Farma Sotira, një parajsë në zemër të natyrës
Udhëtim i paharruar drejt Gërmenj-Shelegurit, Ersekë Shqipëri
Flora Xhemani
Nuk e kishit dëgjuar ndonjëherë këtë emër?
Ky itinerar që ne do përshkojmë, mendojmë se meriton vëmendjen tuaj, jo vetëm sepse ka një larmi të mrekullueshme relievi, bimësie e bukurish natyrore, por edhe sepse mu në zemër të kësaj zone ka lulëzuar një oaz argëtimi që do të plotësonte më së miri, të gjitha kërkesat e dëshirat e çdokujt që është i dashuruar me natyrën dhe me sportet e saj, kalërimin, peshkimin, piknikët, ecjet, ngjitjet në mal, skitë në kohën e dimrit e notin në stinën e verës.
Po ju flasim për Sotirën, një vend i vogël e shumë i bukur, në rrethin e Ersekës, 25 km drejt rrugës për në Leskovik.
Zona ndodhet në zemër të rezervatit natyror Gërmenj-Shelegur, një destinacion i natyrës shqiptare që ju ofron bukuri të pafundme, në çdo stinë të vitit.