Rafting mania - aventurat na presin... në Vjosë

Rafting mania - aventurat na presin... në Vjosë

on Thursday, 06 February 2014. Posted in Outdoor

me Albania Rafting aventura dhe adrenalina janë binjake të pandashme

Rafting mania - aventurat na presin... në Vjosë

 

Blerina Ago
Gjatë një udhëtimi mund të të ndodhë gjithçka. Zbulon se kudo ka vende të jashtëzakonshme që ekzistojnë, të cilat pasi i ke vizituar të ndryshojnë… ti nuk je më i njëjti. Nëse mendoni se me verën mbaruan dhe pushimet tuaja, gaboheni. E nëse jeni duke kërkuar një fundjavë jashtë Shqipërisë, ju sugjeroj të shkurtoni distancat dhe të shfrytëzoni sa më bukur kohën në një qytet i cili ndodhet në juglindje të Shqipërisë, me njerëz  të butë e të dashur, e kundërta e vargmaleve  të larta e të thepisura që i rrethojnë.
Arsyet për të vizituar Përmetin janë të shumta. Në Përmet mund të takosh të madhin klarinetist Laver Bariu, të shijosh pamjen nga Guri i qytetit, të vizitosh Bredhin e Hotovës… Unë do t’ju sfidoja edhe me një vlerë tjetër të shtuar vitet e fundit në Shqipëri: rafting në luginën e lumit Vjosa.
Nëse që tani po mendoni se nuk është aktivitet për ju, gaboheni. Ajo çka ne do provojmë sot është një argëtim për të gjithë dhe madje një mundësi shumë e mirë për të kaluar kohë të shëndetshme me familjen tuaj.

 

 

Ndjesitë e para mbi aventurën e rafting vijnë në momentin kur udhëtimit me makinë për në Përmet i vjen fundi dhe kalon mes maleve në grykën e Këlcyrës. Burimet Kristal që derdhen në Vjosë krijojnë një bukuri të rrallë dhe uji që rrjedh në shtratin e lumit të sjell rrahjet e para të shpeshta të zemrës.
Ndërsa hyn në qytet, të bën përshtypje rregullsia dhe ndjesia e qytetarisë, shumë e kërkuar ditët e sotme. Një vëmendje e madhe ndaj pastërtisë, pallate jo të larta dhe kopshte me trëndafila. Direkt pas sistemimit në një nga hotelet aty, nisemi drejt Kanionit të Lengaricës, monument natyre dhe banjave termale të Bënjës, të cilat për shkak të vlerave të rralla vit pas viti sjellin më shumë vizitorë. Ku ka kënaqësi më të madhe sesa kur zhytesh në ujërat termale blu të llixhave, kur temperaturat e një pasditeje vjeshte janë të ulëta.
Pas disa orëve kaluar brenda Kanionit të Lengaricës, mposhtesh nga uria dhe rrugës së kthimit për në qytet mezi pret të ulesh për darkë. Dalluar për kulinarinë e pasur, pjatat i zënë vendin njëra-tjetrës dhe ti kujtohesh për ndjesinë e vërtetë të ushqimeve natyrale duke filluar me zarzavatet, e për të përfunduar me gliko-rat aq të shijshme.
Minutat e fundit të darkës orientohen tërësisht drejt pyetjeve të fundit për aventurën e rafting, çfarë ore është mëngjesi, nëse rrobat e banjos duhet t’i mbajmë veshur, dhe a janë mjaftueshëm mirë atletet e marra me vete për në lumë.
Mëngjesi i pushimeve është përherë i bukur. Akoma më e bukur ndërsa ti udhëton drejt pikës së nisjes në lumin Vjosë dhe shijon pamjen e egër të vargmaleve Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë.
Mbushesh me ajrin e freskët ndërsa zbret poshtë në luginë dhe që në proçesin e veshjeve të pajisjeve të rafting nisin batutat dhe shpërthimet e para të të qeshurave. Nota serioziteti gjatë marrjes së udhëzimeve nga presidenti Zamo Spathara dhe puna në skuadër nis që gjatë provave të para në zbatim të komandave:
-Para, Stop, Mbrapa…Ulu!
Gjatë 3 orëve rafting, ti shijon një natyrë të paprekur dhe i shikon gjërat nga një pikë vështrimi të pa eksploruar më parë. Habitesh me format e shkëmbinjve konglomeratë dhe të rreh fort zemra ndërsa çan rrëmbesat e Vjosës. Ky udhëtim të afron më shumë me natyrën dhe të bën më të ndjeshëm ndaj nevojave për ta mbrojtur atë. Të afron dhe me njerëzit dhe kupton sesa i rëndësishëm është bashkëveprimi dhe bashkëpunimi në ecjen përpara dhe përballjen e vështirësive. Njeh miq të rinj ose rigjen një marrëdhënie të thyer padashje. Mat aftësitë e tua sportive dhe e kupton që i ke me shumicë sapo kalon rrëmbesën e parë. Ia merr një kënge përmetare dhe ndjen nostalgjitë e batutave të filmave shqiptarë, ndërsa i dëgjon nga guida jote Miri. E ndërsa papritur ke mbërritur në fund të udhëtimit e rigjen veten plot me energji pozitive. Duhet të argëtohesh herë pas here! Ohhhh sa e bukur qenkërka Shqipëria!
Një udhëtim nuk mbaron kurrë. Nëse ti udhëtar e kthen kokën pas dhe thua “nuk kam ç’të shoh tjetër”  gabohesh. Gjithnjë ka për të parë, të shohësh në pranverë atë që pe gjatë verës,  të shohësh diellin e një mëngjesi ndërsa ke parë ndriçimin e natës, të ndjesh aromën e tokës së lagur, të frutit të pjekur, të ecësh  me hapa të rinj.  Duhet të rifillosh udhëtimin. Gjithmonë duhet.
  

 

5.0/5 rating (1 votes)

Hits

2734

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.