Tradicioni i festave, kulturë e harruar

on Sunday, 08 April 2012. Posted in Tradita

Dr. Kesiana Lekbello.

Tradicioni i festave, kulturë e harruar

Duhet një reflektim i gjatë dhe i arsyeshëm për çdo gjë që ndodh përreth nesh. Për të kuptuar më mirë sa larg jemi sot nga konceptimi i një feste si pjesë kulture e procesit të rrënjëve historike Shqiptare, mjafton të kthejmë vështrimin dhe të krahasojmë se ç’ndodh përtej kufijve të Vendit tonë. Pa komplikuar argumentin me vende të largëta Evropiane, do ti referohem konkretisht komuniteteve të arbëreshëve në Italinë e jugut. Bukuria e një feste do të thotë traditë, kostume tradicionale, muzikë e vjetër shqiptare dhe mbi të gjitha një bashkësi zakonesh që kërkojnë me çdo kusht të ruajnë ndër shekuj kulturën e vjetër të popullit tonë.

 

Le të shikojmë së bashku çdo të thotë për arbëreshët e Italisë të festojnë çdo vit ditën e 19 marsit (nuk po trajtoj Pashkët) që i përket ditës së shenjtorit Shën Josef (festa San Giuseppe). Aktualisht arbëreshët në jug të Italisë janë përreth 9000 persona, Shteti Italian i ka njohur arbëreshëve statutin e minoritetit sipas ligjit 482 të vitit 1999, për këtë arsye kjo festë konsiderohet kombëtare për arbëreshët e jugut. Kështu përgatitjet, sipas traditës, fillojnë disa ditë më parë; nxirren nga sirtarët kostumet tradicionale, të cilat ndër shekuj janë trashëguar nga të moshuarit dhe kanë arritur deri sot në ditët tona të paprishura siç i ka përshkruar edhe poeti i madh arbëresh Jeronin De Rada. Nga ana tjetër burrat e çdo shtëpie përgatisin 1 javë më parë karrocat dhe drurët e vjetër që kanë mbetur pa djegur nga dimri. Ditën e festës çdo shtëpi nxjerr jashtë drurët e mbetur, kuajt tërheqin karrocat, burrat, gratë,  familjet e veshur me kostumet e festës shoqërojnë karrocat dhe të gjithë mes këngëve të vjetra shqiptare/arbëreshe drejtohen drejt Sheshit qendror të qytetit (në rastin konkret po flas për fraksionin e San Marzanos, ndërkohë që e njëjta gjë ndodhë në çdo fraksion ku jetojnë ndër shekuj arbëreshët). Në mes të sheshit drurët shkarkohen nga karrocat dhe përgatiten për tu ndezur, sipas traditës duhet të digjen, zjarri i madh që krijohet zgjat deri natën vonë, domethënë kjo festë nuk është thjesht vetëm gëzim, por një unitet traditash i papërshkruar. Sheshi kthehet në një shtëpi të madhe ku gatuhet, këndohet, dëfrehet dhe ka plot turista që shkojnë posaçërisht për të shijuar diçka të veçantë. Arbëreshët që tashmë janë të rrënjosur prej 500 vjetëve në Italinë e jugut vazhdojnë të ndjekin zakonet e 500 vjetëve më parë edhe pse Italia është pothuajse e gjitha Katolike arbëreshët nuk kanë ndërruar fenë e të parëve, vazhdojnë të jenë akoma Ortodoksë, vazhdojnë dhe ndjekin me rigorozitet zakonet ortodokse dhe mbi të gjitha kanë ruajtur  gjuhën tonë të vjetër me dialektin tosk, që për ne si shqiptarë nuk kuptohet, me përjashtim të fjalës mirë dhe mirupafshim.  shekulli

3.0/5 rating (1 votes)

Hits

15670

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.