SHQIPËRIA MIRËPRET  “TERRA MADRE BALKANS 2016” - Fermerët në krye

SHQIPËRIA MIRËPRET “TERRA MADRE BALKANS 2016” - Fermerët në krye

on Thursday, 02 June 2016. Posted in Tradita

Prodhuesit e vegjël artizanë të ushqimit në zemër të axhendës politike

SHQIPËRIA MIRËPRET  “TERRA MADRE BALKANS 2016” - Fermerët në krye
Viti 2016 do të jetë një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, e cila do të mirëpresë 12 vende të Ballkanit, Turqisë dhe Italisë me një pjesëmarrje prej 350 delegatësh dhe mijëra vizitorësh. Ky do të jetë edicioni i katërt i Terra Madre Balkans, një event i një rëndësie të veçantë që do të mbledhë së bashku fermerët dhe prodhuesit e vegjël të këtyre vendeve, të cilët do të jenë të pranishëm me prodhimet e tyre unike, duke na njohur me dijet e tyre tradicionale dhe me thesaret e tyre gastronomike. Në Ballkan gjendet shumica e fermerëve të të gjithë Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, tema e këtij edicioni të 4t “Fermerët në krye” është zgjedhur për të theksuar rëndësinë e vendosjes së prodhuesve të vegjël të ushqimit në qendër të axhendës së politikave për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit. Terra Madre Balkans është rrjeti i parë i këtij lloji, i cili bashkon komunitete ushqimi nga vende të ndryshme të të njëjtit rajon dhe është mundësia më e mirë për të paraqitur mbi 280 produkte të Ballkanit, të listuara në katalogun e Arkës së Shijes, i cili përmban produkte cilësore të prodhuara në nivel familjar, të lidhura me kulturën, historinë dhe traditat e planetit, por që rrezikojnë të zhduken. Ky event ofron një sërë konferencash, seminaresh, pikëtakimesh mes fermerësh, prodhuesish dhe konsumatorësh, debate të ndryshme, ekspozita dhe tregje me produkte vendore, takime dhe programe edukuese për fëmijët e shkollave dhe jo vetëm... është një event për të mos u humbur.
FERMERËT NË KRYE
Kjo do të jetë motoja e këtij edicioni të 4t të Terra Madre Balkans me në fokus bujqësinë multifunksionale, që synon diversifikimin e aktiviteteve ekonomike të familjeve për të siguruar stabilitetin social-ekonomik të tyre. VIS Albania, partner për Shqipërinë i projektit ESSEDRA, do të jetë në kostumin e organizatorit të Terra Madre Balkans 2016 së bashku me Slow Food dhe në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Bashkinë Tiranë dhe Agjencinë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim, dhe në bashkëpunim të ngushtë edhe me aktorë të tjerë, të cilët veprojnë në këtë fushë dhe bashkëndajnë të njëjtin mendim se ruajtja e trashëgimisë ushqimore kërkon një përpjekje urgjente dhe të përbashkët që nuk njeh kufij kombëtarë. Slow Food e promovon projektin ESSEDRA me qëllimin për të mbështetur procesin e integrimit të Ballkanit dhe Turqisë në Evropë duke forcuar shoqërinë civile, aftësinë e saj për të ndikuar në politika dhe për të promovuar modele të qëndrueshme të zhvillimit rural. Shqipëria u zgjodh për këtë edicion të katërt të Terra Madre Balkans, pas tre edicioneve të para në Sofje (2010, 2012) dhe Dubrovnik (2014), duke qenë se rrjeti i saj i Slow Food është duke u rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe me hapa të shpejtë. Vendi ka 22 produkte të regjistruara në Arkën e Shijes së Slow Food – katalogu i produkteve ushqimore në rrezik zhdukjeje, 2 Presidio Slow Food (Glikonë në Përmet, dhe djathin Mishavinë, i prodhuar nga barinjtë e Kelmendit, në Alpet Shqiptare), 5 Konviviume Slow Food, dhe qindra mbështetës. Gjithashtu, Aleanca Slow Food e Kuzhinierëve u krijua në Shqipëri në maj 2015.
 
Eventi do të përmbajë një sërë konferencash, seminaresh dhe debatesh që fokusohen në bujqësinë multifunksionale, të drejtat ligjore të prodhuesve të vegjël, drejtësinë sociale, turizmin rural, tregtimin e produkteve artizanale, duke marrë në konsideratë standardet e integrimit të BE-së. Një nga sfidat me të cilat përballet Shqipëria është zhvillimi rural dhe objektivi i qeverisë shqiptare është të zhvillojë por gjithashtu të ruajë, t’u japë fermerëve një mundësi për të qëndruar në tokën e tyre dhe për të prodhuar atë që është e përshtatshme për burimet e tyre vendore. Në shesh do të ketë një treg të hapur ku prodhuesit do të kenë në dispozicion stendat për ekspozimin dhe shitjen e produkteve të tyre, do të ketë një kuzhinë të hapur, e cila do të përgatisë gatesa tradicionale me produkte të stinës. Shefat e kuzhinës pjesë të Aleancës Slow Food të Kuzhinierëve në Shqipëri dhe shefa kuzhine nga vendet e Ballkanit do të paraqesin receta të ndryshme tipike të vendeve të tyre gjatë sesioneve të drejtpërdrejta të show-cooking.
Qasja drejt bujqësisë multifunksionale
Në situatën shqiptare, e cila ka sipërfaqe tepër të vogla, fermerët dhe prodhuesit e vegjël kanë mundësi të pakta të ardhurash. Orientimi i duhur në situata të këtilla, shqiptare por edhe ballkanike, është qasja drejt bujqësisë multifunksionale, e cila përveçse të kryejë funksionin e saj parësor, pra prodhimin e të mirave ushqimore, është në gjendje të ofrojë edhe një sërë shërbimesh që kanë të bëjnë me peisazhin, mbrojtjen e mjedisit dhe të territorit, ruajtjen e biodiversitetit, menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve, kontribuon në zhvillimin rural të territorit dhe garanton sigurinë ushqimore. Kjo mundëson edhe zhvillimin e një turizmi të veçantë që synon jo vetëm vlerësimin e territorit por edhe rizbulimin e dijeve dhe traditave të lashta gastronomike. Multifunksionaliteti në bujqësi është një aks strategjik i politikave të zhvillimit rural dhe vlerësimit të territorit.
 
Në mbështetje të prodhuesve të vegjël
Tradita gastronomike është një komponent i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por edhe ajo kulturore, sociologjike dhe historike. Të investuarit për traditën, duke ruajtur thesaret e vogla vendore, mund t’i japë vlerën e shtuar Shqipërisë në përcaktimin e rolit të saj brenda Bashkimit Evropian. Për këtë synohet t’u jepet mbështetje prodhuesve vendorë në rrugën e tyre të përshtatjes me standardet evropiane, duke promovuar një model të prodhimit bujqësor që kontribuon në zhvillimin social dhe ekonomik të zonave rurale, që respekton mjedisin, vlerëson burimet vendore dhe produktet tradicionale. Legjislacioni evropian për prodhimin ushqimor duhet zbatuar edhe nga prodhuesit e vegjël vendorë, por falë ndihmës së institucioneve evropiane, të autoriteteve vendore dhe shoqatave bëhet më i lehtë zbatimi i rregullave. Në përfundim të procedurave për përshtatjen e legjislacionit shqiptar me legjislacionin evropian, do të arrihet të krijohet “Regjistrimi”, një procedurë e thjeshtë që do t’u lejojë prodhuesve shitjen e produkteve të tyre, nëse ato janë në përputhje me standardet e higjenës dhe të sigurisë ushqimore. Fleksibiliteti i legjislacionit evropian nuk është vetëm një formalitet. Shtetet Anëtare kanë hapësirë të gjerë veprimi për të përcaktuar mënyrat e ruajtjes së prodhimit tradicional. Shembujt e përshtatjes janë të shumtë. Industria e bulmetit është një industri që ndeshet me një numër ta madh kërkesash për përshtatje, sepse tradicionalisht është e zakonshme të përdoret qumësht i papasterizuar dhe kjo kërkon një rregullore të veçantë. Shtete të ndryshme evropiane e kanë përshtatur legjislacionin për të ruajtur prodhimin dhe konsumin e djathërave me qumësht të papasterizuar dhe të prodhuara me metoda tradicionale. Italia, Sllovenia, Portugalia, Irlanda, Danimarka janë vetëm disa nga shembujt. Më i rëndësishmi është ai i Francës, që ka përshtatur legjislacionin në mënyrë që të inkurajojë prodhimin tradicional të produkteve të bulmetit, duke e lehtësuar procedurën për marrjen e lejeve, duke ia deleguar prodhuesve të gjithë përgjegjësinë e sigurisë ushqimore por pa kompromentuar sigurinë ushqimore për konsumatorët. Franca e ka kuptuar se sa i rëndësishëm është inkurajimi i prodhuesve të vegjël dhe se sa e rëndësishme është ruajtja e traditës.
Terra Madre Balkans po afron.... ju mirëpresim të shumtë në këtë event të jashtëzakonshëm ..... Ballkani dhe Turqia këtë vit do të jenë në Shqipëri.... mos e humbisni rastin të njiheni me kulturën e këtyre vendeve, me tradita të lashta e të reja, me fermerë e prodhues që me punën dhe pasionin e tyre kontribuojnë në mbrojtjen e biodiversitetit dhe përpiqen t’u përcjellin brezave të rinj dashurinë dhe krenarinë për tokën e vet......Jeni të gjithë të mirëseardhur!!!
 
 
Dy fjalë rreth Terra Madre Balkans

Terra Madre Balkans është një rrjetëzim i të gjitha komuniteteve të ushqimit dhe projekteve Slow Food në Gadishullin e Ballkanit. Qysh nga viti 2010, ky rrjet ka bërë përpjekje të shumta për të shpëtuar traditat gastronomike dhe biodiversitetin ushqimor të një prej rajoneve më tërheqëse dhe më pak të njohura të Evropës.

Terra Madre Balkans është rrjeti i parë i këtij lloji që bashkon komunitete ushqimi nga vende të ndryshme të të njëjtit rajon. Slow Food dhe Terra Madre krijuan një rrjet me rrënjë të thella në rajon i mbështetur nga mijëra përkrahës, 24 Presidia (produkte të mbrojtura) Slow Food, 100 komunitete ushqimi, 50 shefa kuzhine, 15 programe edukuese mbi ushqyerjen dhe shijimin në shkolla dhe mbi 280 produkte nga Ballkani të listuara në katalogun e Arkës së Shijes së Slow Food.

Rrjeti i Terra Madre Balkans takohet çdo dy vjet, por energjia e tij është më së shumti e përhapur në nisma të vogla në të tërë rajonin: shkëmbime dijesh e njohurish, seminare trajnimi për studentët që janë nga vende të ndryshme, fushata që synojnë mbrojtjen e peisazhit agrar dhe të të drejtave të fermerëve dhe prodhuesve të vegjël, festivale nëpër fshatra që festojnë agro-biodiversitetin vendor dhe kuzhinën më të mirë vendase. E gjithë kjo është Terra Madre Balkans.

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

13874

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.