Të rinjtë e apasionuar pas turizmit të bardhë ngjiten në malin e Çikës

Të rinjtë e apasionuar pas turizmit të bardhë ngjiten në malin e Çikës

on Tuesday, 29 January 2019. Posted in Lajme

Aventura në një ndër 85 majat më të larta të maleve në Europë

Të rinjtë e apasionuar pas turizmit të bardhë ngjiten në malin e Çikës

Nga Klotilda Saraçini
TIRANË, 28 janar/ATSH/- Të rinj aventurierë të borës dhe lartësive janë ngjitur ditët e fundit në Llogora dhe më tej drejt lartësive me borë të malit të Çikës.

Mali i Çikës ndodhet në bregun e detit, midis Jonit në perëndim dhe luginës së Shushicës në lindje, me shtrirje juglindje-veriperëndim e me majat më të larta të Çikës (2040 m) e të Qorres (2018 m).

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, në disa fotografi të publikuara prezanton të rinjtë aventurierë që janë ngjitur në Majën e Çikës, që është në vendin e 85 të majave më të larta të maleve në Europë.

“Njerëz që shijojnë Himarën tonë, majat e larta me dëborë, në këtë stinë të mrekullueshme të dimrit që konkurron denjësisht stinën e verës. Himara jonë është e bukur në çdo stinë”, shprehet Goro.

Shpati perëndimor i malit të Çikës është tepër i thepisur deri sa zbret në formën e një shkallareje në detin Jon, duke formuar Rivierën e Himarës, pjesa më piktoreske e gjithë Rivierës shqiptare.

Shpati lindor është më i butë dhe bie mbi luginën e Shushicës. Format e relievit të sotëm janë shumë të ashpra, me maja të mprehta, shpate me gremina e rrëpira shumë të thella.
Pikërisht kjo faqe e tij shfrytëzohet për ngjitje alpinistike dhe rrëshqitje në borë.

Sezoni i turizmit dimëror, ose turizmi i bardhë, është në mesin e tij dhe ky park i veçantë po shfrytëzohet maksimalisht nga të rinjtë dhe aventurierët e borës e të lartësive sidomos në fund-javë.

Të rinj nga Vlora, Himara dhe nga qytete të tjera të vendit,ngjiten në Llogora për të gjetur aventurën, por edhe peizazhin e veçantë të bregut dhe të malit.

E gjithë Llogoraja është një perlë e turizmit shqiptarë dhe ndodhet rreth 40 km në juglindje të Vlorës, në kufirin midis Adriatikut dhe detit Jon. Parku shkon nga lartësia 470 m në lartësinë 2018 m. /k.s/j.p/

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

11967

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.