Articles in Category: City Guide

Kruja – mbretëresha e historisë shqiptare

Written by Flora Xhemani Baba on Wednesday, 13 June 2012. Posted in City Guide

Qyteti që ju bën të ndjeheni në një epokë tjetër

Kruja – mbretëresha e historisë shqiptare

Është e habitshme sesi sa herë që planifikojmë të nisemi për në Krujë (miqtë tanë të bizneseve turistike kanë vazhdimisht nevojë për produkte, për shkak të fluksit të madh të turistëve), bën gjithmonë kohë e bukur. Ndoshta sepse edhe vetë Zoti e natyra, ka dëshirë që ta shijojmë plotësisht qoftë pamjen e mbledhur të Krujës, strukur në gji të Malit të Skënderbeut, nga poshtë rrugës automobilistike, derisa arrijmë në Fushë-Krujë, qoftë atë rrugën e mrekullueshme me pisha që gjarpëron përgjatë malit, derisa hyn në portat e Krujës. Vetëm se, pa shumë iluzione për mrekullira tashmë, qyshkurse gomat e makinave djegin zjarre të zinj për të shuar gëlqere të bardhë, e qyshkurse fabrikat zinxhir të çimentos, pluhurosin rrugët e Krujës, për të shkëlqyer e lëmuar oborret dhe trotuaret e metropoleve të botës. Është mëkat i madh në fakt, masakrimi total i peisazhit të mrekullueshëm, që dikur të rrëmbente, edhe tej, larg, ndërkaq që makina kalonte mbi urën e Tapizës, vazhdoje përgjatë rrugës së Nikëlit - tanimë e mbjellë me dyqane mobiljesh - e derisa kaloje Fushëkrujën e hyje në zonën që i përket Mamurrasit.

Mirëpo kartolina e shqyer e Krujës, nuk paska shumë efekt në “përzënien” e turistëve, ata vazhdojnë ta mësyjnë qytetin me po aq interes sa para masakrës, me sa duket të sugjestionuar prej faktit se aty jetoi Skënderbeu – i vetmi burrë shqiptar që bota e njeh si atlet të Krishtit. E Kruja është magjepsëse edhe për ne, që s’kemi si të mos e dashurojmë për dy arsye; sepse ajo është mbretëresha e historisë shqiptare, e sepse fiset që kanë jetuar në të, na kanë dhënë emrin që ne sot mbajmë në botë. Në këmbët e Krujës jetuan Albanët, emër të cilin e trashëguam nga shekujt e largët e me të cilin na thërret sot bota mbarë. Albanopolisi sot është një grumbull rrënojash me gurë të mëdhenj metroshë e dymetroshë, ca mure rrethuese që i ngjiten kodrës shkallë-shkallë, e tek-tuk ndonjë copëz më shumë, ashtu siç janë edhe shumica e parqeve arkeologjike në Shqipëri, duke ruajtur pak ose aspak prej lavdisë dhe shkëlqimit të dikurshëm. Por gjurma, ekzistuese dhe kryeneçe, është aty, për të na treguar se shqiptarët (apo qofshin Albanët, Pleuratët, Enkeljetë, Adrianët, Labeatët e, Arbrit më vonë), e paskëshin njohur qytetërimin shumë shumë herët, aq mirë sa nuk e njohin ndoshta shumë nga shqiptarët e sotëm.
Gjithsesi, sot jemi për në Krujë, na tërheqin shumë kalldrëmet mesjetare, kullat e kalasë, shtëpitë karakteristike brenda rrethit të kalasë e gjithçka tjetër që mban era histori dhe traditë. 

 

Korça - qyteti i dashurisë dhe serenatave të përjetshme

on Monday, 07 May 2012. Posted in City Guide

Guidë nëpër Parisin e Vogël shqiptar

Korça - qyteti i dashurisë dhe serenatave të përjetshme

E kanë quajtur Qyteti i serenatave, Qyteti i dashurisë, Qyteti i Artit, Qyteti i birrës, Vendi i kërnackave, Parisi i Vogël, e po të kërkosh, gjen plot epitete të tjera që cilësojnë vlerat e saj por edhe karakteristikat se përse duhet vizituar një qytet si Korça. E hapur qysh herët me botën, drejt perëndimit (shumë korçarë emigruan herët ne Amerikë, por edhe shumë atdhetarë e intelektualë më herët, në Turiqi e Ballkan), Korça është një qytet i qeshur e plot jetë, që të fton në çdo stinë të vizitosh rrugët e saj karakteristike, të mësosh për kulturën dhe historinë e saj, të kuptosh pse shumë atdhetarë që sot mbushin faqet e historisë së kombit, ishin pikërisht nga Korça. Por edhe për të pirrë një birrë me “kërnacka”, do të ndjesh po aq kënaqësi e mikpritje, sepse kudo që të shkosh nëpër qytet e në të gjitha fshatrat e tij, gjëja e parë me të ciëln do të takohesh, është pikërisht mikpritja e korçarëve...

Vlora, qyteti i dy ngjyrave.

Written by Ilirjan Gjika on Thursday, 15 March 2012. Posted in City Guide

Atje ku shkrihet kaltërsia e detit me gjelbërimin e përhershëm.

Vlora, qyteti i dy ngjyrave.

Vlora është një nga qytetet më të bukur të Shqipërisë dhe ka me se të krenohet. E quajtur si “Qyteti i flamurit’’, “qyteti me dy dete” apo “porti jugor i Adriatikut’’ ajo konsiderohet si perla e turizmit shqiptar, me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit. Vlora zë një vend të merituar në historinë e Shqipërisë duke gëzuar edhe statusin e qytetit hero.

Qyteti ku u martua Skëndërbeu, ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, arenë e luftërave për liri dhe qëndresës shqiptare, Vlora ka edhe një status tjetër si atelje natyrore e piktorëve, vatër e artistëve dhe urë lidhëse e Shqipërisë me botën.  Të vizitosh Vlorën, do të thotë t’i japësh vetes privilegjin e të shijuarit ndjesinë më të këndshme e më mbresëlënëse  të shijes së mirë, humorit gjithnjë në nivele të larta dhe natyrës së mrekullueshme. Duke zgjedhur Vlorën për pushimet tuaja, natyrisht që do të bëni një zgjedhje inteligjente por duhet të keni parasysh se Vlora është një qytet magjik që ta bën të vështirë kthimin. E ashpër në dukje, me shkrepa e natyrë të sertë mes detit të trazuar, ajo ka njëkohësisht një zemër të butë, njerëz të dlirë si dielli, ushqim të shëndetshëm e karakteristik e mbi të gjitha një lloj sugjestioni të pashpjegueshëm që të bën për vete me përmbajtjen plot shije. Natyra e rrëmbyer e lebërve, është njëkohësisht e nxehtë por edhe mikpritëse, plot dinamizëm e dëshirë për jetën, karakteristika këto me efekte ngjitëse që do t’ju rrëmbejnë edhe juve për të shijuar gjallërisht ditët plot jetë të verës vlonjate. Por mos harroni se Vlora nuk është e bukur vetëm në verë. Përveç atraksioneve të shumta kulturore dhe historike, ju mund të vizitoni në çdo stinë të vitit detin e saj të mrekullueshëm, panoramat e të cilit krijojnë momente të papërsëritshme kënaqësie dhe relaksi.

 

Shkodra, vendi i gjenezës

Written by Irhan Jubica on Monday, 12 March 2012. Posted in City Guide

Ju josh edhe një herë bukuroshja e ujrave...

Shkodra, vendi i gjenezës

Shkodra është ndoshta, palca e kurrizit për Shqipërinë; aq genuin e i pazëvendësueshëm është kontributi i këtij qyteti në botën shqiptare, në historinë antike e moderne, në sport e kulturë, në idealizëm e civilizim. Qysh prej Teutës te Marie Kraja, prej Barletit te Fishta e Migjeni, prej Pjetër Marubit te Serafin Fanko, e prej Oso Kukës te Vojo Kushi e Arben Broci, e prej secilit burrë e grua të atij qyteti e deri te zogjtë e Shkodrës të shpërndarë në katër anët e botës, Shkodra ka përcaktuar gjithmonë drejtimet. Kaq do të ishte mjaft për ta nisë me Shkodrën paraqitjen e qyteteve shqiptare në revistën Travel. Mirëpo Shkodra është një qytet unikal në Shqipëri edhe për pozicionin gjeografik: i shtrirë mes tre lumenjve (Kir, Drin, Bunë) dhe Liqenit të vet, qyteti është gjithashtu vetëm pak kilometra nga deti Adriatik, e po ashtu, pak orë larg nga zemra e Alpeve Shqiptare, Thethi. Me një lartësi mesatare prej 10-12m mbi nivelin e detit, mbi trup të Shkodrës ngrihen kodra të buta e të gjelbëruara, që pastrojnë ia mushkëritë qytetit. Prandaj, i dashur vizitor, kur të nisesh për në Shkodër, do të të duhet kohë, sepse Shkodra s’është dashnore për një natë, por shtojzavallja që t’i merr mendtë e të shplodh në një muaj mjalti.