doni mund të piqni gështenja e të pini një gotë verë. Eshtë e panevojshme t’ju përshkruajmë kënaqësinë që do të provoni në këtë rast. Nëse do të kërkonit mendimin tonë, shijen e mrekullueshme të vjeshtës së Pogradecit, do ta provonit më mirë se kudo tjetër tek Neli Resort, buzë Linit, tek Rrushi, përgjatë rrugës për Pogradec, dhe tek Mjelma, në Drilon, tri vende ku kuzhina e rrallë bashkohet me mikpritjen fjalëëmbël pogradecare dhe verërat e mrekullueshme. Në të tria këto vende do të mund të shijoni nga një peisazh të ndryshëm të Pogradecit, qytetit shqiptar më të bukur të vjeshtës.

Por nëse ju mund të kaloni në Pogradec në çfarëdo stine tjetër, dhe nuk keni mundësi ta shijoni qytetin në vjeshtë, atëhere duhet patjetër të bëni një vizitë në studion e fotografit të njohur Ardi Fezollari, i cili e ka përjetësuar qytetin e tij të lindjes në mijëra foto të mahnitshme, njëra më e bukur se tjetra, duke fituar me to edhe çmime kombëtare e ndërkombëtare. Vjeshta me sytë e Adit, është një dhuratë që nuk mund t’ia mohoni vetes, sidomos për një qytet si Pogradeci…

Edhe Tirana është një qytet që ia vlen ta vizitosh, madje ia vlen ta jetosh në vjeshtë. Ndoshta magjia e dikurshme ka qenë edhe më mbresëlënëse, sidomos përgjatë Lanës, në rrugët “Myslym Shyri”, “Ismail Qemali” (rruga nga Kryeministria, deri tek Liceu Artistik) dhe në zonën e ish-Bllokut. Por tani, me mbjelljen e pemëve në pothuajse të gjitha rrugët kryesore në Tiranë, vjeshta ndihet sërish në kryeqytet, duke shtruar rrugët me gjethe të verdha e të kuqërreme. Është për ardhur keq që trafiku i rënduar i makinave në të gjitha orët e ditës dhe të mbrëmjes nuk lejon shijimin  e plotë të shëtitjeve të gjata në këmbë, ose të xhirove ekologjike më biçikletat Ecovolis, sepse bukuria e vjeshtës do të ishte edhe më e natyrshme. Por gjithsesi në zonat e caktuara të kryeqytetit, tek Parku Rinia, në parkun e vogël pranë Presidencës, e sidomos në parkune madh të Liqenit Artidicial, vjeshta është vërtet e bukur. Pa diskutim që shijuesit e saj më të mëdhenj janë shëtitësit e pasdites, të ngeshëm e më një qese kokoshkash në dorë, çdokush ndjek me kënaqësi rënien e ngadaltë të gjetheve, apo përcjell me sy vrapuesit e shumtë. Ylberi i ngjyrave të vjeshtës në parkun e Liqenit Artificial, e vendos edhe Tiranën në listën e qyteteve më vjeshtën më të bukur.

Edhe në Korçë është vështirë të mos flasësh për vjeshtën. Ndoshta ngaqë edhe Korça, duke qenë qyteti i serenatave dhe i dashurisë, nuk mund të mos ketë një vjeshtë të bukur.  Rugët e saj kryesore, mbushen nga gjethet e verdhatë blireve dhe gjethet shumëformëshe të rrepeve, të cilat I shkojnë për bukuri peisazhit të kuqërremtë të qytetit, që e ka ruajtur shumë mirë arkitekturën autentike, me çatitë e shumta të kuqe. Por edhe në parkun e madh të qytetit, vjeshta ulet këmbëkryq e të bën ta shijosh në maksimum. Imagjinoni pastaj nëse pasditeve dikush mund të ulet në një një nga stolat e parkut me kitarë në dorë e në sfond të kishtë ngjyrat e vjeshtës, nuk do të kishte peisazh më të bukur, për ta klasifikuar edhe Korçën, si një nga qytetet shqiptare me vjeshtë të bukur. Pavarësisht se fshatrat e shumtë të Korçës, si Voskopoja, Dardha, Vithkuqi, Liqenasi, Mborja, Drenova, e pothuajse të gjitha fshatrat e saj, falin një vjeshtë të mrekullueshmë që e sfidon shumë herë atë të qytetit, Korça mbetet një qytet me vjeshtë për t’u shijuar e kjo është edhe arsyeja se pse e keni votuar.

Berati është i famshëm për vlerat e tij kulturore, arkitektonike, historike e për shumë pasuri natyrore, të cilat kanë lënë pa fjalë të huajt e kanë bërë krenarë në shekuj beratasit. Por Berati është edhe një qytet i bukur në vjeshtë, sidomos në zonën e tij historike. Janë thuajse emblematike pamjet e Urës së Goricës në vjeshtë, me rrepet shekullorë që  në vjeshtë fillojnë e kërkojë leje për t’u çlodhur në dimrin e gjatë, e që fillojnë të skuqin e rrëzojnë gjethet e bukura. Një pemë aq krenare sa rrapi, nuk mund të mos e zbukurojë peisazhin e një qyteti, i cili është i bukur edhe për shumë arsye të tjera. Pasi ju kaloni hyrjen e qytetit dhe futeni në zonën historike, në të djathtë të rrugës, mbi lumin Osum, peisazhi është një tundim i vërtetë, që të “detyron” të ndalesh e të bësh foto, madje, pa drojtje t’ia japësh edhe dikujt aparatin për të fiksuar edhe veten mbi atë peisazh, nëse je vetëm. Deri më sot të rrallë janë ata që i kanë shpëtuar këtij tundimi.  Por nëse i kanë shpëtuar tundimit për ta fotografuar, nuk besojmë se do të ishin kundër mendimit të votuesve të revistës se edhe Berati është një qytet me vjeshtë të bukur…

Shkodra është e famshme për zonat e saj malore, ku vjeshta bën mrekullira. E si mund të mos përmendim Thethin, i cili tashmë është bërë i famshëm në botë, e që jo vetëm me njerëzit, por edhe me vjeshtën e tij të bën ta dashurosh. Mirëpo Shkodra është një qytet në breg të liqenit e, është edhe ajo në vjeshtë jo pak e bukur. Të kundrosh liqenin dhe peisazhin nga Kalaja e Rozafës, apo edhe nga kodrat e Zusit, ku mund të përfshish nën vështrim kalanë, është një kënaqësi e vërtetë. Të gjitha shkurret e shtratit të liqenit luajnë me ngjyrat e vjeshtës dhe aty sigurisht përqendrohet edhe vëmendja më e madhe e shkodranëve apo edhe vizitorëve në këtë stinë. Por edhe bulevardi në Piacë, apo kohët e fundit rrugët kryesore të qytetit, janë populluar dendur me pemë të reja, që kanë filluar të dhurojnë ndrojtshëm spektaklet e tyre të para, të cilat patjetër që do t’i zgjerojnë më kalimin e shekujve. Po flasm për blirët, rrepet e gështenjat e egra, që në sintoni të plotë me pemët e tjera dekorative u falin shkodranëve dhe jo vetëm, pamjet më të bukura të qytetit të tyre të dashur.. Travel

2.5/5 rating (2 votes)

Hits

23287

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.