Turizmi elektoral

Turizmi elektoral

Written by Irhan Jubica on Thursday, 04 July 2013. Posted in Editorial

A duhet të mbahen zgjedhje në prag të sezonit turistik?

Turizmi elektoral

Për dhjetëra e qindra ditë, me dhjetëra e qindra makina që digjnin dhjetëra e qindra (mijë) litra karburant, përshkuan dhjetëra e qindra kilometra drejt dhjetëra e qindra fshatrave e qyteteve, duke bartur dhjetëra e qindra njerëz të cilët harxhuan dhjetëra e qindra (mijë) euro nëpër dhjetëra e qindra hotele e restorante në krejt Shqipërinë, për t’iu mbushur mendjen dhjetëra e qindra (mijë) njerëzve të tjerë, se janë seriozë për secilin prej dhjetëra e qindra premtimeve.
Përfshi turizmin.

Secili prej pretendentëve deklaroi se ka një program të posaçëm për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, duke përfshirë strategji kombëtare, plan të investimeve në infrastrukturë, plan të detajuar për përjashtim nga taksat, ulje të taksave, apo lehtësira të tjera për nxitjen e kësaj industrie. Dikush mori meritat për stadin e zhvillimit që pala tjetër e quan dështim. U fol për mungesën e strategjësë kombëtare të turizmit të qëndrueshëm, për punësimin e afro 220.000 vetëve në turizëm, për problemin e pronësisë si pengesë ndaj investimeve serioze, për politika fiskale lehtësuese të diferencuara sipas zonave turistike, për masterplan kombëtar e rajonal, për prodhim të energjisë nga burime të rinovueshme, për ndërtim të mbi 1000 km rrugë drejt destinacioneve turistike, për krijim të autoritetit kombëtar të menaxhimit të bregdetit, për ndërtim të porteve turistike, për zgjerim të zonave të mbrojtura përfshi edhe ato nënujore, për identifikim të poleve të turizmit si shembuj për zhvillimet e mëtejshme, për përfshirje të Durrësit në destinacion të të gjithë krocierave që lundrojnë nëpër Mesdhe, për ndërtim të korridorit të gjelbër dhe korridorit të kaltër, për rritje të objekteve të trashëgimisë kulturore të restauruara me 20%, për…
Si të ishte viti zero, përpara të cilit nuk ka ekzistuar kjo politikë.
E për çka nuk foli politika që me shembullin e vet është përgjegjëse për zvetënimin e gjithanshëm të shoqërisë, përfshi ekonominë dhe turizmin, duke parcelizuar zemrën e destinacioneve turistike. Mirëpo asnjeri prej premtimeve të politikës nuk synon domosdoshmërinë e përcaktimit të saktë të turizmit shqiptar, sepse për të qenë konkurrente në tregun turistik rajonal apo edhe më gjerë, Shqipëria duhet të ketë tipare unike, të cilat do ta identifikonin si të tillë në këtë laramani.
E në vend që të mendonte edhe për largimin e datës së zgjedhjeve nga sezoni turistik, politika u kujdes që të shpenzonte rreth 2 miliardë dollarë për një fushatë elektorale që përfshinte edhe bileta votimi për emigrantët, bash në çeljen e sezonit turistik, duke e heshtur vetë sezonin.
Ose duke krijuar një univers paralel: turizmin elektoral.

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

13600

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.