Udhëtim për tek më e bukura e Bjeshkëve

Udhëtim për tek më e bukura e Bjeshkëve

Written by Kastriot Faci on Sunday, 08 April 2012. Posted in Itinerare

Aty ku zanat kanë logun e tyre...

Udhëtim për tek më e bukura e Bjeshkëve

 Kastriot Faci

Dikur njerëzit në mënyrë të formale e të paorganizuar e shprehnin simpatinë e tyre për një nga vajzat apo nuset e fshatit, duke e vlerësuar atë nga hiret e saj. Ajo personifikohej  si e veshur mirë, e pastër dhe shëndetplotë. Ky vlerësim bëhej në momentin që ajo shihej në rrugë për tek kroi i fshatit apo ceremoni e festa. Ajo kthehej në simbol të bukurisë dhe të gjithë mundoheshin ta imitonin në mënyrën se si ajo , vishej, sillej, ecte, këndonte, kërcente.

Rreth 12 vjet më parë në Qafën Predelecit u mbajt për herë të parë Logu i Bjeshkëve nga banorët e Komunës së Kelmendit. Aktiviteti organizohet tashmë çdo vit në muajin gusht dhe është bërë i njohur në të gjithë trevat mbarëshqiptare. Ai njihet  si vendi ku vajzat më të bukura të Kelmendit konkurojnë për të qenë më e bukura e Bjeshkëve, për të fituar kurorën e “Miss Bjeshkës”. 

 

Ne u nisëm së bashku me Ridin, mikun tim shkodran,  diku rreth orës tetë e gjysëm. Pasi kaluam nëpër rrugën nacionale të Malësisë së Madhe, morëm kthesën në të djathtë, duke i qëndruar besnikë tabelës që tregon drejtimin për në Vermosh. Sot trafiku në këtë segment rruge nuk është i zakontë. Pas vetëm pak kilometrash në ngjitje shohim që ky segment rrugor është në ndërtim e sipër. Këtë gjë ma konfirmojnë grumbujt e gurëve të shkaktuar nga thërrmimi shkëmbijve në anën  e malit si dhe prania e makinerive të rënda në fronte të ndryshme gjatë këtij segmenti. Kjo është hera e parë që sheh investime kjo rrugë që nga hapja e saj në vitet e sistemit komunist.

Ndalojmë. Një pamje madhështore, e cila nuk mund të shijohet ndryshe, përveçse duke e soditur me nge. Zig-zaket e kthesave gjarpërushe të Leqeve të Hotit. Ridi, shoku im mbeti me duart në timon. Unë  e kam bërë edhe më parë këtë rrugë dhe e kuptoj përse ai përjeton diçka të tillë. Edhe unë kam shtangur kështu herën e parë. Pas zbritjes me shumë kujdes së kthesave të Leqeve, ndalemi për tu freskuar në kroin e parë e unë si zakonisht,  për të bërë fotografi. Automjete të vogla e furgonë me pasagjerë, sikur marrin shkas për të na kaluar me nxitim e unë e di që patjetër të gjithë këta pasagjerë duhet të jenë spektatorët e Logut të Bjeshkëve që e kanë kaq me nxitim.  (FOTO leqet)

Duke kaluar nëpër Tamarë, qendrën e Komunës së Kelmendit, e shohim si asjëherë tjetër krejtësisht të zbrazur nga banorët e saj, për “faj” të  Logut, i cili tashmë është kthyer në festën më popullore të zonës. Ne vazhdojmë të ngjitemi për në Selcë e pas  shumë kthesash e të përpjetash, mbërrijmë më në fund në Qafën e Predelecit. Ngjitemi në kodrën ku do të mbahet aktiviteti, ndërkohë  që era e mirë e mishit të freskët të fërlikut në lokalet karshi, na shoqëron duke na e ngacmuar stomakun.

Është mesditë. Në skenën e krijuar me gjethe e sfond  majën madhështore të malit të Jezercës, po qëndrojnë plot emocion 15 vajzat garuese si dhe disi më të qetë, artistët që do të performojnë në këtë aktivitet.

Takohem me Biç Perin 66 vjeç nga Vermoshi dhe Sebastian Tinaj 18 vjeç më të riun, i cili është në rolin e drejtuesit të  spektaklit, si  dhe Tomë Martin  Pëllumbaj, 78 vjeç, nga gropat e Selcës. Ata të gjithë kanë të veshur kostume kombëtare. Unë ndihem mirë kur bisedoj me ta, më duket sikur i kam të njohur prej kohësh. Ndërkohë që aktiviteti ka filluar e Toma po këndon “Ç’luftë po bën Rugova e Peja”, këngë maje krahu, Biç Peri dhe Sebastiani pozojnë për mua me disa prej vajzave pjesëmarrëse. Biçi, instrumentist popullor në veglën e fyellit, më informon që Logu i Bjeshkëve ka plot 12 vite që realizohet. Unë nuk ia fal vetes që jam për herë të parë prezent këtu. Biçi për kureshtje shton që Logu është një vend i caktuar ku mbidhen burrat për trimëri e në kuvend si dhe për dëfrim.  Para 100 vitesh, thotë ai, janë mbledhur trimat e zonës për të marrë vendime të rëndësishme, kur nuk kishte shtet. E tash në kohë paqeje, ne mblidhemi për të festuar e zgjedhur ma të bukurën e vashave tona, Miss Bjeshkën.

Ndërkohë, në skenë ka dalë Gjeto Duka, kryetari i sapozgjedhur i komunës, që në rolin e “të zotit të shtëpisë”, përshëndet të gjithë miqtë nga afër e nga larg, të gjithë bashkëfshatarët e në mënyrë të vecantë vajzat bukuroshe e kurajoze që do të  konkurojnë. Ai po premton që në të ardhmen do të vazhdojë këtë traditë, e cila krahas këtij konkurimi për vashën më të bukur, synon të evidentojë edhe vlerat e bukuritë e Alpeve Shqiptare, kulturën e traditat e zonës. Ai në fjalën  tij ka përshëndetur të gjithë ata që posacërisht kanë ardhur nga ansambli artistik “Kelmendi”, nga Amerika e largët si dhe ansamblin e Rugovës nga Kosova.

Tashmë aktiviteti ka hyrë në rrjedhën e tij dhe vajzat ftohen të dalin në shesh para publikut e jurisë.  Unë ndërpres bashkëbisedimin e bëj shkrepjet e radhës e përsëri vazhdoj të kërkoj personazhet interesante të shkrimit tim. Më pëlqen fakti që vajzat konkuruese nuk kanë për të sfiluar në rroba banje ashtu siç dhe jemi mësuar ti shohim në konkurimet e tjera për miss në vendin tonë dhe jashtë tij. Juria gjithashtu e ka përjashtuar mundësinë e marrjes në pyetjen e zgjuarësisë për vajzat konkuruese. Ndërkohë, i afrohem grupit të vajzave konkuruese e bashkëbisedoj me to. Ato janë të çiltra e të qeshura pavarësisht moshës së tyre 16-vjeçare. Krenaria e tyre duket sheshit që po marrin pjesë e po shfaqin hiret tyre në këtë ditë të vetme të vitit. Prej tyre mësoj që kryetare jurie është një shtetase Austriake, bashkëshortja e ambasadorit të Austrisë në vendin tone, i cili është i pranishëm së bashku me Ferdinand Ponin, Zv.ministrin e brendshëm, e të tjerë të ulur në rreshtin e parë të spektatorëve VIP. (Foto Bici dhe sebastiani) Bashkëbisedueset e mia më flasin për Dilë Vaçajn, mësuesen e palodhur,  e mirënjohur në malësi, që ka punuar për 5 ditë me radhë për të përgatitur këtë aktivitet së bashku me vajzat konkuruese.  Marjeta Vushaj, që më vonë do të shpallej fituese, më thotë që është zgjuar në orën gjashtë të mëngjesit për tu bërë gati. Mënyra e rregullimit të  flokëve është ajo tradicionalja, duke përdorur sapunin. Flokët lihen pas të lidhura  bishtalece e mbulohen me shami. Është bukur të veshësh mbretëreshën e veshjeve tona kombëtare, xhubletën, te cilën e trashëgoj nga stërgjyshja ime, shton vajza me numër 4 Marlinda. Të gjitha vajzat sot vijnë nga bjeshkët e 8 fshatrave të Kelmendit, nga Lëpusha, Selca, Vermoshi, Tamara, etj por këtu kanë ardhur si mysafire dhe dy vasha të bukura nga Plava e nga Peja.

Një grup fëmijësh të veshur me rroba kombëtare nuk kanë pushuar së kërcyeri gjatë gjithë aktivitetit në qoshen e djathtë të skenës së improvizuar. Kam parë e takuar spektatorë nga Shkodra e Malësia e madhe, Tirana, Durrësi, por dhe nga Mali i Zi, Japonia, Austria, Gjermania, Zvicra, Hollanda, Sllovenia, Danimarka, Italia. Ndër ta takoj dhe Aleks Dushin 63 vjec, i cili me thotë që vjen në këtë aktivitet prej 5 vjetësh. Më thotë që ka ardhur për të shoqëruar një grup turistësh Hollandezë.

Tani ki kujdes, më tërheq vemedjen Aleksi, në profesion mësues, ndiqi këta artistët e mëdhenj. E ka fjalën për grupin e Rugovës. Gjatë lojës së tyre i ndjek me shumë kërshëri e duke u munduar të në fiksoj me aparat momentet më të bukura. E bind veten dhe arrij në konkluzionin që performanca e këtij grupi është padyshim edhe pika më kulminante e Logut të Bjeshkëve. Ata mjeshtërisht përcollën tek publiku mjaft emocion gjatë valles së pushkatarëve, këngës së nuses, valles së alltive, këngës së shoqëruar me rrotullimin e tepsisë në sofër. Veshjet e tyre shumë tradicionale megjithëse të leshta nuk i pengojnë ata aspak që gjatë lojës së tyre të jenë fantastikë. Lojra popullore të traditës, të cilat u shoqëruan  me melodi nga instrumentë popullorë si fyelli e daullja nga ata, ishin shumë të bukura. Dhe ja, tani i vjen çasti i përzgjedhjes së më të bukurës së Bjeshkëve.

Për të gjithë ata, që ashtu si unë kanë humbur vite të shkëlqyera të një përvoje të papërsëritshme, Logu i Bjeshkëve, mblidhet për të zgjedhur zanën e tij çdo Gusht, rreth datës 12-13. Kelmendi është i bukur në çdo stinë, por ai bëhet i parezistueshëm në gusht, gjë që e ka treguar numri gjithmonë e në rritje i vizitorëve.

Të huajt në Logun e Bjeshkëve

Të binte në sy numri i të huajve të cilët kishin udhëtuar për në qafën e Predelecit posaçërisht për të ndjekur nga afër festën. Nga të dhënat e organizatorëve, numri i tyre rritet çdo vit.

Kushtet e pjesëmarrjes:

Të jesh vajzë e moshës deri 16 vjecare

Të kesh mbështetjen e mirëkuptimin e familjes

Të mos keshë marrë pjesë më parë

Të jesh nga 8 fshatrat e komunës së Kelmendit

Të jesh e veshur e stolisur me veshjet e zonës

Të jesh e paraqitshme

Të marrësh pjesë në provat paraprake

Të dish të kërcesh vallet e zonës

Të kesh bërë flokët sipas modelit të zonës


Transporti në Logun e Bjeshkëve:

Me motoçikletë, makinë 4x4, mikrobus

Distanca 84 km nga qyteti i Shkodres,

Kohëzgjatja e udhëtimit: 3,5 orë.

Vendi i mbajtjes së aktivitetit: Qafa e Predelecit, Komuna Kelmend, Qarku Shkodër

 

 

 

3.0/5 rating (5 votes)

Hits

15358

About the Author

Kastriot Faci

Kastriot Faci, ka lindur në qytetin e Shkodrës më 24.12.1967. Aktualisht punon si menaxher i organizatës jofitimprurëse "The Door" me seli në Shkodër. Pasioni i tij janë fotografia, ecjet në mal, dhe organizimi i eventeve të ndryshme social-kulturore. Disa nga aktivitetet ku ai është përfshirë dhe ka kontribuar në ngritjen e tyre janë shumë unike. Ndër to mund të përmendim: Festivali i Lojrave Popullore për të rinj, Trupa Muzikore për Persona me aftësi ndryshe, Ekipi i Futbollit për Femra, Trupa e Valles për fëmijë me origjinë egjiptiane etj. Për shkak të angazhimit pranë OJF The Door dhe të hobeve të tij, ai udhëton shumë dhe aparati fotografik është prezent bashkë me të në çdo moment. Shumë nga fotot dhe disa nga shkrimet e tij ai i ka publikuar profilin e tij në FaceBook si dhe në revistën “Travel”. Ai është angazhuar si bashkëpuntor i revistës “Travel” që në numrat e parë të saj e në vazhdim. 

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.