Me borë pa borë, improvizimi e ka në dorë

Me borë pa borë, improvizimi e ka në dorë

Written by Irhan Jubica on Friday, 06 April 2012. Posted in Editorial

për nje reflektim mbi reflektimet...

Me borë pa borë, improvizimi e ka në dorë

 

Përveçse është ende pa një kalendar festimesh për 100-vjetorin e Pavarësisë, Shqipëria është sot edhe pa një axhendë vjetore të turizmit. Por edhe pa një plan. Faktin e pranoi edhe vetë ministri në analizën vjetore të MTKRS, kur ndër objektivat e vitit 2012, renditi fillimin e punës për hartimin e një plani kombëtar për turizmin. 

 

Duke konsultuar kalendarin botëror  të eventeve turistike për vitin 2012, vërehet një intensitet i aktiviteteve për promovimin e turizmit – sidomos në periudhën e parë të vitit. Një numër i pafund panairesh ndërkombëtare të përfshira nën ombrellën e Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO), kongrese, festivale e manifestime të natyrave të ndryshme, synojnë njohjen e tregut ndërkombëtar të turizmit me ofertën që secili vend ka përgatitur për sezonin e këtij viti. Për të mos u ndalur tek organizimet e superfuqive turistike, në prirjen për t’i krahasuar me Shqipërinë, mund të përmendim vendet e rajonit, si Turqia, Sllovenia e Serbia, të cilat gjithashtu synojnë vëmendjen e tregut turistik me organizimet e veta ndërkombëtare. Që ndoshta e kanë. Në këtë numër të pikut të dimrit, një pjesë e mirë e materialeve të Travel i kushtohen turizmit të stinës, mirëpo më së shumti të bën përshtypje rezultati i një sondazhi të revistës për preferencat e pushuesve në këtë sezon. Operatorët turistikë, kryesisht në Tiranë, por edhe më gjerë, thonë se prenotimet më të shumta nga ana e pushuesve shqiptarë janë për në Maqedoni. Në atë Maqedoninë pas shpine. Edhe pse 2/3 e Shqipërisë janë kodra dhe male. Edhe pse, duke cituar kryeministrin e vendit, Shqipëria ka një lartësi të përgjithshme “dy herë më të madhe se mesatarja e Europës”. Maqedonia pra, është më e preferuara e pushuesve shqiptarë për këtë sezon, ndoshta sepse, duke vazhduar sërish me kryeministrin, në zonat tona malore koha ka ngelur në vend “që nga mesjeta”. Edhe Shoqata Shqiptare e Turizmit e pranoi në një konferencë të para pak ditëve, se turizmi shqiptar ka nevojë për politika specifike, ndërkohë që u vu theksi te nevoja urgjente për ndërhyrje në infrastrukturë, si në zonat malore, ashtu edhe ato bregdetare. Komiteti Ndërministror i Turizmit, i mbledhur gjatë vitit të kaluar i ka prekur këto probleme, por pjesa më e madhe e tyre vazhdojnë të barten nga sezoni në sezon, e nga viti në vit. Edhe tani, që bota e turizmit është në kulmin e promovimit të ofertës së re, Shqipëria mjaftohet me pjesëmarrje në 4-5 panaire e kongrese ndërkombëtare gjatë gjithë vitit, duke e lënë kështu, gjithçka në dorë të improvizimit, pa strategji, pa plane, pa axhendë.

Nga ana tjetër, duket se paradoksalisht, mospasja e këtyre kalendarëve e planeve në letër, nuk e ka penguar fort zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Turizmin e improvizuar, spontan. Pavarësisht faktit se ekziston, psh, një strategji e turizmit, ndaj këtij dokumenti nuk pati referenca në analizën vjetore të turizmit. Nuk është fjala për të kritikuar mospërmbushjen e objektivave që janë parashikuar në këtë strategji, sidomos në drejtim të infrastrukturës së ndonjë zone tepër atraktive si Thethi etj., por për të evidentuar disa tejkalime objektivash. Sipas dokumentit “Strategjia sektoriale e turizmit 2007-2013”, parashikohej që brenda vitit 2013, Shqipërinë ta vizitonin 3.5 milionë turistë gjithsej, nga të cilët 2.1 milionë të huaj. Po t’i krahasojmë me shifrat zyrtare për 2011, kemi ardhjen e mbi 4 milionë turistëve gjithsej, 2.7 milionë e të cilëve janë të huaj. Nuk ka asnjë dyshim, se nëse ky dokument do të ishte udhërrëfyesi i vërtetë, apo nëse dikush vetëm do ta kishte lexuar, analiza vjetore e turizmit do ta trumbetonte me të madhe tejkalimin e objektivave të kësaj strategjie, madje disa vjet para afatit (!). Natyrisht, kur konsideron turizëm edhe kalimin e shqiptarëve të Kosovës për në Ulqin, nëpërmjet Muriqanit.

Duke rimarrë lidhjen në aspektin global, duhet të themi se UNWTO ka parashikuar një rritje të qëndrueshme të turizmit botëror edhe për këtë vit. Madje, pavarësisht krizës së zgjeruar në eurozonë, do të jetë Europa ajo që do t’i japë shtysën kryesore kësaj rritjeje globale, me rreth 500 mijë turistë, ndërsa Europa Lindore dhe Mesdheu do të kenë një rritje prej 8%. Atëherë, sa prej 1 miliardë turistëve dhe më e rëndësishmja, sa nga 700 miliardë eurot që gjeneron turizmi global, do të hyjnë në vendin tonë këtë vit, kur Shqipëria po rekomandohet prapë nga dy media të turizmit botëror? 

5.0/5 rating (1 votes)

Hits

11970

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.