Stebleva - një bukuri e rrallë mes pyjeve të Librazhdit

Stebleva - një bukuri e rrallë mes pyjeve të Librazhdit

on Saturday, 08 November 2014. Posted in Lajme, Around

Një udhëtim mes natyrës në Parkun Kombëtar "Shebenik-Jabllanicë"

Stebleva - një bukuri e rrallë mes pyjeve të Librazhdit

 

Nga Vilma Disha
Dikur e lënë në harresë, sot një perlë e paprekur e turizmit malor dhe natyrës piktoreske. Stebleva është një teatër natyror, një gërshetim i mahnitshëm i lëndinave, pyjeve, kodrinave, maleve dhe lumenjve. “Maja e Zezë” e cila ndodhet në lartësinë 2225 m mbi nivelin e detit, është maja më e lartë në këtë zonë. I dyti renditet mali i “Raducit”, me një lartësi  2084 m, i cili shtrihet në lindje të Steblevës. Stebleva përshkohet nga përrenj dhe kroje të shumtë, të cilët pasi grupohen, formojnë lumin  që në gjuhën e popullit quhet “ Zalli i Steblevës”. Pasi përshkon rrugën Borovë – Sebisht – Okshtun, në Gjoricë të Dibrës, ky lumë bashkohet me Drinin e Zi. Krahas bukurisë, florës dhe faunës së pasur, ky lumë karakterizohet edhe nga cilësia parësore e peshkut që rritet në këto ujra, “trofta me pika të kuqe”. Jo më pak kureshtje, zgjon dëshira për të vizituar  liqenin  karstik të malit të Draganit. Shkëmbinjtë monumentalë që e karakterizojnë, të gdhendur nga vetë natyra ndër shekuj, krijojnë një peisazh natyror vërtet  miklues. 

 

 

Të mahnitshme janë pllajat dhe lëndinat e Visharicës, malit të Kallkanit e Mllacit, të cilat përbëjnë një nga pjesët më tërheqëse të Steblevës, të përshtatshme për aktivitetet sportive gjatë muajve të verës dhe pistat natyrore për ski, gjatë sezonit të dimrit. Në vitet para 90-ës, kjo zonë është shfrytëzuar për të mirat materiale që dispononte, kryesisht lëndën drusore, blegtorinë dhe bimët mjekësore. Për afro pesë dekada, kjo zonë është lënë në mëshirë të fatit. Me ardhjen e demokracisë, kushtet e vështira ekonomike si pasojë e mungesës së investimeve, detyruan shumë banorë të Steblevës, të shpërnguleshin në drejtim të zonave të banuara. U deshën njëzet vjet, që natyra e mrekullueshme e Steblevës, të rikthehej në vëmendjen e banorëve që dikur u larguan prej saj, për të mirat që vetëm ajo mund t’u ofronte. Natyra e bukur dhe e larmishme e Steblevës ka zgjuar edhe interesin e shtetit dhe politikës Shqiptare, të cilët kanë tërhequr vëmendjen për investime të mëtejshme në këto zona. Mundësitë e investimeve në këtë krahinë, janë më të larta me shpalljen e masivit  “Studën - Kallkan - Jabllanicë - Kodra e Borovës - Dragan”, që është shpallur zonë e mbrojtur. Një tjetër investim mjaft i rëndësishëm dhe më përparësi turistiko - ekonomike për zonën e Steblevës, është kalimi i rrugës që bën pjesë në Unazën Verilindore të Shqipërisë. Përfundimi i rrugës Tiranë- Elbasan, do të përgjysmojë largësinë e Steblevës me kryeqytetin deri në 75 km. Një distancë e tillë,  padyshim që i jep prioritet turizmit në krahasim me zona të tjera të Shqipërisë. Gjithashtu përpjekje serioze, janë bërë për të realizuar hapjen e pikës kufitare të “Llakaicës”, me shtetin Maqedonas. Kjo pikë kufitare njihet ndryshe si “Fusha e 30-tës”, vendi me pikë piramidën nr.30, të kufirit shtetëror me Maqedoninë. Hapja e kësaj pike kufitare e bën Steblevën një zonë malore turistike, vetëm 30 min larg nga Struga. Tjetër përparësi për “Zallin e Steblevës”, janë projektet qeveritare, të cilat synojnë ngritjen e disa hidrocentraleve. Akoma më tepër rëndësi ky lumë, merr me ndërtimin e rrugës së re në drejtim të rrjedhës së tij. Stebleva ka qenë dhe mbetet një zonë arsimdashëse. Falë intelektit, banorët e Steblevës , ditën të integrohen shumë shpejt në jetën sociale  dhe atë ekonomike të vendit. Stebleva, kjo perlë e paprekur e turizmit malor, shumë kohë larg vëmëndjes dhe shumë pranë investimeve të munguara.

 

 

Parku Kombëtar "Shebenik-Jabllanicë", turizëm natyror dhe rural
Udhëtimi për në Steblevë bëhet çdo fundjavë ose çdo ditë në varësi të kërkesave, nga pranvera deri në fund të vjeshtës . Në stinën e Dimrit ajo preferohet më rrallë, në varësi të kushteve të motit . Akomodimi bëhet në shtëpi pritëse vendase, me kushte mjaft  të mira, ku janë të përfshira, Ushqimi (Mengjezi - Darka, në varësi të dëshirës), fjetja, guida nëpër malet Visharicë, Popovicë, Raduc, LLakaicë, në lumin e Bella Reka, si dhe në liqenet e saj të mrekullueshëm t Draganit dhe të Fushë-Studnës, duke ju shoqëruar guida , që njeh mirë zonën dhe historinë e saj.
Parku Kombëtar Shebenik- Jabllanicë ndodhet në veri-lindje të Shqipërisë. Qendra e zonës është fshati Steblevë, që ndodhet vetëm 30 km nga qyteti I Librazhdit dhe shumë pranë kryeqytetit. Nga Tirana udhëtimi nuk zgjat më shumë se 2-3 orë, në varësi të pushimit gjatë rrugës.
Ky park mund të vizitohet brenda ditës ose mund të shijohen edhe për më gjatë bukuritë natyrore të kësaj zone, duke qëndruar në shtëpi pritëse. (Kampingjet nuk janë të këshillueshme për shkak të kafshëve të egra)
Mikpritja e banorëve të zonës është e admirueshme. Shumë prej tyre janë rikthyer në fshatin e tyre duke rindërtuar banesat e tyre, duke mirëpritur turistë dashamirës të natyrës, për të shijuar bukuritë e kësaj zone.
Është një terren alpin dhe i vështirë por i admirueshëm për bukurinë mahnitëse. Përveç  shëtitjeve, (hiking, biking, climbing, fishing etj), duke pasur parasysh se ndodhemi në një zonë të izoluar, mund të ushtrohen edhe sporte si futboll, volejboll,etj. Ndërsa në dimër rekomandohen shëtitje në natyrë në bardhësinë e borës dhe për amatorët e skive,  ski në pista natyrore.   Gjithashtu mund të ndezim edhe zjarre në natyre (duke pastruar zonën nga drurët e thatë), Mund të organizohen piknikë në natyrë, birrat dhe pijet e freskëta dhe frutat mbahen të freskëta në ujrat e ftohta të zonës.
Flora dhe fauna e këtij parku është për tu admiruar
Pisha, ahu, e mjaft bimë e pemë të rralla karakteristike e zonave në mbi 1200 m.
Çaji i malit, kamomili, boronica janë çajra që gjenden në këtë park. Gjithashtu edhe mjaft bimë të tjera medicinale që kanë efekt kurativ.
Zona është e pasur me kafshë të egra si: ariu i murrmë, ujku, dhelpra,etj, gjithashtu mund të shihni, qukapik, lepur të egër, ketër, etj
Gjuetia bëhet vetëm me leje të posaçme.
Guzhina tradicionale e zonës është BIO
Mëngjesi
Vezë fshati të ziera ose omletë ose sy, djathë, gjalpë, reçel ftoi, mollë, kumbulle, qumësht, buke fshati e thekur, çaj mali, çaj boronice, çaj kamomili i mbledhur në lartësitë e maleve. (shërbehet në natyrë).
Dreka
E organizuar në formën e piknikut
Lakror misri me hithra, lëpjeta, presh, qepë {sipas dëshirës) i pjekur me sac
Mish qingji ose viçi i pjekur
Molle dhe patate të pjekura.
Darka
Sallatë  sipas stinës,  gjizë me vaj ulliri, bukë misri, gruri e thekur.
Patate të skuqura ose furrë me mish pule ose qengji.
Pilaf  ose Gjellë tradicionale sipas traditës, si mish me patate  ose me perime, kërpudha .
P.s: (menuja ofrohet në bazë të dëshirës së vizitorëve).
Shtëpia pritëse – Liman Nura (Niti) 00355 67 25 35 346
 (Ana) 00355 69 21 38 525
10 euro/nata – fjetje + mëngjes
30 euro/nata – full board
Këshillë
Ju këshillojmë  që për një udhëtim të tillë duhet të merrni veshje sportive dhe atlete , kapele në sezon vere, duke pasur parasysh që e gjithë guida bëhet në zone të vështirë  malore dhe duke mos harruar edhe një xhaketë ose diçka tjetër për në darkë pasi është më fresk.

 

5.0/5 rating (1 votes)

Hits

27580

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.