Kanionet e Lengaricës - bukuri e fshehur thellësive në Përmet

Kanionet e Lengaricës - bukuri e fshehur thellësive në Përmet

on Monday, 27 April 2015. Posted in Outdoor

Një shëtitje mes mistereve që rrezikojnë të mos jenë më në të ardhmen

Kanionet e Lengaricës - bukuri e fshehur thellësive në Përmet

Elena Mullaraj

Nëse udhëton drejt Përmetit dhe futesh në destinacionin turistik të Kanioneve të Lengaricës, të cilët ndodhen në pjesën juglindore të qytetit, 10 deri në 12 km larg të shoqëron natyra mahnitëse, ku Zoti nuk ka kursyer asgjë për të arritur të paarritshmen nga e cila nuk mund të largohesh pa mallin dhe dëshirën për t’u kthyer përsëri: është vendi im me të gjitha bukurite natyrore që ka. 
Të përshkosh me këmbë atë natyrë të virgjër, duke ndjekur si busull orientuese shtratin përgjatë të cilit rrjedh lumi i Lengaricës, është e vështirë të gjej fjalët e duhura, ndonëse vij nga vendi ku bukuritë mahnitëse të natyrës kanë frymëzuar vazhdimisht muzat e shfrenuara të poetëve të kesaj zone; do të duhej një penë e fortë dhe një aparat fotografik për të kapur ato pamje të një mrekullie që del jashtë çdo aparati. Një pasuri natyrore e Përmetit dhe e gjithë Shqipërisë, një thesar i vyer, të cilin duhet të dimë ta ruajmë dhe ta promovojmë më shumë se kurrrë sot; ta mbrojmë ne vendasit para të gjithëve, ne të cilët do t’ua lëmë trashëgimi edhe brezave që do të vijnë. Për më tepër, lumi i Lengaricës ka pasur një ndikim në zemrat e banorëve për bukuritë dhe natyrën e tij të paprekur.
Në ditët e sotme edhe më shumë ka kurreshtarë dhe eksplorues të cilët vijnë për të vizituar këtë destinacion, për të gjetur këtu një oaz qetësie larg zhurmave të metropolit. Peizazhi natyror i këtij lumi, është nga më piktoreskët në të gjithë Shqipërinë. Peizazhi është vërtet mahnitës: shpella, kanione, gjelbërim, pemë dhe shkurre aromatike, ndërsa ujërat termale që burojnë rrëzë shpellave të kaltra dhe me një aromë të lehtë sulfuri, pasi dalin nga rrëzat e shtratit të lumit, derdhen në rrjedhën e rrëmbyeshme të lumit të Langaricës. Kanioni i Lengaricës është shumë i ngushtë dhe i lartë: sa më shumë futesh nëpër lumë, aq me spektakolar bëhet kanioni. Një bukuri e egër, por shumë tërheqëse, që shquhet jo vetëm për vlerat natyrore, por edhe për edhe arkeologjike. Kërkimet e viteve të fundit kanë nxjerrë një material të pasur, i cili dëshmon se shpella e Pëllumbave, si dhe shpella të tjera, kanë qenë vendbanime prehistorike. E veçanta e këtyre shpellave është se në brendësi të tyre gjenden forma mijëravjeçare stalaktite dhe stalakmite, që diku-diku formojnë edhe kolona. Është një panoramë e paimagjinueshme që të përpin të tërin.
Mbi kokat tona ngrihen mbi dhjetra metra shkëmbinj që përbëjnë kanionet. Kanionet ndodhen rreth 200 metra larg burimeve termale në të dy anët e Lengaricës. Kanionet e Lengaricës frekuentohen jo vetëm për bukurinë, por edhe për rafting me kanoe. Rrjedha e lumit bën që në të dy brigjet të ketë një bimësi të pasur dhe të larmishme ku banon një mori shpendësh dhe kafshësh të egra, të rralla për zonën. Të gjitha këto formojnë një sistem ekologjik shumë interesant dhe me vlera të veçanta mjedisore. Ura e Katiut, një monument i rrallë kulture, një urë tipike me hark punuar me gur, tregon për ekzistencën e një udhe të vjetër që ende u shërben banorëve përreth. Është fshati Bënjë, ku ka një kishë interesante, ikonostasi i së cilës është punuar ne vitin 1904. Për ata që duan pak më shumë aktivitet, rreth gjysëm orë mbi Bënjë (më këmbë, se rruge makinash nuk ka) mund të ngjiten në një fshat që është i braktisur prej shume vitesh, i quajtur Novoselë. Përmetarët kanë një dashuri të veçantë për këtë “muze natyror“ ku vendasit organizojnë festa familjare në burimet e Kallostricës gjatë muajve të verës. 
5.0/5 rating (3 votes)

Hits

17114

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.