Përpara urimeve për sezonin e ri turistik - debati

Written by Irhan Jubica on Wednesday, 25 April 2012. Posted in Editorial

Sezoni turistik erdhi. A është gati Shqipëria?

Përpara urimeve për sezonin e ri turistik - debati

Është më mirë ta debatojmë çështjen pa e zgjidhë, se sa ta zgjidhim çështjen pa e debatuar – ka shkruar më shumë se 200 vjet më parë humanisti francez Joseph Joubert. Edhe pse pa u nisë nga kjo aksiomë, porse vetëm nga domosdoshmëria e një shoqërie si kjo shqiptarja për mosfshehjen e të vërtetave, revista “Travel” e instaloi debatin në një formë dhe përmbajtje demokratike e gjithpërfshirëse përkundrejt reagimeve të njerëzve pa dilema që ende pyesin se ç’hyn debati në një revistë turistike. Me pjesëmarrje që nga pronari i një hani modest deri te menaxherët e komplekseve luksoze turistike, debati ka qenë i orientuar kah interesi publik për zhvillimin e turizmit, si njëri nga sektorët më të fuqishëm të ekonomisë shqiptare. Janë trajtuar tema dhe janë dhënë të fakte që i kanë shërbyer nxjerrjes në dritë të së vërtetës, ballafaqimit të këndvështrimeve, ideve, realiteteve në këtë sektor.

I tillë është edhe debati i këtij numri, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Gjithashtu edhe të drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, si dhe të kryetarit të UOSH.

Padyshim që së pari duhet përgëzuar gatishmëria e ministrit për t’u bërë pjesë e këtij debati në një medium si “Travel” që duhej të ishte një botim apo bashkëbotim i MTKRS, por gjithësesi i mbështetur fuqishëm nga kjo ministri. Nga ana tjetër nuk mund të mos përmendim shmangien nga debati të drejtuesve të shoqatës ombrellë të turizmit shqiptar, shprehur me zgjedhime të pafundme foljesh kalimtare joveprore në vetën e tretë njejës.

Megjithatë, duke u kthyer te debati, me kënaqësi konstatohet se pjesmarrësit, pavarësisht pozicioneve, kanë një optimizëm të argumentuar në lidhje me pritshmëritë për këtë sezon turistik, qoftë përsa i takon numrit të vizitorëve – për të cilin ministri premton rritje 10-15 % krahasuar me vjet, por edhe sa i takon rritjes së të ardhurave nga ky sektor, pasi dihet rënia e këtyre të ardhurave në raport me 2010, edhe pse 2011 kishte - sipas qeverisë – numër rekord turistësh.

Janë disa çështjet, të cilave pjesmarrësit në debatin e këtij numri nuk i janë qasur në të njëjtën mënyrë, por ndër më shqetësueset në një plan afatgjatë, duket se është lehtësia me të cilën pranohet se disa nga nismat ligjore në funksion të turizmit nuk janë kryer ende, edhe pse janë premtuar prej kohësh: ligji për turizmin, ligji për shmangien 8 vjet nga taksat për bizneset që investojnë në zonat malore, si dhe vetë strategjia kombëtare e turizmit.

Pavarësisht se ministri ka renditur një listë me emrat e segmenteve rrugore ku Ministria e Transporteve ka ndërhyrë ose po ndërhyn për të përmirësuar gjendjen, diçka tjetër që del nga ky debat është se, qoftë ministri, qoftë drejtori i AKT, i janë shmangur përgjigjes lidhur me fatin e rrugës së Thethit – njërit prej atraksioneve turistike më të frekuentuar pa ndërprerje qysh në fund të shekullit të XIX, anipse vetë kryeministri e ka ngritur këtë problem sa herë është folur për turizmin malor në Shqipëri. Në të vërtetë, shqetësimet për këtë segment rrugor – sikurse edhe për gjendjen e pashpresë me plehërat dhe ujërat e zeza në zonat turistike, janë tejet të vjetra për turizmin në Shqipëri.

Kështu pra, debatet – sikurse ky i këtij numri në “Travel”, mund të mos na i zgjidhin çështjet, por më së paku na i bëjnë të ditura ato. E më së shumti na civilizojnë deri në atë masë sa të kuptojmë se realieti nuk përbëhet veç prej njohurive, përvojës e as perceptimit tonë për të.

Njëjtë është edhe për turizmin.

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

14586

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.