Në Krujën e bukur  të Skënderbeut, Muzeve e pazarit karakteristik

Në Krujën e bukur të Skënderbeut, Muzeve e pazarit karakteristik

on Friday, 17 March 2017. Posted in Destinacione

Një vizitë në Krujën turistike dhe Pazarin e Ri, ripërtërirë nga AADF

Në Krujën e bukur  të Skënderbeut, Muzeve e pazarit karakteristik
Bledar KAÇIU
Administratori i TID KRUJA
 
Kruja është një tarracë natyrore, rrëzë malit të Krujës nga ku pamja e saj shtrihet në brigjet e Adriatikut. Shumë pranë Tiranës, Kruja mbetet një atraksion që nuk duhet humbur nisur nga ato që të ofron qyteti. Trashëgimia kulturore e ndërthurur me bukuritë natyrore të shoqërojnë kudo në Krujë.
Tek ngjitesh për në qytet pylli i pishave dhe ajri i pastër të ftojnë këndshëm në një vizitë plot mbresa. Me të arritur në qytet destinacioni kryesor është Kalaja e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Rrugës për në kala kalojmë nga Pazari i Vjetër që daton fillimet e tij në Shek XV, tashmë i restauruar nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, duke ruajtur vlerat dhe traditat krutane.
Në Pazar mund të shikosh se si artizanët punojnë në mënyrë artizanale në prodhimin e qilimave, sixhadeve, kostumeve popullore, qelesheve, qëndistarive të ndryshme, punimeve të drurit, bakrit dhe alabastrës, riparime argjendarie, orëndreqës etj, tradita familjare që ruhen brez pas brezi. Duke hyrë në Pazar shikon punimet prej druri të Z. Muharrem Mefajës. Ecën dhe takohesh me Z. Ndriçim Guni, ulur në cep të dyqanit, që është në fazën përfundimtare të prodhimit të një qelesheje. Bëhemi kuriozë dhe futemi të vizitojmë punishten e tij. Na tregon që është një zanat që e trashëgon prej katër brezash. Duke zbritur më tej na bën përshtypje një punishte argjendarie, ku takojmë Z. Hamdi Elbasani që na tregon për profesionin dhe objektet që po restauron në atë moment.
Tek zbret në kalldrëm shikon kostumet popullore të qëndisura nga Znj. Lindita Herri, Znj. Diana Vena, Znj. Mimoza Berushi dhe Znj. Elida Çela. Bisedojmë me to dhe dëgjojmë tek na shpjegojnë interesin që tregojnë për të tilla kostume veçanërisht shqiptarët e Kosovës. Duke parë nëpër dyqane shikon Znj. Vjollca Dollaku dhe Mimoza Berushi që qendisin dhe qepin mbulesa, çentro, këllëfë jastekësh etj. Ato na tregojnë kërkesën që kanë për të tilla produkte turistët të huaj që preferojnë diçka simbolike “Made In Kruja” si kujtim. Gjatë gjithë pazarit shikon qilimpunese si Znj. Arjana Cerhozi, Znj. Vjollca Haxhiu, Znj Sulltane Mezini, Znj Dallandyshe Tabaku, Znj. Dëshira Maja etj. të cilat kanë një eksperiencë mbi tridhjetë vjeçare, nga koha e ish-Ndërmarrjes Artisike. Për të bërë një m² qilim nga një artizane duhen shtatë ditë të plota pune.
Mahnitesh, dhe të duket sikur kthehesh prapa në kohë kur futesh tek dyqanet e z. Fatos Hoxhës, Z. Altin Veselit apo të Z. Ardian Bërberit ku gjen antikuare të shekullit të shkuar por jo vetëm. Të tillë biznese shërbejnë si “show room-e” të historisë tonë nisur nga mobiljet e paçmueshme, veglat e punës, apo suveniret, të gjitha punime dore. Nuk kishte si të mungonte në këtë Pazar edhe një piktor, Z. Skënder Rroshi. Në sallonin e tij bien në sy piktura që tregojnë për betejat e zhvilluara nga Skënderbeu. Në dalje të Pazarit dhe vazhdimit të rrugës për në Kala, shikon në vitrina suvenire prej bakri, punuar nga Z. Ilir Bërhami. Gjatë bisedës artizani na shpjegon proceset e punës.
Dalim nga “Derexhiku” siç e quajnë krutanët Pazarin e Vjetër, vërtet mbresëlënës e ngjitemi në kala. Tek Porta e Kalasë, po të kthesh kokën, shikon një pamje të mrekullueshme të qytetit. Me të hyrë në Kala surprizohesh nga madhështia e Muzeut Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu”. Në pavionet e tij tregohet historia jonë kombëtare ndër shekullore.
Fare pranë Muzeut të Skënderbeut, brenda lagjes së kështjellës, e cila është e banuar, ndodhet Muzeu Etnografik i Qytetit, shtëpi e kohës, ndërtuar më 1764 nga Fisi i Toptanëve. Këtu paraqiten jetesa shqiptare në epoka të ndryshme, histori të ndryshme, dëshmi të gjalla të zhvillimeve që kanë shoqëruar këto troje.
Por një vizitë në Krujë nuk mund të mbyllet këtu. Në Krujë mund të vizitohen Mali i Krujës, vend piktoresk me panoramë mahnitëse të pjesës veriore të Ultësirës Perëndimore, Parku Kombëtar i Qafështamës ku gjendet dhe kroi i Nënës Mbretëreshë shumë i frekuentuar nga mjaft pushues të apasionuar pas turizmit malor, Qytetin e Albanopolisit, i vendosur në fshatin Zgërdhesh ndërtuar nga Fisi ilir i Albanëve etj.
Turizmi shihet nga banorët si një mundësi reale zhvillimi dhe rritja e promovimit të kësaj zone me trashëgimi kulture dhe bukuri natyrore do të sjellë një vlerësim të potencialeve turistike të saj, me qëllim mbajtjen e tregut të synuar dhe tërheqjen e turistëve të rinj.
4.3/5 rating (3 votes)

Hits

16750

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.