Për një kafe te Shtëpia e SALI SHIJAKUT

Written by Irena Kanani on Monday, 16 July 2012. Posted in Destinacione

Në shtëpinë prej qerpiçi, tashmë muze ku koha prej kohësh ka ndalur

Për një kafe te Shtëpia e SALI SHIJAKUT

Ndodhemi në Tiranë, konkretisht në rrugën “Siri Kodra”. Sapo merr kthesën e kësaj rrugice, nuk mund t`i shpëtojë syrit një banesë e cila i përket një arkitekture të vjetër tipike Tiranase, afrohem pranë saj, në adrestarin lexoj: Shtëpia e Sali Shijakut, të dyja portat prej druri janë të hapura dhe duket sikur të ftojnë në ambientet e saj, ku këmba të shkelë në kalldrëmet gjarpërushe të oborrit, (mësojmë se gurët e kalldrëmit janë të lumit Erzen). Më pas një ambient i këndshëm, shndërruar në një lokal mes freskisë dhe gjelbërimit. Një vëzhgim i shpejtë i ambientit na lejon të mësojmë se ofrohen shërbime të ndryshme, bar dhe ushqim tradicional, muze pikturash të gërshetuara me arkitekturën e vjetër të shtëpisë.

Ambienti është i dekoruar me objekte e forma të ndryshme, i gjithë oborri i lokalit përreth ka pemë, lule me vazo prej balte, të cilat janë të pikturuara me portrete gati komike e me ngjyra të gëzueshme, objektet e vjetra dekorative i gjenë kudo. Pranë murit të shtëpisë muze shikojmë një dybek, një tavolinë të vjetër, një diell të punuar në dru, një sobë shumë të vjetër. Tavolinat e vendosura nën hijen e pemëve, disa janë nën hijen e rrushit, ku fare pranë ndodhet dhe pusi i vjetër i quajtur Pusi i Dylit, sot ai e ka humbur funksionimin e tij si pus, por është shndërruar me shumë mjeshtëri nga vetë piktori në një shatërvan tepër piktoresk. Poshtë tij është ndërtuar një pellg i vogël uji, i rrethuar nga lule të ndryshme, të vendosura këto edhe me vazo balte, të pikturuara me portrete dhe objekte të ndryshme. Mbi pus është krijuar nëpërmjet një vazoje balte të pikturuar, një shatërvan që rrjedh nga kjo vazo. Shtëpia është ndërtuar para viteve 1600, fillon të na tregojë vetë piktori, i cili me shumë përzemërsi na shoqëron në brendësi të saj. Ajo u ble nga fisi Shijaku, një familje tregtarësh autokton, kur Shqipëria ishte nën pushtimin otoman. Eshtë e përbërë nga 24 dhoma dhe e rrethuar nga kopshte të mëdha, ku mbi të gjitha spikat dhoma e madhe që nga Shijaksit është quajtur “Oda e Zjarrit”.

Kjo dhomë nuk ka kollona qëndrore është dhe pa tavan, në mënyrë që të qarkullonte ajri i ngrohtë në dimër dhe i freskët në verë. (çdo shpjegim që i bëhet shtëpisë, piktori e shoqëron me lëvizje duarsh, dhe shpesh i dridhet edhe pak zëri), Në odë ndodhen 2 oxhaqe, një përdorej për ngrohje e tjetri për gatim. Muret e saj perimetrale janë të gjerë 80 cm me breza druri horizontale për çdo një metër. Si material bazë për ndërtimin është përdorur baltë e presuar me këmbë dhe e pjekur në diell. Gjë që i jep shtëpisë një rezistencë të jashtëzakonshme të lëkundjeve sizmike. Gjatë tregimit nuk mund t’i rezistoja vëzhgimit të pikturave të shumta që kishin mbuluar gjithë sipërfaqet e mureve të shtëpisë, të ekspozuara të gjitha vetëm në një dhomë. Kishte nga më të ndryshmet: të mëdha, të vogla, portrete, peisazhe, fruta, lule etj. Ajo që të bënte përshtypje ishte edhe ambienti i shtëpisë. Kolltuqet ishin prej druri, e tepër të vjetër, një tavolinë e madhe e gdhendur me shumë kujdes, diku në një cep të odës syri të kap një sofër, të rregulluar me disa stola të vegjël dhe gota bakri mbi të. E gjithë dhoma është e mbuluar me qylim të kuq dhe mbi të postiqe deleje. Po nga kjo dhomë në një cep të saj ishin shkallët prej druri, të cilat të çonin tek dhoma e grave. Nga mënyra se si flet nuk mund të mos e vësh re emocionin që ka Sali Shijaku, kur tregon origjinën e lashtë të shtëpisë së tij, pasi përpiqet të mos harrojë asnjë detaj, madje edhe historitë që i ka të trashëguara prej brezash për sa i përket kësaj shtëpie. Ai kujton se rreth shtëpisë ka qenë një pyll, ku për të ndërtuar këtë objekt janë përdorur pikërisht ato pemë. Në shtëpinë prej qerpiçi, tashmë muze ka një fond prej 80 pikturash dhe objektesh të realizuara nga Piktori i Popullit, Sali Shijaku, i cili është edhe pronari aktual i shtëpisë “ Monument Kulture” , që ruhet dhe mbrohet nga shteti, e vendosur tashmë në hartat turistike të Tiranës.

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

16409

About the Author

Irena Kanani

Gazetare, ka mbaruar studimet e larta pergazetari ne Elbasan, aktualisht gazetare ne revisten Travel

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.