Spilleja, miresevini aty ku deti flet me gjuhen e zogjve

Written by Flora Xhemani Baba on Monday, 03 September 2012. Posted in Destinacione

E ngrohtë dhe përkëdhelëse…

Spilleja, miresevini aty ku deti flet me gjuhen e zogjve

Të flasësh për detin në të hyrë të gushtit, kur koha është akoma e nxehtë, por vera po mpaket e nuk e ka më joshjen e korrikut, është njësoj si të duash të kapesh pas kujtimeve të bukura, për të provuar sadopak ndjesinë e magjishme që të kanë lënë kur i ke jetuar. Dhe vetvetiu në mendje të vjen nëpër mend ndonjë plazh me rërë të butë e të zgjohet dëshira për të shëtitur buzë tij. Një plazh i tillë “përkedhelës”, është Spilleja, në bregdetin e Kavajës. Për të shkuar në Spille, ju duhet të merrni në të djathtë të superstradës Kavajë-Rrogozhinë, aty ku nën infrastrukturën e rregulluar tashmë, ju orientojnë tabelat rrugore dhe turistike. 

Vija bregdetare e Spillesë, është e gjerë, nga pesëdhjetë, në dyqind metra gjerësi dhe disa kilometra e gjatë. Rëra e plazhit, nuk është thjesht qetësuese, ajo është edhe mjaft kuruese dhe shumë pushues vijnë aty vetëm për të. Deti shtrihet pafund në pjesën jugore, deri në grykëderdhjen e Shkumbinit, ndërsa në veri, ndahet me Plazhin e Gjeneralit. Plazhi ranor përfundon pikërisht në veri, aty ku pastaj vazhdojnë brigjet e përziera të plazheve që vendasit e quajnë Guri i Lëmutë (i lëmuar), Plazhi i Gjeneralit, Gjiri i Forsilukut etj. Megjithëse në verë tashmë Spilleja popullohet shumë, për shkak edhe të rregullimit të rrugës, hapësira është aq e madhe sa ka vend të lirshëm edhe për ata që duan të rrinë mënjanë, e të mos përzihen me njerëzit e shumtë. Ndarja e masivit të pyjeve, me hapësira të vogla boshe, ku përrenj të vegjël çajnë përmes fushës e derdhen në det, krijon mundësinë që të zgjidhni vendin tuaj të preferuar. Në plazh nuk ka zhurma ekstreme, nuk ka disko me altoparlantë shurdhues, ka vetëm përplasje dallgësh dhe zhurma ere që futet mes pishave. Tek-tuk, bare të vegjël, larg njëri-tjetrit mund t’ju ofrojnë në hapësira modeste pije e birrë të ftohtë, ose ndonjë produkt zgare. Luli është ndër të parët që ndërtoi hotelin e tij në Spille. Vitet e gjata në emigrim, puna e tij si ndërtues (bashkë me dy vëllezërit e tjerë Paridin dhe Petritin, kanë ngritur një kompani ndërtimi në Itali), dhe përvoja në perëndim, kishin pjekur kushtet për të hedhur themelet e para të turizmit, duke filluar nga më e rëndësishmja; mikpritja. Hoteli hodhi shtat shumë shpejt, ata ishin ndërtues me përvojë dhe nuk u duhej shumë kohë për këtë, dhe që në fillim shumë miq të tij të huaj, e përgëzuan, madje erdhën ta vizitojnë në Shqipëri. Tani, ai çdo vit vjen në fillim të verës, e largohet në fund të shtatorit. Përvojën e kuzhinës mesdhetare, e italiane, e ka përshtatur në restorantin e hotelit, duke e gërshetuar me gatimet tradicionale, për cilat nuk duhet të shkojë shumë larg; e ëma gatuan pa u lodhur, për të gjithë pushuesit që e porisitin se për drekë duan perimet e stinës në furrë, ndonjë pulë fshati apo byrekë të ndryshëm, që ajo i “qan”, siç i thonë edhe pushuesit. Në oborrin e hotelit është një parajsë e vërtetë e gjelbëruar, ku ta ka ënda të rrish edhe gjatë ditës për të larguar vapën, por edhe mbrëmjeve të freskëta. Për efekt edhe të përvojës në Itali, hoteli është pagëzuar me emrin “Tre Fratelli”. Por nëse doni alternativa të afërta, rreth e përqark Spillesë, mund të eksploroni plazhet që ju përmendëm më sipër, gjiret e Plazhit të Gjeneralit, Falezën e Bardhorit, unike në Shqipëri, si një monument natyre, Gjirin e Forsilukut, Plazhin e Carrinës, ku kilometra të tëra shkëmbinjsh konglomeratikë hyjnë e dalin nëpër det, duke krijuar thyerje të mrekullueshme. Ju këshillojmë ju që jeni koleksionistë, të vishni një palë atlete e të shpenzoni pa u lodhur kohën e bollshme të ditës akoma të gjatë, për të pasuruar koleksionet tuaja me zaje të të gjitha ngjyrave, të shijoni bukurinë e “gurëve me xixa”, copëra shkëmbnjsh me forma nga më të mahnitshmet, guaska të rralla, kuaj deti, rrënjë shkurresh që duke u lëmuaj prej ujit të detit që i rreh vazhdimisht, marrin forma të çuditshme zogjsh e kafshësh. Bota e pasur e nënujit, e soditur me një palë syze të thjeshta e me një tub, do t’ju falë kënaqësi të pamasë. Alga të shumta e të shumëllojshme, leshterikë, copëra shkume deti, kërminj, oktapodë, gaforre të vogla e të mëdha, gjthçka poshtë e ndanë ujit, do të pasurojë syrin dhe shpirtin tuaj. Po deshët turizëm kulturor, lëreni pas Spillenë dhe dilni në rrugën kryesore, të vizitoni kalanë e Bashtovës, aty ku tashmë komuna Gosë, në bashkëpunim me ente të ndryshme kulturore apo ministrinë e kulturës, nuk lë rast pa festuar e mbledhur njerëz të interesuar, për të promovuar sa më shumë këtë monument kulturor mjaft interesant, pjesë e trashëgimisë së fisit të Matrëngajve. Arbëreshët e këtij fisi e ndërtuan këtë kala në mes të fushës, edhe si një fortifikatë por edhe si një qendër banimi të shekullit XV. Ja pra se si ju që doni pushime, të cilat nuk janë vetëm det, ose jo vetëm thjesht det, mund të vini e të zbuloni një e nga një segmentet e bukura të plazheve të Shqipërisë, të cilat kanë zbuluar mjaft kilometra të vëna në dispozicion të popullimit, urbanizimit e teknologjisë, por gjithsesi ende ruajnë të paprekura me fanatizëm shumë bukuri e të fshehta të natyrës. Ato ju presin juve, që të shkoni t’i zbuloni e t’i shijoni.

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

18349

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.