Ajo ishte një anije e mbushur me sheqer por më shumë se me çdo gjë tjetër, u mbush me njerëz, pikërisht njëzet vjet më parë, dhe u nis nga brigjet e Shqipërisë, drejt Italisë, drejt ëndrrës, drejt Tokës së Premtuar, atje ku askush nuk e dinte se çfarë do t’i priste, por që të gjithë e shpresonin si parajsën e munguar.
Njëzet vjet më pas, regjizori Italian Daniele Vicari, skenaristët Ilir Butka e Genc Përmeti, u mblodhën bashkë, rrëmuan në arkivat e kohës, thirrën për bashkëpunim disa prej njëzetmijë të ikurve të dikurshëm, një pjesë e të cilëve sot janë persona të njohur e të suksesshëm këndej e andej vendit, dhe realizuan dokumentarin “La Nave Dolce”, nisur prej ngarkesës së saj por edhe prej ëndrrave që përkundën para dy dekadash shumë prej atyre që kacavirreshin dikur direkëve e litarëve të saj. Një film i arrirë, që më shumë se një dokumentar i ngjan realizimit të një filmi të vërtetë, një vepër dinjitoze, që tërhoqi gjithë vëmendjen e kritikës në festivalin e Venecias dhe ndonëse nuk ishte pjesëmarrës, u vlerësua me çmimin e kritikës. Në këtë multiintervistë, nuk kemi dashur të sjellim triumfatorët apo realizuesit por pikërisht ikanakët e dikurshëm, për të kuptuar pakëz nga emocionet dhe përjetimet e tyre të dy dekadave më parë.