Dhërmiu - rikthim në perlën shqiptare

Dhërmiu - rikthim në perlën shqiptare

Written by Kastriot Faci on Thursday, 01 March 2012. Posted in Itinerare

Mbresa per nje nga pjeset me te bukura te bregdetit jonian

Dhërmiu - rikthim në perlën shqiptare

Kam parë shumë plazhe të bukura të vendit tonë, por me Dhërmiun nuk do të krahasoja asnjë, ai është parajsa e plazheve tona. Atje është vendi ku malet, qielli, dielli bashkohen me ujin e kaltër të detit Jon, për të krijuar një nga perlat e turizmit Shqiptar. Të pushosh në Dhërmi është t’i lejosh privilegjin vetes të shijosh bukuritë e magjishme të këtij fshati të vogël malor, të shijosh ajrin e pastër dhe të shëndetshëm, të shijosh ushqimin e freskët të detit, ujin e kristaltë e transparent të  Jonit, pra të pushosh në një nga plazhet elitare të vendit tonë që ende është i paeksploruar…

Dhe nuk e kam fjalën për qendrën e tij por për ato dhjetëra gjire të fshehur e për botën e shpellave dhe të nënujit, që askush nuk i njeh plotësisht..

Dhërmi 2001

Para 10 vjetësh kisha dëgjuar nga të gjithë që shpesh e përmendin plazhin e Dhërmiut si një nga plazhet më të bukura në bregdetin e Rivierës shqiptare. Vendosem me familjen  time për herë të parë të shkojmë aty për pushime. Pas një udhëtimi të gjatë nga Shkodra, veriu i Shqipërisë, mbërritëm në Dhërmi. Ndalesa jonë e rastësishme do të ishte në verandën e restorantit Luciano. Veranda e tij ndodhet krejt buzë detit, pjesë e një prej ndertesave që dikur kishte qenë kamp i punëtorëve. Uji i kristaltë transparent në breg,  me një ngjyrë të kaltër në thellësi të tij, flladi i freskët dhe ushqimet e detit të gatuara me shumë shije na e mbushën mendjen që ishim në vendin e duhur. Ky vend na ka magjepsur aq shumë, saqë që nga ajo ditë e deri tanimë në përsëri kur kemi mundësi kthehemi, vijmë dhe pushojmë në Dhërmi.

Në këte kohë Dhërmiu nuk kishte më shumë se rreth 2000 shtretër, tek-tuk mund të ishte ndërtuar ndonjë ndërtesë e re, e vogël dhe jo më shumë se një kat. Plantacionet e pemëve paqeplota të ullijve dominonin të gjitha kodrat buzë detit. Fshati kishte  më shumë se tre kisha e rreth 600 shtëpi të ndara në tre lagje. Shumica e shtëpive të gurta ishin të mbyllura pasi banorët e kësaj zone kishin emigruar në Greqi. Disa nga këto shtëpi ishin kthyer në gërmadha, e megjithate akoma sikur e ruanin stilin e madhështine e tyre edhe në këtë gjendje. Harqet e dyerve të vogla si dhe dritaret që ishin të shumta në numër dhe në propocion me ta më bënin të mendoja se ky stil ndërtimi kishte ardhur si përgjigje e një nevoje për mbrojtje të mirë nga i ftohti i dimrit. Nuk jam i sigurt por mbase kështu është….

Në këtë kohë të shumtë ishin pushuesit nga Tirana e Elbasani si dhe vetë banoret e Dhërmiut që ktheheshin nga Greqia për të pushuar muajt e verës. Kujtoj që kur pushimeve tona i kishte pothuajse ardhur fundi, djali ynë Henri, na kishte pyetur kur do të kthehemi në Shqipëri, pasi atij i kishin bërë përshtypje pushuesit e shumtë të cilët flisnin në gjuhën greke.

 

Dhërmi 2011

Jam rikthyer disa herë në Dhërmi gjatë këtyre viteve, e tani pas 10 vjetësh, shoh që diçka ka ndryshuar. Rruga që të çon aty nga të dy kahet është përmirësuar dukshëm gjë e cila të bën të kesh një udhëtim shumë të këndshëm dhe të sigurtë. Një impuls të madh si kudo në Shqipëri ka marrë sektori i ndërtimit. Grupe vilash me dy deri tre kate kanë zenë e po zenë vend në brinjët e kodrave buzë detit, madje tashme disa nga ato po presin pushuesit e tyre.

Ne  jemi shumë besnikë, kthehemi tek i njëjti vend, tek Lushi në bar restorant hotel “Luçiano”, i cili ka një kapacitet prej 6 dhomash me çmimin prej 40-50 Euro. Tashmë me Lushin dhe të gjithë familjen e tij kemi zënë miqësi dhe ndihemi si në shtëpinë tonë. Aty shijojmë ushqimet e freskëta të detit e pamjet e rralla  nga veranda e dhomave tona si dhe ditët e plazhit.

Pas vetëm dy ditësh në plazh, vendos që në mëngjes të nisem herët në këmbë për të shkuar një vizitë në dy kishat dhe në manastirin e Shën Mërisë. Ndërkohë që marr avash- avash të përpjetën në këmbë, disa metra para meje shoh çiftin e ri, djalin nga Dibra dhe nusen e tij bjonde nga Lithuania. Ata i kishim patur komshi në dhomën ngjitur dhe shpesh na e kishin tërhequr vëmendjen pasi flisnin në anglisht njëri me tjetrin. I shoh ata që po e marrin maloren në këmbë dhe tërheqin zvarrë valixhet e tyre me rrota në asfaltin e ri të rrugës së shtruar së fundmi. Nuk e di por menjëherë me erdhi ndërmend ideja e krahasimit të një situate disi paralele në mes të këtij çifti të ri dhe aventurës së tyre të pushimeve. E krahasoj me Shqipërinë tonë të vogël dhe sfidat e saj në rrugën e përpjetë e me kthesa drejt industrisë së turizmit. Ndërkohë që më kujtohet që diku në numrin parardhës së revistës Travel, në koopertinë kisha lexuar që 750000 ishte numri i turistëve të ardhur vetëm në 6 mujorin e parë të këtij viti, kujtoj që ishte e shkruar me germa të mëdha. Jo keq,  ngushëlloj veten! Këtu në Dhërmi si asnjë vit më parë në fakt kisha parë e takuar shumë turistë nga Kosova dhe nga shqiptarë nga Maqedonia. Ata janë të rinj, familjarë dhe shumë nga diaspora. Këtë e tregojnë dhe targat e mjetëve të tyre, por që rekordin mendoj e mbajnë kosovarët nga Zvicra, Suedia e Norvegjia. Ndërkohë që ngjitem duke medituar, zhurma e një automjeti, i cili po “rënkonte” nga e përpjeta, dhe ndalesa pranë meje, më shkëpusin nga mendimet. Është Hasani, menaxheri i “Lucianos” që me fton në mjetin e tij për të më çuar në fshat. Duke e falënderuar, i them që jam nisur ta bëj  këtë rrugë në këmbë. Ai vazhdon dhe unë vazhdoj, por ai humb menjëherë pas kthesës së parë unë vazhdoj të ngjitem afër kryqëzimin ku shoh përsëri çiftin e ri, që kishin ndaluar në stacionin e autobuzit. Aventura e pushimeve të tyre do të vazhdojë në Sarandë apo Himarë, ndoshta në Llaman, them përsëri me vete, pasi rrugës dhe ne kishim ndaluar aty e më kishte pëlqyer plazhi i Llamanit, me 4 bunkerët e medhenj “mëmë”, kështu i thërrismin në me humor kur ishim fëmijë. Mbaj krahun tim dhe eci në trotuar, çuditem shumë kur sytë me zëne një tabelë që e kishin përkulur përtokë, e cila tregonte limitin e shpejtesisë prej 20 km si dhe kthese të fortë. Nuk kam arritur kurrë të gjej se pse i prishin njerëzit tabelat.  Ndërkohë, shoh dhe një tjetër tabelë të dëmtuar. Mbërrij tek kisha por kyçi i madh në derën e jashtme të oborrit ma bën të pamundur futjen aty. Kulla e lartë, mban këmbanoren, poshtë të cilës është një orë e madhe e cila për çudinë time punon. E kontrolloj menjëherë atë, duke e krahasuar me orën time të dorës, është 10.05. Vendos të vazhdoj të ngjitem për tek manastiri i Shën Mërisë, ndoshta jam me fat dhe e gjej të hapur atë. Ngjitja ime është më e lehtë pasi eci shtigjeve të shtruar me gurë nën hijen e pemëve të drurëve të ndryshëm frutorë, duke kaluar derë më derë, dyert me harqe, shumë tipike për këtë fshat, ashtu si në të gjithë jugun e Shqipërisë. Më në fund mbërrij në manastirin e Shën Mërisë që ndodhet majë të fshatit dhe për fatin tim të mirë dera është e hapur, e shtyj atë e futem brenda në oborr. Oborri i manastirit shërben si varrezë për fshatin, diku në qoshe shoh një varr krejt të ri. Afrohem tek dera e ndërtesës së kishës dhe e provoj ta hap ate, dhe ajo është e çkyçur. Ndërtesa është me një kat dhe e ilustruar me ikona, të cilave vende vende sikur i kanë dalë pak ngjyrat nga lagështia dhe vitet e lëna pas. Zhurma e erës së lehtë që fryn përjashta më jep ndjesinë sikur unë nuk jam i vetem në këtë ndërtesë. Mendoj që dhe kjo ndërtese ashtu si të tjera gjatë regjimit komunist, mund të ishte përdorur si magazinë apo si vatër kulture. Këtë ma konfirmojnë shenjat e një dere të mbyllur më vonë, gjë që më bën të kuptoj edhe se përse një pjesë e muraleve nga brenda pikërisht mungojne në atë pjesë. Para se të largohem ndez një qiri, dhe i kthej shpinen  duke u larguar e bëre një urim për mireqenie për të dashurit e mi. Në oborr jashtë saj shoh një pemë ulliri, e cila mund të jetë qindra vjeçare. Sigurisht pasi bëj  foton e radhës, marr përsëri rrugën tatëposhtë për tu kthyer në Dhërmi, në plazh.

Të nesërmen përsëri nisem me makinë për në manastirin e Shën Theodorit, i cili ndodhet në majë të kodrës, që poshtë saj ka Shpellën e Piratëve. Pas një ndalese për kafen e mëngjesit, të cilën e pijmë ngadalë e duke soditur peisazhin fantastik të mëngjesit në lokalin “Panorama” vazhdojmë rrugën për në manastir. Rrugës hasem me një kope  me lopë e dhi, të cilat më duken ndryshe nga ato që unë jam mësuar të shoh në Shkodër. Na u desh të bënim në këmbë rreth 500 metra, pasi rruga ishte e shtruar me asfalt deri në afërsi të tij. Tashmë jemi në oborrin e brendshëm të manastirit, i cili tashmë është krejtësisht i braktisur. Më parë gjatë regjimit ai ka shërbyer për të ruajtur armiqtë tanë përtej detit. Këtu ishulli i Korfuzit ishte pothuajse krejt përballë. Dy dyer ishin të vendosura njëra në lindje e tjetra në perëndim të manastirit dhe një numër i vogël ndërtesash tip ushtarake. Në një nga ndërtesat një ambjent ishte përshtatur për të bërë lutjet e ritet fetare për vizitorët. Ky manastir kishte një histori të një vajze greke e cila ishte strehuar për të jetuar aty, histori të cilën asnjë nga banorët që pyeta nuk arriti të ma tregonte me saktësi. Pas disa fotosh largohem dhe kthehem për të vazhduar në plazh.

Është një ditë e re dhe destinacioni im këtë herë është plazhi i Drymades. E çuditshme, por përsëri dhe këtë herë ndalojnë makinën dhe më ftojnë të hipi në të. Këtë herë janë disa nga miqtë tanë, të cilët i kishim njohur në Dhërmi para 4 vitesh. Me mirësjellje i falënderoj dhe i shpjegoj që kam dalë për të ecur në këmbë. Rrugës shoh dhe njëherë që këtu po ndërtohet dhe konstatoj që ndërtimet po bëhen me leje dhe mbase sipas një plani të studiuar. Rrugës shoh disa nga kampingjet me çadra, mendoj se janë që një alternative e mirë për të kaluar pushime të lira janë dhe të mira sidomos për të rinjtë. Dhërmiu ka disa të tilla. Në to krahas fjetjes ofrohen dhe 3 vaktet e ngrënies. Pemët e ullinjve më shoqërojnë gjatë të gjithë kohës, ato janë një pasuri e çmuar.  Portokallet e limonat, fiqtë, hardhitë e nespollat - janë drurët e tjerë më të rëndësishëm. Sot të gjithë për këto pemë kujdesemi, më thotë Tani, djali nga Librazhdi, që punon tek Luçiano. Janë rreth 250 persona nga Librazhdi që po punojnë këtu. Ndërkohë që unë kam mbërritur në Drymades perpara meje hapet një plazh i bukur, i cili nuk është aspak i mbipopulluar ashtu siç janë tashmë plazhet e Shëngjinit, Velipojës, Durrësit e Vlorës.

Më duhet të devijoj nga plazhi pasi një tabelë para meje më sinjalizon që i jam afruar zonës ushtarake. Është vila qeveritare e Dhërmiut e cila gjatë muajve të verës është në shfrytëzim të plotë nga banorët e saj VIP. Largimin e ardhjen e tyre shpesh na e njofton edhe zhurma e fluturimit të helikoptereve.

Me Lushin dhe me Irin do të dilnim të ngrinim rrjetat që ata i kishin lëshuar një natë më parë. Morëm lejen nga policia e kufirit më parë për mua pasi ishte e nevojshme. Një pamje e mrekullueshme, të shihja nga deti atë çfarë kisha përshkruar me makinë rrugën e Llogorasë e cila aq sa të tremb kur e udhëton për herë të pare, aq edhe të mahnit me bukurinë e peisazheve të saj kur mësohesh me lartësinë e saj. Më kujtohet që kur u larguam nga Dhërmiu në një nga stacionet ku hidhen me parashutë anetarët e shoqatës së Aeronautikës Shqiptare, vend që u shërben dhe tregtarëve ambulantë të produkteve lokale të çajit e mjaltit, ishte shumë ftohtë, megjithëse verë. Ata kishin veshur xhakavento e triko leshi e ishin strukur mirë duke vendosur dhe një kapele në koke. Lushi me tregon bunkerët e kundërajrorëve 12,7 të cilët gjendeshin në një shpat në fillim të gadishullit të Karaburunit i cili mbron fshatin e Dhërmiut. I bëj  fotot e mia shpejt e shpejt pasi Lushi thotë që është vonë e duhet pastruar peshku sa më parë, se rrezikon të prishet në rrjeta. Ngremë rrjetat dhe nxjerrim lloje të ndryshme peshqish të shumtë, nga ata që nuk i kam parë asnjëhere. Këtu në Dhërmi kam parë dhe peshkun më të madh në jetën time, ishte një peshk të cilin vëllai i Lushit e kishte gjuajtur në thellësi dhe që peshonte rreth 18 kg. Pushimet e mia vazhdojnë.....

 

Atraksionet në Dhërmi:

    * Plazh dhe not në det, hedhje nga shkëmbi
    * Vizitë në shpellen e Pirateve, në kishat dhe manastiret e fshatit.
    * Peshkimi me pushkë uji apo me kallama e parangall.
    * Ecje në këmbë në plazhet e Dhërmiut dhe të Drymades.
    * Jetski, xhiro me motor uji, cmimi 30 minuta 6000 Leke, Xhiro me dyshek pas skafit
    * Muzike live në klubet: Jaht Club, Havana Club, Loli Pop etj.
    * Meshat në kishat e fshatit zakonisht mbahen ditën e Diel, dhe vendi mbajtjes së meshës ndryshon.
    * të tjera: internet, bilardo, volejboll.
 
 

HOTELE në DHËRMI

Hotel Restorant Dhërmiu: +355 682037699

Hotel Restaurant 2000: +355 682374919

Hotel LUCIANO +355692091431

 

Hotel Thoma Jorgji: +355 692163168

Hotel Ilia Stamarko: +355 692065335

Hotel Drymades: +355 692074000

Hotel Marko: +355 692411905 - 0682375253

 

RESTORANTE,

Restorant Bar “Dhërmiu”: +355 682037699

Restorant “CLUB 2000”

Restorant-Bar “LUCIANO” +355692091431

 

Vendodhja:

Fshati i Dhërmiut ndodhet 52 km në Jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqytetii Tirana. Ai kufizohet nga Vlora me fshatin e Palasës dhe nga Himara me fshtain Ilias. Administrativisht bën pjesë në Bashkinë e Himarës, rrethi  Vlorë, qarku Vlorë. Ai është i vendosur buzë detit Jon dhe në shpatet e maleve të Vetetimës, midis gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta. Plazhi i Dhërmiut ka një gjatësi më shumë se rreth pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon me një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit. Përballë tij ndodhen shtatë ishujt grekë, ku pjesë e tyre është dhe ishulli më i madh e i banuar ai i Korfuzit.

 

Si të arrish në Dhërmi:

· Nga ajri, me aeroplan nga e gjithë Europa e bota nëpërmjet aeroportit të Korfuzit (GR) dhe nga aeroporti i Rinasit (AL).

· Me rrugë automobilistike me nisje nga Vlora dhe Saranda. Kjo rrugë mund të bëhet me biciklete, motor, makinë, autobus apo dhe në këmbë.

·  Me rrugë ujore me skafe private apo motor uji nga Vlora, Himara dhe Saranda, Korfuzi (GR). 

3.0/5 rating (2 votes)

Hits

20415

About the Author

Kastriot Faci

Kastriot Faci, ka lindur në qytetin e Shkodrës më 24.12.1967. Aktualisht punon si menaxher i organizatës jofitimprurëse "The Door" me seli në Shkodër. Pasioni i tij janë fotografia, ecjet në mal, dhe organizimi i eventeve të ndryshme social-kulturore. Disa nga aktivitetet ku ai është përfshirë dhe ka kontribuar në ngritjen e tyre janë shumë unike. Ndër to mund të përmendim: Festivali i Lojrave Popullore për të rinj, Trupa Muzikore për Persona me aftësi ndryshe, Ekipi i Futbollit për Femra, Trupa e Valles për fëmijë me origjinë egjiptiane etj. Për shkak të angazhimit pranë OJF The Door dhe të hobeve të tij, ai udhëton shumë dhe aparati fotografik është prezent bashkë me të në çdo moment. Shumë nga fotot dhe disa nga shkrimet e tij ai i ka publikuar profilin e tij në FaceBook si dhe në revistën “Travel”. Ai është angazhuar si bashkëpuntor i revistës “Travel” që në numrat e parë të saj e në vazhdim. 

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.