Ferma Ekosociale  “Ana e Malit”,  risia e agroturizmit Shqiptar

Ferma Ekosociale “Ana e Malit”, risia e agroturizmit Shqiptar

Written by Kastriot Faci on Saturday, 22 July 2017. Posted in Tradita

Turizmi që po lulëzon pa u ndier por me një treg të sigurt

Ferma Ekosociale  “Ana e Malit”,  risia e agroturizmit Shqiptar
Ferma Eco-Sociale Ana e Malit është një sipërmarrje sociale, e cila synon të ketë ndikim të dyfishtë, ndikim në mjedis dhe social. Ajo afron më afër njerëzit me natyrën, nëpërmjet organizimit të aktiviteteve social-kulturore në natyrë dhe punësimin e personava me aftësi të ulëta kontraktimi. Eshtë një nga tre projektet fituese në konkursin Ideve të Gjelbërta, konkurs i përvitshëm i organizuar nga Partnerët Shqipëri. Falë angazhimit së organizatës The Door dhe të partnerëve të saj, unë nuk jam i vetëm në këtë projekt. Për më shumë ju ftoj të lexoni dhe të njiheni me ketë fermë, e cila është e para në llojin e saj në vendin tonë.
Ka qenë viti 2012, kur unë me ftesë nga Ruzhdi Poda, mësues në pension dhe Isa Meti, aktivist kulturor, pata vizituar për herë të parë të gjithë fshatrat e Anës së Malit. Atëherë nuk e kisha menduar që do ta dashuroja kaq shumë këtë zonë, e cila shquhet për bukuritë natyrore, produket bujqësore dhe njerëzit e saj shumë të mirë. Vetëm një vit më pas, mora angazhim për ngritjen e Fermës Eko-Sociale, pikërisht në një nga kodrat e kësaj zone, ku tashmë dalëngadalë ka marrë formë e po merr jetë çdo ditë Ferma Agroturistike Ekosociale. Me distancë vetëm 2,2 km larg urës së Bunës, 7 km larg qendrës së qytetit të Shkodrës dhe 12 km larg pikës kufitare të Muriqanit me Malin e Zi, ferma është e arritshme për këdo, qoftë në këmbë, me biçikletë apo me makinë. Ajo kufizohet nga shtëpia e Malësorit, fshatin Zues dhe fshatin Xhaferaj. Ferma ndodhet në zonën me peisazh të mbrojtur të lumit Buna në Bashkinë Shkodër, në njësinë administrative Ana e Malit. Shtrihet në një kodrinë argjilore, pjesë e një vargu kodrash, të quajtura Kodrat Magjype. Thuhet që dikur në kodra kanë banuar familje kovaçësh të ardhur nga Egjipti, ndaj quhen dhe Kodrat Magjype. Brinjë këtyre kodrave kalon një rrugë e vjetër e ndërtuar nga Perandoria Austriake, e cila lidhte Shkodrën me Krajën, në Mal të Zi. Këtu në vitin 1967, ka fillesat e saj ndërmarrja bujqësore “Perlat Rexhepi”, e vetmja fermë me shtrirje në të gjithë zonën rreth qytetit të Shkodrës. Meqë kodrat klasifikoheshin si një tokë joprodhuese për drithërat, rreth vitit 1983 ato u mbollën masivisht me fidane ulliri me punë vullnetare. Vaditja bëhej me pompat që thithnin ujin nga lumi Buna dhe ullinjtë dhanë rendiment të lartë.
Kujtoj që profesor Ahmet Osja më pat treguar, që një arsye më shumë për mbjelljen e kësaj kulture ishte që pikërisht mbi këtë zonë kalon paraleli i 42-të, këtu hëna ndriçon 2,2 herë më shumë. Pasi keni lënë asfaltin e marrë kthesën djathtas tek një tabele e bërë nga një baraban kabllosh, ju duhet ecni për vetëm 200 m në rrugë rurale dhe ja, mbërritët. Parkingu kufizohet nga një bahçe të rrethuar mjeshtërisht me kallamë. Brenda saj janë tre ullinj, e pas tyre, një kënd lodrash , tre ndërtesa të ulëta, dhe një masiv pishash që ngjiten lart deri në kodër e që shoqërohen nga të tjerë ullinj. Fabiola, një qen i racës labrador me dy këlyshët e saj Ekon dhe Farma, janë tashmë duke ju mikpritur duke u hedhur e lehur nga gëzimi. Tre macet lozonjare, banore të fermës, gjithashtu ju shoqërojnë, por shpesh here më në distance dhe disi më indiferente për vizitën tuaj. Veranda e repartit të punës së ngritur nga blloqe betoni është mobiluar thjesht. Aty do të shikoni disa karrige Milingona të prodhuara me kofanet e makinave, materiale të ricikueshme. Tavolinat e stolat e tjerë gjithashtu janë prodhuar në fermë në të njëjtën mënyrë. Veranda përdoret për ushqim dhe veprimtari të tjera kreative. Reparti i punës tani për tani shërben si një magazinë për ruajtjen e shumë objekteve të grumbulluara, të cilat i përkasin të kaluarës dhe në vetvete mbartin shumë histori interesante.
Në fakt këtë hapësirë në të ardhmen e afërt ne synojmë ta përdorim për ngritjen e shërbimit të restorantit me gatime tradicionale të zonës së veriut të vendit tonë. Akomodimi Le të ngjitemi në rrugën që të shpie tek një ndërtesë ne dukje druri, që është pagëzuar me emrin banesa sociale. Ajo shërben për akomodimin e 10 pushuesve. Dhomat të gjitha kanë akses në verandë dhe një strehë me kallama, që i shërben pushuesve për t`u mbrojtur nga rrezet e diellit.
Nga veranda ju mund të shijoni panoramën dhe luginën e shegëve të buta, pyllit të ullinjve e drurëve të lisit në kodrat përballë dhe banesat e Shtëpisë së Malësorit. Në krahun e majtë të banesës sociale të bën kureshtar një shtëpizë e bukur me ngjyre të bardhë me me çati me tjegulla të vjetra marsejeze. Kjo është ish-stalla e fermës, e cila tani ju jep mundësinë e akomodimit. Eshtë e pajisur me 10 shtretër duke i dhënë mundësinë pushuesve në grup, që jo vetem të flenë, por dhe të argëtohen në verandën e saj. Kushtet që ne ofrojmë për akomodim në fermë janë modeste, kjo pasi ne dëshirojmë që klientët tanë të përjetojnë një përvojë ndryshe, diçka tjetër nga e përditshmja, e thjeshtë, e pastër , diçka që të plotëson nevojat bazë, me çmim të lirë dhe konkurues në treg.
Ferma akomodon deri në 20 persona, grupe nxënësish, familje apo grupe shoqërore, që i pëlqejnë aktivitetet në natyrë. Ne kemi si target turistët e aventurës, ata që kryesisht udhëtojnë me biçikleta dhe u pëlqen të flenë shpeshherë jashtë, në çadra, në qiell të hapur, në hapësirat e kushtet që të ofron ferma. Këtu është mundësia e akomodimit falas, për ata që angazhohen me punë vullnetare, duke ndihmuar në punët e përditshme të fermës. Një mur guri mbajtës ndan sheshin e akomodimit për çadrat me ish stallën dhe një shesh që përdoret nga pushuesit për parking apo për të luajtur futboll e basketboll. Pak më lart është stalla, e cila është ndërtuar me materiale të riciklueshme. Aty jetojnë të gjithë kafshët e shpendët e fermës, përveç bletëve. Ato janë dele, dhi, pula, pata, gomerë, pëllumba, rika, pulhine. Ndërkohë gjatë shëtitjeve në fermë Ju mos u habisni nëse ndonjë lepur ju pret rrugën me shpejtësi. Breshkat janë më të shumta në numër se sa Iriqët, të cilët janë banorë autoktonë në fermë. Kryesisht hutini, por dhe zogj të tjerë fluturojnë përmbi fermë, të parët për të rrufitur ndonjë nga pëllumbat apo zogjtë e pulave e të tjerët për të shoqëruar me këngën e tyre juve gjatë të gjithë kohës që jeni këtu. Një shumëllojshmëri zogjsh të tjerë fluturojnë mbi qiell me destinacion lumin Buna, fushat përreth apo dhe në liqenin e Shkodrës. Shëtitjet në fermë janë një atraksion më vete ndaj tabelat orientuese ju ndihmojnë të merrni rrugën për lart.
Ndërsa jemi duke ecur, pas rreth 200 metrash, në të majtë dallojmë 27 koshere me bletë të rrethuara me një rrjetë me ngjyre jeshile. Vazhdojmë ecjen e kur mbërrijmë lart në kodër, lexojmë një tabelë “Ullinjtë e shpëtuar nga Zefi”. Për t’ju shuar kureshtjen, ju tregoj historinë. Ishte marsi i vitit 1997, “gjatë krizës së piramidave”, në një natë u prenë të gjithë ullinjt për dru zjarri. U prenë nga disa persona, të quajtur “banorët e pallateve”. Këta janë banorë jo autoktonë, të ardhur nga zonat e përmbytura të hidrocentalit të Fierzës. Të 37 ullinjtë janë dëshmitarët e kësaj ndodhie të pazakontë. Ne i kemi pagëzuar me emrin e Zefit, në nder të aktit të bërë nga Zef Vata, njëri prej banorëve të Shtëpisë së Malësorit. Ai i ka mbrojtur këta ullinj nga prerja prej disa banorëve të pashpresë e të mërzitur nga sistemi komunist. Ndërkohë ne vazhdojmë ecjen në këmbë dhe kalojmë përmes një fushe volejbolli ku shtyllat e saj janë të bëra me drurë.
Pas pak metrash na shaqet madhërishëm një amfiteatër, i cili shtrihet në kodër. Forma e tij është si në kohët e teatrit antik. Eshtë ngritur me gurët natyralë të grumbulluar me karrocë me kalë në zonë e pa përdorur asnjë kovë llaç, kudo mbizotëron ngjyra jeshile, ajri i pastër, ndaj dhe e kemi pagëzur me emrin “Amfiteatri Natyror”. Skena e tij është prej druri dhe hekuri me përmasat të bollshme që lejojnë performancën në grup. Ajo është mikpritëse për artistët e rinj si nga brenda ashtu dhe jashtë vendit tonë. Që prej tre vitesh në këtë skenë çdo vit realizohen veprimtari social kulturore dhe shërben si promotore e traditave tona, kulturës, paqes, teatrit social për rininë. Kapaciteti i amfiteatrit është deri në 5 mijë persona. Hapësira dhe skena e amfiteatrit shërbejnë gjithashtu për nxënesit e shkollave, vizitore ditorë të fermës.
Bimësia e fermës Mikroklima e krijuar me erërat bregdetare dhe nga Mali i Taraboshit, ndihmojnë që zona të shquhet për prodhime të mira bujqësore, perimet dhe zarzavatet. Gjatë dy viteve të fundit fermës i janë shtuar 300 fidanë ulliri të rinj, të cilat janë mbjellë nga mbështetja e Swiss dhe Austrian Cooperation. Krahas tyre kemi mbjellë pemë frutore si limonë, portokalle, mandarina, dardha etj. Një masiv me pisha mbjellë nga ndërmarrja pyjore rreth 7 vjet më parë, përbën një pjesë të madhe të bimësisë së fermës. Ato po rrisin kurorën jeshile mbi banesën sociale, si dhe rrisin sigurinë e mbrojnë kodrën nga erozioni. Shegat dhe dardhat e egra, rrënjët e të cilave i kanë rezistuar sopatës së njerëzve dhe thatësirës së verës, tashmë e kanë rimarrë veten. Vilet po ashtu. Ato i rezistojnë thatësirës të vendosur pikërisht aty ku lagështira dëshmon prezencën saj, në brinjët e kondrës. Lulet e stinës të shumta lulëzojne sipas radhës krahas bimëve medicinale e aromatike si sherebela, makthi dhe levando të mbjella së fundmi nga ne. Tashmë kemi mbërritur në majë të kodrës, aty ku tabela shënon “Sheshi Belvedere”. Prej këtu ju mund të shijoni panoramën fantastike duke filluar që nga Mali i Cukalit, Guri i Zi, Ganjolla, Bërdica, fushat e Dajçit, kodrat Oblikës e në vazhdimin kodrat e malet përtej kufirit e deri në majën e Taraboshit. Duke dashur t’ju lëmë kureshtarë për të ditur me shumë, këtu unë do të ndërpres rrëfimin tim, duke ju falenderuar që më “ndoqët” në këtë udhëtim imagjinar. Unë gjej rastin t’ju ftoj ju të na vizitoni në fermë, duke filluar nga pranvera, në mars të vitit 2017.
Atraksionet e Fermës
Ngjitje në Malin e Taraboshit si dhe në fshatrat e sipërm
të Anës së Malit si Muriq, Krebaj, Kravar e në fshatin kufitar të Vithgarit.
Çiklizëm malor në rrugët e shtigjet e zonës.
Plazh në lumin Buna, aty mund të shkoni me biçikletë apo
në këmbë.
Akomodimi me çadra në natyrë të hapur, organizimi i grilave familjare.
Shëtitje me gomar, kujdesi ndaj kafshëve, shpendëve
dhe bimësisë së fermës.
Vizite në muzeun e historiko-etnografik, pranë gjimnazit
Oblikë, muzeut të ngritur nga Ruzhdi Poda dhe Isa Meti.
Shëtitje me varkë, skafe dhe anije në lumejt Buna e Drin dhe në Liqenin e Shkodrës me mjetet e ludrimit të menaxhuara nga “Vëllezërit VATAKSI.

Atraksionet të tjera Me Biçiklete
Shëtitje dhe Vizitë në Kalanë Rozafa.
Shëtitje buze Liqenit të Shkodrës, Shirokë dhe Zogaj.
Shëtitje brigjeve dhe rrugëve në krah të lumejve Buna, Drini dhe Kir.
Shëtitje me biçikletë në rrugën e biçikletave “Jetoje Lumin” në zonën e Dajçit.
Shëtitje me bicikletë në qytetin e Shkodrës, vizitë në muzeun e fotografisë MARUBI, Muzeun Historik, Xhaminë e Plumbit, Muzeun e Kujtesës, Kishën Katedrale të Shën Shtjefnit etj.

 

Disa nga aktivitetet e planifikuara në fermë gjatë vitit 2017


Janar Marshimi i përvitshëm për në Tarabosh- edicioni i 6-të Fundjaven e dytë e Janarit me pjesëmarrjen e grupeve
rinore nga vendi ynë, Kosova dhe Mali i zi.
Mars Hapja e sezonit turistik Organizimi i vizitave për vogelushët e kopshteve
dhe nxënësve të shkollave.
Prill Java e peshkut të kubles Gatimi i peshkut të kublës
Prill Lojra Popullore Fest- edicioni 9-të Me pjesëmarrjen e trupave rinore nga vendi ynë
dhe nga vendet fqinjë.
Qershor Festimi i festës së fëmijëve Me pjesëmarrjen e fëmijeve nga kopshtet e qytetit
dhe të zonës përreth.
Korrik -Gusht Kampingu i vullnetareve Me pjesëmarrjen e të rinjve nga zona dhe vendi ynë,
angazhimi me punë vullnetare.
Gusht Festa e rinisë Mbrëmje rinore
Shtator Teater social Shfaqje artiste të rinj, kllounë
Tetor Festa e Shegës Feste lokale dedikuar frutit të Shegës
Tetor Java e Qefullit Gatimi i peshkut te qefullit
Nentor Festa e gjeshtenjes Feste lokale dedikuar frutit te geshtenjes
Nentor Java e Gjucës Gatimi i peshkut të Gjuces
Dhjetor Të fala nga Ferma Me pjesëmarrjen e fëmijeve nga kopshtet e qytetit
dhe të zonave Rurale të Bashkisë Shkodër.
Dhjetor Java e pirjes së verës Shërbehen verë dhe verë e ngrohte me ushqime
të gatuara me produkte lokale.
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

191

About the Author

Kastriot Faci

Kastriot Faci, ka lindur në qytetin e Shkodrës më 24.12.1967. Aktualisht punon si menaxher i organizatës jofitimprurëse "The Door" me seli në Shkodër. Pasioni i tij janë fotografia, ecjet në mal, dhe organizimi i eventeve të ndryshme social-kulturore. Disa nga aktivitetet ku ai është përfshirë dhe ka kontribuar në ngritjen e tyre janë shumë unike. Ndër to mund të përmendim: Festivali i Lojrave Popullore për të rinj, Trupa Muzikore për Persona me aftësi ndryshe, Ekipi i Futbollit për Femra, Trupa e Valles për fëmijë me origjinë egjiptiane etj. Për shkak të angazhimit pranë OJF The Door dhe të hobeve të tij, ai udhëton shumë dhe aparati fotografik është prezent bashkë me të në çdo moment. Shumë nga fotot dhe disa nga shkrimet e tij ai i ka publikuar profilin e tij në FaceBook si dhe në revistën “Travel”. Ai është angazhuar si bashkëpuntor i revistës “Travel” që në numrat e parë të saj e në vazhdim. 

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.