“Bjeshkët e Namuna”, welcome to the “Wild World”
Shënime udhëtimi nga ditari i Gent Matit
Gjithçka nisi në mesin e verës 2008 nga një e-mail ku OA – Outdoor Albania, ftohej të përgatiste itinerarin dhe logjistikën për një dokumentar në Veriun e Shqipërisë. Kësaj here në ndryshim me kërkesa të tjera të ngjashme të të shkuarës ku theksi vihej rëndom mbi fenomene sociale të hidhura si gjakmarrja apo virgjëreshat e “kthyera” në burra të bjeshkëve tona, kompania “Pilot Productions” na kërkoi të përzgjidhnim pikat natyrore më tërheqëse të Veriut për serinë shqiptare të ciklit ‘Treks in a Wild World – Shtegtime në një Botë të Egër” – i cili më pas do të transmetohej në kanale prestigjoze si National Geographic, Discovery Chanel, etj. Natyrisht që një detyrë e tillë nuk mund të mos na entuziazmonte! Brenda pak ditëve një bashkëpunim i frytshëm ndërmjet OA, projekteve EDEM dhe Balkan Peace Park – Parku Ballkanik i Paqes, ngjizi idetë, rrugët, ndalesat dhe personazhet që do të ilustronin këtë udhëtim i cili do të niste dhe përfundonte në qytetin e Shkodrës – qendra urbane e Veriut Shqiptar. Udhëtimi i vërtetë “jashtë letrave” filloi në javën e fundit të muajit Gusht. Në ekipin e miqve spikasnin prezantuesja e re dhe tërheqëse Zoe Palmer, regjizori me përvojë Peter Minns dhe drejtori i fotografisë/kameramani i shkathët Harald Bachmann.