A do ta kapë Shqipëria trenin e fundit?

A do ta kapë Shqipëria trenin e fundit?

on Tuesday, 03 March 2015. Posted in Editorial

Një reflektim mbi ligjin e turizmit mbi tvsh-në, që ende nuk po duket të vijë

A do ta kapë Shqipëria trenin e fundit?
Zak Topuzi*
Shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) përcaktuan prioritetet për turizmin europian në takimin e 4 Prillit 2014.
 “Në 2013, të ardhurat nga turizmi u rritën në masën 5.4%, pavarësisht një rimëkëmbjeje të brishtë globale, sidomos në zonën euro “, - tha Sekretari i Përgjithshëm i UNWTO, Taleb Rifai. ”Turizmi vazhdon të luajë një rol qendror në rritjen ekonomike të rajonit dhe krijimin e vendeve të punës. Ndërsa taksat janë një mjet thelbësor fiskal, ekziston një shqetësim në lidhje me një shtim të tarifave të udhëtimit dhe turizmit, duke penguar konkurrencën e drejtë të destinacioneve” - shtoi ai. Sfidat kryesore afatshkurtra dhe prioritetet për turizmit europian, të identifikuara në këtë takim, përfshijnë lehtësimin e udhëtimit, taksimin dhe krijimin e kushteve të favorshme të biznesit për të stimuluar investimet dhe inovacionet. 
Situata është e qartë: Shqipëria mbetet i vetmi vend ne Europë që nuk ka zbatuar politika fiskale stimuluese për turizmin, një instrument thelbësor, ofruar nga direktivat e BE (Direktiva 2006/112/EC & 2009/47/EC ) dhe rekomandimet e qarta të Komisionit Europian. Shqipëria, me sa duket, do të vazhdojë të jetë ndër vendet e pakta europiane pa politika të tilla fiskale në nxitje të turizmit, ndërkohë që turizmi, përmendet si prioritet në çdo fushatë elektorale.
Qeveria Rama ka përcaktuar si prioritet bujqësinë dhe turizmin. Korrelacioni pozitiv i zhvillimit të turizmit me zhvillimin e bujqësisë e bën akoma më të drejtpërdrejtë dhe më të plotë impaktin e tij në rritjen e punësimit, reduktimin e varfërisë dhe në rritjen ekonomike të vendit.
Ministria mbështeti iniciativat për një klimë të favorshme për biznesin turistik në paketën fiskale 2015, duke u bazuar në një studim të përbashkët të saj me një grup ekspertësh nga CID Harward University, ku parashikohej ulja e TVSH-së për turizmin 10%, ose subvencionimi i kësaj TVSH-je nga qeveria, por për çudi, aksioni nuk u konkretizua me pretendimet se FMN ishte pengesë, por në takimin kokë më kokë me grupet e interesit, FMN pohoi të kundërtën.
Vendet e rajonit tonë, ku synohet edhe konkurrenca reale, janë agresivë në mbështetjet e drejtpërdrejta dhe indirekte për turizmin, ata kanë histori të suksesshme, kanë traditë dhe përvoje më të gjatë, kanë infrastrukturë më të mirë dhe investime private vendase e të huaja më cilësore. Shqipëria vazhdon të jetë në risk, si rezultat i rrezikut të përballjes me konkurrencën dhe destinacionet rajonale.
Gjithnjë e më shumë po kuptojmë se potenciali ynë turistik është i krahasueshëm në rajon dhe që modelin e zhvillimit duhet ta marrim nga vendet e Mesdheut.
Turizmi sot është mënyrë jetese. Ballkani është kthyer në “brand”, falë bashkëpunimit rajonal në turizëm. Qeveria shqiptare duhet te nxjerrë konkluzionet e duhura nga ky realitet. Turizmi nuk mund të jetë prioritet vetëm me fjalë.
Ne po tregohemi të vonuar në këtë përshtatje rajonale. A do ta kapë Shqipëria trenin e fundit?
* Zv. President i Shoqatës Shqiptare të Turizmit
Titulli origjinalit: TVSH e turizmit, as 10%, as subvencionim
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

13192

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.