Kishat nuk ruhen me sistem alarmi, duhen policë

on Monday, 04 March 2013. Posted in Lajme

Flet Gentian Stratobërdha, drejtor i trashëgimisë kulturore pranë Kishës Autoqefale

Kishat nuk ruhen me sistem alarmi, duhen policë

Gentian Stratobërdha, drejtor për Trashëgiminë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, thekson në një intervistë për “DW” se monumentet, që kanë vlera, duhet të ruhen 24 orë, dhe jo e sistem alarmi, sado të sofisikuar, por me roje fizike, mundësisht policë me shërbim 24 orësh.

Zoti Stratobërdha një sërë grabitjesh kanë ndodhur kohët e fundit në kishat ortodokse, të cilat mbrohen si trashëgimi kulturore nga shteti. Së fundi në janar u dëmtuan afresket e Onufrit dhe para një jave u grabit Kisha e Gjithë Shenjtorëve në Himarë. Përse gjithë këto vjedhje? Ku përfundojnë ikonat e ikonostaset e shumtë, që merren nga këto kisha?
Ekziston, një treg i zi, i fshehtë, me klientë, me njerëz, të cilët merren me këtë punë në mënyrë jo të rregullt, të jashtëligjshme. Me siguri, duke parë situatën, gjithë këto vepra përfundojnë në koleksionistë, të çmendur, të dedikuar ndaj këtyre veprave, që me çdo kusht duhet t’i kenë në koleksionin e tyre. Një pjesë e mirë e koleksionistëve dikur më mbrapa mund t’i kenë edhe të ekspozuara dhe ka ndodhur edhe në Shqipëri që ka pasur ekspozita nga koleksionistë privatë me ikona dhe me elementë të trashëgimisë sonë kulturore, të cilave nuk u dihet adresa, nuk u dihet burimi nga kanë ardhur, si kanë ardhur, pse u gjendën te ky koleksionist. Normalisht nuk mund t‘i fajësojmë koleksionistët, sepse ata marrin diçka dorë pas dore. Regjistrimi i pasurive, që qarkullojnë në duar të koleksionistëve, duhet të bëhet në mënyrë të rregullt dhe ligjore, duke pasur parasysh origjinën nga ka ardhur, si ka ardhur deri këtu, atëherë të regjistrohet dhe të quhet e rregullt, jo të regjistrohet direkt pa marrë asnjë informacion, sepse i bie të legalizojmë sende të vjedhura nga monumente të trashëgimisë sonë kulturore dhe t‘i legalizojmë ato në duart e koleksionistëve, mjafton që ata të vijnë, të nxjerrin një pasaportë dhe kaq. Besoj se tregu ekziston, ndërsa tolerancat janë të mëdha dhe kërkesat janë të mëdha dhe do të kemi në vazhdimësi, siç ka ndodhur gjithë këto vite, ikonostase, ikona të ndryshme, elementë kishtarë, pjesë të gdhendura të interiereve të kishave, që kanë qenë, por nuk janë më.
Si mund të ndalohet ky fenomen. A ka ndodhur që dikush është ndaluar nga policia duke vjedhur, apo trafikuar. A ka pasur dënime të këtyre krimeve?
Ka pasur një plogështi të organeve të rendit dhe indiferencë në mënyrë shumë të theksuar. Duhet ditur që në Kishën e Valshit dëmtimi i Onufrit ndodhi dy herë, një herë është vjedhur para vitit të ri dhe një herë më 4 janar. Pas denoncimit të parë policia nuk ndërmori kurrfarë veprimi. Atëherë keqbërësit erdhën edhe një herë brenda një jave. Kjo do të thotë shumë. Nëse brenda një jave vidhet një vepër e tillë unikale, e vetmja, që konsiderohet e pastër dhe e njohur nga dora e Onufrit, atëherë kemi të bëjmë me një sistem jofunksional, të pavlefshëm të ruajtjes së këtyre vlerave. Shteti ligjërisht duhet t’i mbrojë. Ligji është akoma në fuqi, që duhet t’i mbrojë. Nuk ka një sistem mbrojtjeje, policia nuk angazhohet. Vjedhësit nuk janë kapur, kështu që të bën të mendosh, se në momente të caktuara segmente të caktuara të kenë bashkëpunim. Duke e parë këtë moment të indiferentizmit të madh dhe jo rezultate në kapjen, ose ndalimin e këtij fenomeni, të bën që të mendosh se segmente të caktuara të policisë ose të organeve, që janë përgjegjëse për ruajtjen e monumenteve, mund të jenë bashkëpunëtorë me këta njerëz të krimit artistik, ose të krimit ndaj artit të trashëgimisë sonë kulturore. Sepse ne nuk kemi raste, që janë kapur, janë dënuar, janë gjetur, i janë rikthyer monumentit, apo i janë rikthyer zyrtarisht shtetit përsëri. Janë gjëra, që ngelin gjithmonë tentativë.
A ka të bëjë mosvënia nën mbrojtje të vazhdueshme e objekteve të trashëgimisë me mungesën e fondeve të mjaftueshme?
Ato nuk ruhen, nga që nuk i kushtohet vëmendja e duhur. Nuk bëhet fjalë të thuhet trashë, ne nuk kishim lekë, prandaj nuk i ruajtëm. Nuk ka një sistem. Nuk themi se nuk funksionon sistemi, sepse nuk u paguan mirë rojet. Roje nuk ka aspak që nga vitet 2005 2006, kur u hoqën kujdestarët e fundit. Ishin ca kujdestarë, që nuk është se ishin për të ruajtur me armë në dorë monumentet, por të paktën i shikonin një herë në ditë. Në momentin, që këto u hoqën në vitet 2005 – 2006 monumentet mbetën automatikisht pa mbrojtje. Atëherë ata kishin së paku një mbrojtje vizuale, një këqyrje të thjeshtë të një personi, që shkonte një herë në ditë atje. Them se populli shqiptar nuk i meriton këto monumente, përderisa nuk e vret ndërgjegjja, që duhet t’i ruajë dhe duhet t’i ketë dhe do t’i trashëgojë, siç erdhën deri sot, dhe për brezat, që do të vijnë. Kështu meqë nuk i dhimbsen, nuk ndodh as ruajtja, atëherë ne nuk do t’i kemi më. Nuk është çështje lekësh, por neglizhencë, është një sistem i tërë, që nuk ekziston, pavarësisht se ligji ekziston. Ligji i trashëgimisë kulturore thotë qartë. Këto janë monumentet e shpallura nga shteti dhe të mbrojtura nga shteti.
 
Mendoni se kjo pjesë e trashëgimisë kulturore, është e rrezikuar?
Ne humbasim identitetin. Nuk e di, kujt i intereson, që objektet e kultit ortodoks të lihen në mëshirë të fatit dhe të dëmtohen. Ndërsa dikujt nuk i bën përshtypje, sepse ndoshta nuk i ndjen, ose i ndjen shumë larg këto objekte kulti të besimit ortodoks. Por unë mendoj, se nuk duhet parë në këndvështrimin, se këto i përkasin një besimi dhe unë jam i një besimi tjetër dhe nuk më interesojnë, edhe nëse prishen. Ato janë trashëgimi e kombit shqiptar, e popullit shqiptar dhe nëse nuk do të ekzistojnë, zhduket një histori shumë e madhe prej gati 1500 vjetësh, në mos edhe më tepër. Kjo mund të lidhet me shumë qëllime, ose me shumë interesa të ndryshme, por edhe ndoshta me atë që shqiptarët dhe qeveritë, që kanë drejtuar në këto vite, e shohin tendencën në përfitimet e shpejta dhe interesat monetare financiare dhe nuk e shohin në përfitimin dhe ngritjen e turizmit kulturor mbi trashëgiminë kulturore, të turizmit të prezantimit të identitetit të popullit shqiptar me anë të këtyre monumenteve. Këto monumente po i humbim dita ditës. Kemi humbur një sasi të madhe të artit të këtyre monumenteve. Përveç vjedhjeve nuk po restaurohen më. Kemi dhjetëra kisha, dhjetëra objekte, që nuk ekzistojnë më. Janë në lista, por nuk ekzistojnë fizikisht. Kjo po humb dhe pas ca vjetësh ndoshta nuk do të kemi më të tilla, siç nuk kemi më ikonostase në fushën e Myzeqesë. Atje janë vjedhur të paktën mbi 13, 14 kisha dhe në to nuk ekzistojnë më ikonostase, nuk ekziston më asnjë element i brendshëm i interierit kishtar, kështu që në një të ardhme shumë të afërt ne nuk do të kemi më asgjë, nuk do të kemi çfarë t’u tregojmë të tjerëve dhe as me çfarë të krenohemi. Ky destinacion duket se është i qartë. Do na ngelen vetëm fortifikimet militare, vetëm kalatë, kështjellat, që edhe ata po rrënohen, se nuk kemi mundësi t’i mbajmë. Kështu që trashëgimia kulturore është në një pikëpyetje shumë të madhe dhe e ardhmja e saj vihet në dyshim.
 
Instituti i Monumenteve të Kulturës po punon për vendosjen e kamerave dhe sistemeve të alarmit në kisha të përzgjedhura. Sa mund ta zgjidhin problemin këto masa?
Kjo gjë nuk zgjidhet me kamera, sepse thashë kishat janë kryesisht në zona të vështira dhe në momentin, që janë në zona të vështira, sado që kamera të identifikojë, keqbërësit mund të vijnë edhe me maska, kështu që ti mund të shohësh vetëm ca maska, që lëvizin, që dëmtojnë dhe ti nuk i identifikon dot. Policia do dy orë të vijë në një monument. Kështu që në ato dy orë ata mund të largohen dhe të mos kenë asnjë problem. Ruajtja e monumenteve bëhet nga njerëz me armë, në ato monumente, që kanë vlera dhe që mund të jenë si target për dëmtimin, ose vjedhjen. Nuk është nevoja të ruash kalatë, se nuk ka kush të vjedhë gurët, se nuk i intereson. Por duhet bërë një listë e mirë e monumenteve, që kanë vlera dhe që ia vlen të ruhen dhe duhet të ruhen 24 orë. Shteti shqiptar për ruajtjen e këtyre monumenteve duhet të ketë një sistem të një ruajtjeje fizike me armë, me roje, me polici private, me kontrata të caktuara, të detajuara për veprimet dhe mosveprimet dhe njëkohësisht për ndëshkimet, nëse ndodhin gjëra të tilla. Sistemi me kamera nuk funksionin në kisha, që janë në zona të vështira, nuk ka elektricitet, dritat ndërpriten, kamerat mund të dëmtohen, mund të këputen, mund të vidhen, është një gjë false, që nuk funksionon.dw

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

12999

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.