Norvegjia, mbretëresha e dimrit

Norvegjia, mbretëresha e dimrit

Written by Kastriot Faci on Sunday, 22 December 2013. Posted in Outgoing

Udhëtim në vendin e kaprojve

Norvegjia, mbretëresha e dimrit

Jam nisur për në Oslo, është dimër, dëbora e akulli kanë veshur çdo gjë rreth e rrotull. Treni  na shoqëron që nga nisja, stacioni i Lillehammer, qytetit të lojrave olimpike dimrore të vitit 1994. Kujtoj që Falk-u, një nga miqt e mi të shumtë Norvegjezë më pati  thënë, që liqeni ka një shtrirje gjatësore prej 100 km. E kujtoj mirë këtë sepse, kishim biseduar për banorë më të rinj të qytetit të tij, të saporardhur, kryesisht nga Hollanda e Spanja  që kishin organizuar një garë 100 km me patina në akull përgjatë tij. Këto tre vitet e fundit popullsia e Norvegjisë ka pësuar rritje, janë 5 milion banorë, kjo për shkak të emigracionit nga vendet e prekura nga kriza në Europë.  Disi i çuditshëm më duket vendimi i qeverisë Norvegjeze, që të përdorë vetëm 4 % të të ardhurave nga industria e hidrokabureve. Arsyeja që të krijojë rezerva monetare për brezat e ardhshëm. Norvegjezët i kanë thënë me referendum dy herë “jo” futjes në Bashkimin Europian. Në vitet 50, ajo kishte qenë një nga vendet më të varfra të Europës dhe kishte përfituar ndihma nga Kombet e Bashkuara. Por gjithçka ndryshoi në vitet 1960, kur fati i kishte buzëqeshur me zbulimin e rezervave hidrokarbure. Ato kanë bërë që ajo të renditet ndër 5 vendet me standartin më të lartë në Europë.

Teksa unë vazhdoj udhëtimin me tren, lëmë pas një të molo të akullt, e cila është plotësisht e braktisur nga skafet dhe njerëzit, që në muajt e verës janë të shumtë. Në një kodrinë përkrah, krejtësisht të zbardhur shoh tre kaproj kokë me kokë, mendoj që patjetër duhet të kenë gjetur ndonjë ushqim. Sot termometri shënon -17 gradë, është shumë ftohtë. Norvegjinë zakonisht e vizitoj gjatë muajve të pranverës e verës. Gjatë këtyre dy stinëve natyra, vishet me ngjyra të gjelbra dhe shkëlqimi i diellit, bën që ditët të jenë më të gjata se kudo. Ashtu si natyra, edhe njerëzit janë të çelur, janë më të shoqërueshëm, paçka se njihen si njerëz të ftohtë, gjë për të cilën unë nuk kam të njëtin mendim. Në këto 7-të vitet e fundit, e kam vizituar Oslon në javën e fundit të muajit Korrik. Kemi ardhur për të marrë pjesë me ekipet e futbollit nga qyteti im në kupën e Norvegjisë. Ajo është evenimenti më i madh sportiv në botë për fëmijë me 30 mijë pjesëmarrës, dhe vitin e kaluar festoi 40 vjetorin e saj. Të vish nga Shqipëria në Norvegji në këtë periudhë është fantastike, pasi “arratisesh” nga vera jonë tejet e nxehtë me temperaturë 38 gradë, dhe vjen në vendin me verë më të freskët në Europës me temperaturë 17-20 gradë.
Mbërrijmë tashmë në Oslo, siç e quajnë ndryshe kryeqytetin e natyrës dhe kulturës. Është fund dhjetori, prag krishtlindjesh. Jam duke ecur e duke soditur artikuj të ndryshëm në rrugicën e vogël, përmes tregut të kioskave të krishlindjes, në rrugën kryesore të Karl Johansen, ngjitur me ndërtesën e Teatrit Kombëtar Henrik Ibsen. Për herë të parë shoh një zonjë nga minoriteti “Sami”. Këta janë indigjenë  që jetojnë në veri të vendit. Ajo po i prin një karvani me pesë drerë me ngjyrë të bardhë e të murmë, të cilët po tërheqnin pas vetes 4 slita me rrota të vogla. Gruaja “Sami” që mban të veshur veshje kombëtare më buzëqesh mua natyrshëm tek më sheh që po i bëj foto, ashtu më duket sikur bën dhe Dreri që i prin karvanit. Asnjëherë më parë nuk i kam parë këto kafshë prej afër si sot, i kam parë vetëm në TV.
Osloja gjatë dimrit është vendi ideal për të apasionuarit pas skijimit. Jo më kot e quajnë kryeqyteti dimëror i botës. që ofron 2600 Km pista të pregatitura për skijim cross country, me shtrirje deri thellësi të pyjeve të Oslos. Janë të shumta eventet kombëtare e ndërkombëtare në sportet dimërore të organizuara aty. Lartësia e Kullës së Holmekonen, kullë hedhjesh me ski, të ofron mundësinë e shijimit të pamjeve fantastike të qytetit si gjatë dimrit, ashtu edhe gjatë verës.
Muzetë në Oslo janë të shumtë. Guida e qytetit ka të listuar plot 52 të tillë. Disa nga muzetë e saj i kam vizituar, ndër ta mund të përmend muzeun e Çmimit Nobël të Paqes, Muzeu Kombëtar i Historisë, Muzeu Teknik, Muzeu Etnografik dhe Folklorik, Muzeu Gjeofizik dhe Botanik, Muzeu i Anijeve “Fram” dhe “Kon Tiki”,  Muzeu i Anijeve Vikinge, Galeria Kombëtare  “Edward Munch”, Parku i Skulpturave “Vigeland”. Gajtë vizitës në Muzeumin e Çmimit Nobel të Paqes, kujtoj që u ndjemë shumë krenarë kur në një nga pavionet e këtij muzeu, ekspozoheshin materiale mbi jetën e Nënë Terezës, të vetmes Nobeliste Shqiptare.
Në Oslo kam parë spektaklin botëror të trupave profesioniste Brassband, Military Tatto, një show madhështor në teatrin e madh të Oslo Spektrum. Këtu u mbajt edhe festivali Europian para dy vitesh. Opera house, ndërtesa shumë e veçantë dhe e përfolur për koston e saj, ofron një mundësi për turistët, për shkak të vendndodhjes së saj, vetëm 150 m larg stacionit të trenit. Ndërtesa e veshur me mermer me ngjyrë të bardhë, zhytet në ujin e detit si të ishte një ajsberg gjigand. Aty janë të shumat eventet social-kulturore që mbahen gjatë vitit. Sheshi i krijuar nga ndërtesa e bashkisë dhe sheshi Aker Bryke, si dhe kalaja, janë ndër vendet më të populluara nga turistët gjatë verës.  Osloja është destinacioni perfekt për ata që janë të interesuar për jetën e piktorit Edwart Munch. Një vizitë në muzeun që mban emrin e tij, është një mundësi unike për t’u njohur me piktorin më të madh të kohëve moderne.  “Britma” e punuar prej tij në vitin 1893, është një prej kryeveprave në këtë muze,  “Vajzat në urë” 1901, “Madona” 1893  e piktura të tjera gjithashtu. Në afërsi të këtij muzeu janë dhe muzetë gjeografizik dhe ai botanik, edhe ata të veçantë dhe me interes sidomos për fëmijët. Parku i skulpturave “Vigelang” është një vend që duhet vizituar patjetër, aty ndodhet dhe skulptura e “djalit që qan”, e cila është vjedhur më shumë se një herë. Një vend tjetër që jua sugjeroj është dhe parku i argëtimit Tysenfryed, e thënë ndryshe, një park i një mijë mundësive. Ai është një nga parqet argëtuese më të mëdha në veriun e Europës. Në Oslo, ju mund të shijoni dhe mundësitë e të udhëtuarit me kroçierë. Ku mund të shijoni bukurine e pamjeve të fjordeve nordike nën tingujt e muzikës ”Zbardhja e ditës” së kompozitorit Norvegjez Grig.
Nuk më kujtohet sa herë e kam vizituar Norvegjinë, por çdo herë që e vizitoj, është e pamundur të mos gjej diçka interesante, sidomos në Oslo. Por edhe qytetet e tjera kryesore të saj, si Bergen, Kristiansand, Trondheim etj., kanë se ç’t’ju ofrojnë. Vetë se, keni parasysh të jeni të mirë përgatitur finaciarisht  për të vizituar këtë vend. Norvegjia është një nga vendet më të shtrejta të Europës dhe të botës. Norvegjezët janë njerëz që udhëtojnë shumë, të paktën dy herë në vit dalin me pushime jashtë vendit të tyre. Një ndër arsyet pse ata e bëjnë këtë është sepse të qënit turist në vendin e tyre i kushton më shumë. Ata preferojnë shumë vendet e nxehta, Tailandën, Spanjën, Greqinë, Portugalinë dhe Turqinë.  
Një këshillë tjetër për të gjithë lexuesit e Revistës Travel! Nëse pasi lexon këtë shkrim planifikoni që të vizitoni Norvegjinë,  Oslon, atëhere për më shumë informacion bëni mirë të vizitoni qendrën e informacionit turistik online: www.visitoslo.com.   Aty do të gjeni informacion në 6-të gjuhë, rreth akomodimit, eskursioneve, broshura, bicikleta me qera, sightseeing. E nëse ju jeni tashmë jeni aty, në Oslo, internetin WIFI e keni falas: Username: VisitOSLO guest, fjalekalimi: iloveoslo
Mbreteria e Norvegjisë
Gjuha e folur: Nynorsk
Popullsia: 5 milion banorë
Kryeqyteti: Oslo
Siperfaqja: 385 252 km₂
Industria baze: Hidrokarburet
Aeroporti kryesor: Gardermoen
Si të arrini në Norvegji me traget: Color Line- Kiel, DFDS Seaways- Copenhagen dhe  Stena Line- Frederikshaven.

2.0/5 rating (1 votes)

Hits

17413

About the Author

Kastriot Faci

Kastriot Faci, ka lindur në qytetin e Shkodrës më 24.12.1967. Aktualisht punon si menaxher i organizatës jofitimprurëse "The Door" me seli në Shkodër. Pasioni i tij janë fotografia, ecjet në mal, dhe organizimi i eventeve të ndryshme social-kulturore. Disa nga aktivitetet ku ai është përfshirë dhe ka kontribuar në ngritjen e tyre janë shumë unike. Ndër to mund të përmendim: Festivali i Lojrave Popullore për të rinj, Trupa Muzikore për Persona me aftësi ndryshe, Ekipi i Futbollit për Femra, Trupa e Valles për fëmijë me origjinë egjiptiane etj. Për shkak të angazhimit pranë OJF The Door dhe të hobeve të tij, ai udhëton shumë dhe aparati fotografik është prezent bashkë me të në çdo moment. Shumë nga fotot dhe disa nga shkrimet e tij ai i ka publikuar profilin e tij në FaceBook si dhe në revistën “Travel”. Ai është angazhuar si bashkëpuntor i revistës “Travel” që në numrat e parë të saj e në vazhdim. 

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.