Articles in Category: Reportazh

Tri ditë fshatare rreth Liqenit të Dritës

Written by Irhan Jubica on Sunday, 17 September 2017. Posted in Reportazh

Nga Tushemishti në Voskopojë e Moravë e nga Republika e Vevçanit në Elshanin e gomarëve

Tri ditë fshatare rreth Liqenit të Dritës
Në Voskopojën e Shenjtë
Mëngjesi i 18 Shkurtit na gjeti buzë liqenit më të vjetër të Europës, e ndonëse dita ishte e kthjellët, reflektimi i diellit në dëborën e maleve përreth nuk arrinte të kthehej në ngrohtësi, por vetëm në dritë, në shumë dritë.
Ishte një nga 300 ditët me diell të Liqenit të Dritës.
Tymi i druve të zjarrit nga oxhaqet e shumtë thoshte se qyteti qe zgjuar herët, por vetëm 4-5 veta dukeshin në bulevardin buzë shtatoreve të Lasgushit e Mitrushit, ku gjuhët e dallgëve ende zgjateshin përtej bregut ranor. Është vetëm gjysma e një grupi gazetarësh që Partners Albania ka ftuar për të vëzhguar nga afër potencialin e turizmit alternativ në juglindje të Shqipërisë dhe në jugperëndim të Maqedonisë. Pjesa tjetër e ka marrë me nge kafenë e mikpritjes pogradecare.

Kroçera, kjo botë e vogël që udhëton

Written by Flora Xhemani Baba on Tuesday, 23 August 2016. Posted in Reportazh

Kroçerë, Kruazierë apo Kryqëzore? S`ka rëndësi kjo, e rëndësishme është që kjo shpikje e mrekullueshme është një djep ëndrrash, që përkund ëndërrimtarët bredharakë në çdo cep të globit

Kroçera, kjo botë e vogël që udhëton
Një përvojë e paharrueshme ku koha herë ndal e herë vrapon para teje, ku detet ia lënë vendin njëri-tjetrit, ku qytetet dhe bukuritë të kalojnë para syve marramendthi, aq sa nuk arrin të kuptosh nëse është një ëndërr që po rrëshqet mbi ujra, apo një realitet i bukur që do të mbarojë shpejt. Sot ngrysesh në Korfuz e nesër gdhin në tjetër port. Fle në Bari e zgjohesh në Venecia (ah, Venecia…). Ikën nga Chioggia e drekon në Dubrovnik… pastaj drejt atdheut, mes ujrash e ëndrrash që përmblidhen rrëmbyeshëm mbi këtë qytet të vogël e të bardhë lundrues që quhet Kaltëroshe. Ëndrrat është mirë të ëndërrohen por edhe të jetohen. Faleminderit Çeleste…. :)

Lamtumirë Verë!

Written by Flora Xhemani Baba on Friday, 19 September 2014. Posted in Reportazh

Duke mbledhur grimcat e fundit të stinës, nëpër Rivierën Shqiptare….

Lamtumirë Verë!

 

Gjithmonë na ka pëlqyer që turet e fundit të verës t’i ndërmarrim diku nga fillimi i vjeshtës, atëherë kur rrëmeti i trafikut dhe fluksit të verës, përzier me vapën përvëluese mpaket dhe ngrohtësia e diellit të duket më qetësuese e përkëdhelëse, sidomos kur e shijon nëpër rrugët gjysëm të boshatisura të Shqipërisë. Këtë herë e vendosëm që udhëtimin ta bënim aty nga data 8-9 shtator.

Dëllënjë - një ditë në fshatin e peshkatarëve

Written by Flora Xhemani Baba on Wednesday, 29 January 2014. Posted in Reportazh

Aty ku Vjosa, deti, pylli dhe laguna, përqafohen në harmoni...

Dëllënjë - një ditë në fshatin e peshkatarëve

 Nëse themi Vlora, për të gjithë ju ajo fillon përtej Urës së Vjosës, o më mirë, fillonte atje, sepse me degëzimet dhe gjarpërimet hyr-e-dil të superstradës së re, qysh se lëmë pas Levanin e marrim djathtas, fillojmë të mendojmë për detin dhe për magjinë që të mbështjell sapo hyn në territorin ku qarkullon ajri i Vlorës. Ka mbetur shumë pak për të thënë, e shumë për të bërë në fakt, me realitetet e reja e popullimin gjithnjë e më të rrëmujshëm të Vlorës, sa nuk dihet ku mbaron bukuria e  ku fillon shëmtimi i peisazhit bregdetar sepse luksi i derdhur pa dhimbsuri nëpër ca ndërtesa, përzier me vulgaritetin e ca të tjerave, e nga ana tjetër, barbaria që ato i kanë punuar detit, të le vazhdimisht në mëdyshje.

Mirëpo, nuk do merremi fare me këtë, madje, nuk do hyjmë hiç në Vlorë. Dhe nuk do marrim as rrugën hyr-e-dil të superstradës së re…

 

Dardha turistike – një mikpritje e përhershme

Written by Flora Xhemani Baba on Wednesday, 20 November 2013. Posted in Reportazh

Udhëtim mes ngjyrave të vjeshtës dhe traditës së mrekullueshme dardhare

Dardha  turistike – një mikpritje e përhershme

 

Udhëtimi
Jemi në vjeshtën e vonë dhe rrugët e Tiranës janë mbushur me gjethet e fundit të blireve, rrepeve e gështenjave të egra, që kërcasin nëpër këmbët e kalimtarëve, apo që i merr shiu i këtij fundnëntori, si për të na kujtuar se po hyjmë zyrtarisht në stinën e dimrit.
Ne vendosëm që të udhëtojmë sërish drejt Korçës, kësaj radhe për në Dardhë, një fshat shumë i njohur e karakteristik, që përveç bukurive natyrore, ofron edhe kulturë e traditë, ashtu siç në fund të fundit e ofrojnë nga pak të gjitha fshatrat e Korçës.
Pasi kemi përshkuar për rreth tri orë e gjysëm itinerarin e gjatë Tiranë-Korçë, vazhdojmë, në dalje të qytetit, në drejtimin që të çon për Ersekë. Lemë pas rrugën kryesore dhe marrim në të majtë, aty ku tabela turistike shkruan e bardhë mbi kafe “Dardhë-pikë turistike”. Fshati ndodhet rreth njëzet km nga Korça dhe gjithë rruga për atje, është një gjarpërim mbi kodrina të buta, që ashpërsohen gradualisht, derisa përfundojnë në male, gjithnjë të mbushur me bimësi e pemë. Peisazhi vjeshtor është ngjyra-njgyra, ku i gjelbër, ku i verdhë e ku i kuqërremtë, sipas ngjyrave që stina i ka dhënë bimësisë. Por surprizat më të bukura, natyra na i ka rezervuar në fshat, rrethinat e të cilit janë të gjitha të mrekullueshme e dhurojnë panorama të veçanta.