Pritshmëritë  dhe realizimi i tyre për sezonin pranverë-verë 2013

Pritshmëritë dhe realizimi i tyre për sezonin pranverë-verë 2013

on Monday, 15 April 2013. Posted in Fokus

Kush janë potencialet tona dhe prej nga e presim numrin më të madh të turistëve?

Pritshmëritë  dhe realizimi i tyre për sezonin pranverë-verë 2013

Petrit Gjeçaj
Më datën 25 – 27 Prill 2012 u realizua Panairi i Turizmit në Pallatin e Koncerteve në Tiranë ku morën pjesë operatorë turistikë nga Kosova, Mali i Zi, Turqia dhe Maqedonia. Në këtë panair u shfaq një pritshmëri shumë pozitive për këtë sezon, edhe pse kudo ndjehej frika e krizës botërore ekonomike që do kishte pasoja edhe në turizëm por të gjithë kishim shpresën se nuk do të ndikoheshim nga kjo krizë duke qënë se jemi një ekonomi e vogël dhe e mbyllur, jo shumë e konsoliduar. U publikuan produkte të ndryshme turistike për të gjitha pjesët e Shqipërisë, kishte interesim nga shumë qytetarë dhe nga operatorë turistikë, por nuk kishte mbështetjen e duhur nga media në përgjithësi. Ishte një lajm jo fort i mirë, kur mori pjesë në hapje njëri prej pesë zevendësministrave të MTKRS dhe njëri nga disa nënkryetaret e Bashkisë së Tiranës, por ne i dhamë vetes kurajo dhe punuam me gjithë forcën tonë për të arritur objektivat që i kishim vënë vetes. 

Shqipëria ka disa vite që po vizitohet prej turistëve nga e gjithë bota, të cilët fatmirësisht janë në rritje vit pas viti. Gjatë të gjithë vitit grupe të ndryshme turistësh një apo dy ditorë, ose edhe ditorë, arrijnë në Shqipëri nga pika të ndryshme kufitare ku në vendin e parë janë Porti i Durrësit dhe Aroporti Nënë Tereza, bëjnë një vizitë në amfiteatrin e Durrësit, Qytetin e Krujës dhe të gjithë mundohen të vizitojnë Muzeun Kombëtar. Të gjithë ata që vijnë në Shqipëri kanë një kuriozitet për të njohur një pjesë të historisë së Popullit tonë dhe për të krahasuar ato që kanë dëgjuar me atë që gjejnë realisht në vizitën e tyre. Shqipëria është një thesar i pazbuluar në një Europë të tejngopur me vendë që vizitorët i kanë vizituar disa herë. Fatkeqësisht në shumë pak destinacione është ruajtur tradita jonë kulturore apo arkitekturore, për të cilën vijnë të huajt për të na vizituar. Nëse do ishte e ruajtur më mirë, do të ishim shumë më interesant si vend turistik. Nga destinacionet më të rëndësishme të Shqipërisë  janë Alpet dhe arkeologjia. Alpet nga Vermoshi, Thethi dhe Valbona janë të kërkuara gjatë të gjithë sezonit kur mund të vizitohen, kryesisht nga muaji Maj deri në fund të Tetorit. Zonat arkeologjike si Durrësi, Apollonia dhe Butrinti vizitohen më shumë edhe pse akoma nuk kemi arritur të jemi aq atraktive me paketat turistike.
Prej pesë vjetësh njëri nga destinacionet më të rëndësishme që unë mbuloj janë Alpet: Thethi, Valbona dhe Vermoshi që janë edhe nga desitinacionet më të kërkuara nga turistët e huaj në Shqipëri.
Thethi ose i ashtuquajturi nga të gjithë vizitorët që në vitin 1879 “Zemra e Alpeve të Ballkanit” mbetet qershia mbi tortë për të gjitha Alpet, ka një traditë në turizëm prej më shumë se 100 vjetësh. Ka bukuri dhe burime që të duhen disa ditë për ti shijuar, që nga Ujvara e Grunasit, Syri i Kalter në Kapre, kisha e ndërtuar ne vitin 1892, Muzeu Etnografik, ose shtëpia e Lulash Keqit, pa dalë në pjesën e sipërme të Thethit që ka Majën e Harapit që është më e bukura në Shqipëri për ngjitësit e Alpinizmit të vështirë, Shpella e Majës së Harapit që nga eksplorimet e këtij viti ka nxjerrë në pah një anë që nuk ishte e njohur më parë. Thethi nga një fshat që komunizmi e kishte larguar nga tradita e pritjes së turistëve sepse kishte ndërtuar një hotel i cili pas viteve 1990 nuk u vu asnjëherë në punë, iu kthye kësaj tradite mikpritje dhe ka një sukses të jashtëzakonshëm. Pas viteve 2002 me mbështetjen e GIZ dhe me promovimin e bërë nga Antonia Young, që bëri disa projekte dhe i promovoi Alpet me “Parkun Ballkanik të Paqes” ka pasur një zhvillim shumë të madh. Sot ka mbi 400 shtretër dhe po përmisohet akomodimi dhe pritja me hapa shumë të shpejtë. Vetem ata që e kanë vizituar në vite mund të arrijnë të kuptojnë ndryshimin. Nëse kërkon në arkivat e viteve 1920 deri 1940 shikon se me sa dashuri e kanë trajtuar mediat e shkruara të Shqipërisë dhe ato të huaja Thethin dhe e kanë quajtur parajsa e ardhshme e Europës. Thethi pengohet nga mungesa e standarteve të rrugës automobilistike e cila është ndërtuar në vitin 1936 dhe është në gjëndje shumë të keqe, nuk ka asnjë mbështetje për t’u përmirësuar. Asfalti ka mbetur në Bogë që në 2006 pa u shtuar asnjë metër më tepër që nga ai vit. Lihet pas dore njëra nga pikat më të rëndësishme të turizmit malor Shqiptar, arsyen nuk dua ta hamëndësoj por pres të mendohet seriozisht për këtë rrugë e cila po e pengon zhvillimin e turismit të Thethit.
Valbona ka qënë një destinacion shumë i vizituar këtë sezon turistik nga vendas dhe të huaj. Ka disa vitë që nëpërmes kanionit të Komanit që është më të vërtetë një mrekulli, vizitohet nga të gjithë. Shqiptare dhe të huaj kur kërkojnë të vizitojnë Valbonën të kërkojnë që rrugën për në Valbonë ta bëjnë nepër Liqenin e Komanit dhe kthimin ose e bëjnë nga Thethi ata që ecin në këmbë sepse nuk ka rrugë makine ose kthehen nëpër Kosovë ku të gjith vizitojnë Gjakovën dhe Prizërenin si qëndra të ruajtura mjaft mire.
Kelmendi me fshatrat e tij të bukur është një destinacion shumë tërheqës për turizmin Alpin, ku spikasin qafa e Bordolecit me Mis Bjeshken që organizohet në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe që vizitohet nga e gjithë Shqipëria.  Vermoshi është një nga pjeset më të bukura në Shqipëri me natyrë dhe mikpritje që shkëlqen. Vermoshi këtë sezon turistik është vizituar nga shumë turistë, të cilët ndjehen si në shtëpinë e tyre nga dashuria që kanë malësorët për mikun. Me hapjen e pikës kufitare Kelmendi është bërë si qendër e Malësis së Madhe brënda dhe jashtë kufirit. Një ndikim shumë pozitiv ka luajtur edhe VIS-i me mbështetjen që i ka bërë Kelmendit në promovimin e turizmit.Visi me projektet e tij ka ndikuar në krijimin e një klime më të dashur dhe me më shumë besim për vizitorët e huaj.  Kelmendi me mbështetjen e qeverisë po arrin të përmirësojë infrastrukturen me një rrugë të asfaltuar që të arrihet më lehtë nga çdo vizitor shqiptarë apo i huaj. Me mikpritjen e tij të mahnit dhe të bën të kthehesh përsëri sepse ka gjithmonë një arsye që do e gjesh për tu kthyer.
Vitin që vjen do të jetë Nikaj Merturi me shpellën e Zezë në Qeresh, që në muajin Shtator nga eksplorimet e kryera nga një ekspedit Italo-sllovene ka rezultuar të jetë mbi 4000 metra me stalaktite dhe stalagmite të jashtëzakonshme, dhe akoma nuk është arritur t’i gjendet fundi.
Është një sipërmarrje shumë e veçantë dhe emocionuese, kur përballesh me njerëz që vijnë nga anë të ndryshme të botës dhe vleresojnë bukuritë natyrore të vendit tënd, traditen kulturore dhe arkitektonike që kanë Alpet. Ata janë grupe dhe njerëz që kanë shëtitur në pjesën më të madhe të botës, dhe sapo kanë dëgjuar nga miqtë e tyre apo shkrime të ndryshme për Alpet, vijnë dhe shprehen me superlativa për Alpet tona. Shpesh kur bisedojmë me ta flasin të frikësuar për të ardhmen e këtyre bukurive. Një vizitor italian pasi kishte vizituar pika të ndryshme të Shqipërisë nga bregdeti deri te arkeologjia, më thoshte këto ditë: Kujdes ruajeni këtë mrekulli të natyrës e mos e lejoni të dëmtohet si është dëmtuar pjesa tjetër e Shqipërisë me ndërtime pa asnjë standart arkitektonik, ruajini nëse dëshironi të vizitoheni dhe ta keni burim jetese.
Turizmi është një nga burimet më të rëndësishme të së ardhmes së ekonomisë Shqiptare, është një burim punësimi për një pjesë të rëndësishme të vendit, në Shqipëri mund të punësohen me qindra familje të tjera të cilat kanë mundësi por kanë nevojë t’u jepet dora nga donatorë dhe nga shteti. Ne duhet të jemi shumë më të shpejtë dhe me kërkues që të jemi konkurentë në rajonin tonë, i cili ka një traditë të vjetër në turizëm. Ne akoma nuk e kemi vendosur si prioritet turizmin sepse prioritet vendoset atëherë kur mbështetet me vepra dhe projekte konkrete e jo me fjalë. Nuk rri dot pa përmendur website-t shteterorë që promovojnë turizmin të cilat janë në nivelin më të ulët të websiteve që ka bota e internetit. Komuna dhe bashki të tëra që kanë shumë burime turistike akoma nuk dinë se një websitë i promovon jashtëzakonisht shumë, akoma nuk janë në nivelin e duhur të promovimit të turizmit e lëre pastaj të mbështesin biznesin privat me projekte. Qendra e informacionit në Aeroportin “Nënë Tereza” të cilën Z. Bumçi e promovoi me bujë, është e zbrazet nga fletepalosjet dhe broshurat promovuese të turizmit, është e boshatisur, edhe një ëebsite që ka ndërtuar kjo qendër nuk është plotësuar me informacion në Shqip dhe Anglisht.
Duhet më shumë punë dhe më pak fjalë nëse e duam me të vërtetë këtë burim që Zoti na e ka dhënë për ta shfrytëzuar si duhet në të mirë të familjeve tona dhe të Shqipërisë në këtë 100 vjetor pavarsie.               

5.0/5 rating (1 votes)

Hits

13701

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.