Top Destinacionet Shqiptare 2013

Top Destinacionet Shqiptare 2013

on Wednesday, 05 June 2013. Posted in Blog

Blue Agency dhe Revista Travel ju ofrojnë zgjedhjet e tyre, për një sezon shqiptar mbresëlënës!

Top Destinacionet Shqiptare 2013

 Trendi i mediave të huaja për të propozuar Shqipërinë si destinacion të vitit, tashmë është bërë një lajm i zakonshëm ndër shqiptarët, e, mendohet më në  fund si një dukuri që na përligj në ato vlera që kemi si destinacion turistik shumëplanësh. Më i fundit në radhë ishte Huffington Post, që nëpërmjet gazetares Leyla Giray, rreshtoi njëra pas tjetrës dhjetë arsye të shëndosha se pse duhet zgjedhur Shqipëria si destinacion turistik për vitin 2013. E nuk na përkëdhelet vetëm sedra për këto arsye por na rritet edhe dëshira për të përforcuar më tej atë që të huajt e bëjnë shpesh me aq dëshirë për ne, pra ta ofrojmë vendin tonë në njëmijë mënyra si destinacion i mundshëm për të gjithë llojet e turizmit që realisht ai ofron.  Blue Agency është një kompani që po mbush afërsisht një dekadë në promovimin e turizmit shqiptar, duke shkelur shtigje e duke vizituar vende që shpeshherë nuk i njohin as vetë shqiptarët. Ndoshta edhe prej përvojës së saj të gjatë, tashmë media të ndryshme kanë dëshirë t’i referohen  kësaj përvoje për të nxjerrë një përfundim, se ku mund të shkohet për turizëm dhe cilat destinacione shqiptare do të ishin të përshtatshme për t’u vizituar në fillim të çdo viti. Nëse Huffington Post, rendit dhjetë arsye se pse duhet të vizitohet një vend si Shqipëria, duke lënë dorë të lirë në zgjedhjen e shtigjeve, Blue Agency, në një prononcim për sondazhet e shumta që bën Radio Travel, rendit dhjetë itinerare ose dhjetë vendet që ajo rekomandon për vitin 2013, duke u kujdesur që kjo listë të përfshijë të gjitha natyrat e destinacioneve, prej turizmit masiv të detit, e deri tek destinacionet me synim njohjen e traditave shqiptare. Pa dyshim këto nuk janë të vetmet vende të bukura që ka Shqipëria por vetëm dhjetë perla prej gjerdanit të çmuar të pikave turistike që ju presin në çdo cep të Shqipërisë. E meqë janë propozuar prej një agjencie që e njeh mirë Shqipërinë, të jeni të sigurt se asnjë prej këtyre zgjedhjeve nuk do t’ju zhgënjejë!

 

Butrinti

Është aseti më i çmuar turistik shqiptar, i cili edhe për shumë vite të tjerë, do të jetë në krye të listës së rekomandimeve, për shkak se identifikon imazhin turistik të Shqipërisë thuajse në të gjithë botën. Jo vetëm është siti turistik më i organizuar në Shqipëri por mbart aq shumë vlera saqë është e pakuptueshme të vizitosh Shqipërinë dhe të mos shohësh Butrintin. Park arkeologjik dhe park kombëtar natyror, Butrinti është pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO dhe konventa e Ramsarit, për vlerat e rralla kulturore dhe historike si dhe për larmishmërinë e natyrës dhe të relievit. Është aktualisht vendi më i vizituar në Shqipëri jo vetëm nga të huajt por edhe nga vetë shqiptarët.
Ndodhet 300 km larg Tiranës, në kufi me Greqinë dhe 18 km larg Sarandës. Për më shumë vizitoni www.butrint.org 

Divjaka

Parku Kombëtar "Pisha e Divjakës", përveç bukurive të paçmuara natyrore, mbart një karakteristikë të veçantë që vlerësohet si e rrallë dhe e denjë për t'u vizituar. Në brendësi të Lagunës së Karavastasë, që është pjesë e Parkut të Divjakës, folenizon Pelikani Kaçurrel, i cili konsiderohet si një specie në zhdukje e që është nën mbrojtjen e konventës së Ramsarit, bashkë me të gjithë Parkun e Divjakës. 6 % e kësaj specieje, jeton pikërisht në Karavasta. Aktualisht numërohen rreth 200 çifte pelikanësh dhe shpresohet që numri i tyre të rritet. Tiranë-Divjakë: 70 km. Divjakë-Karavasta: 5 km. Më shumë info: www.divjaka.net 

Kanionet e Progonatit dhe Nivicës

Mund të konsiderohen si zbulim për shkak se nuk janë shumë të njohura por përbëjnë formacionin më të bukur shkëmbor e ujor të krahinës së Labërisë. Ideale për turistët e aventurës, labirinthet e këtyre kanioneve nuk kanë fund. Në to struken ujvara, shpella, shkëmbinj me forma të mrekullueshme, kanione të thellë misteriozë ku mund të ushtrohet rafting gjatë stinëve ujore. Janë zona të mbrojtura me statusin monumente natyre dhe i përkasin rrethit të Tepelenës. 
Vendndodhja: 23 km larg Tepelenës, 223 km larg Tiranës.

pogrAdec-prespë

Më shumë info: www.bashkiapogradec.gov.al 

Komuna Gjinar

Ajo është një nga zonat më të bukura të Shpatit, krahinë e Elbasanit, që kohët e fundit e ka zhvilluar mjaft ofertën e saj turistike duke e mbështetur kryesisht në traditën e zonës. Natyra e mrekullueshme, produktet bio, festat e ndryshme popullore, panairet agroturistike, veshjet e bukura popullore të zonës por sidomos mikpritja e banorëve, janë disa prej arsyeve se pse duhet ta vizitoni Gjinarin dhe krejt zonën e Shpatit. Por ka edhe me shumë. Kishat e vjetra të stilit bizantin ku kanë derdhur punët e tyre Onufri dhe Kostandin Shpataraku, e që kohët e fundit janë bërë edhe objekt sulmesh dhe shkatërrimi, janë gjurmë që flasin për kulturën e hershme të kësaj zone. Për një menaxhim të mirë të ofertës së tij turistike, Gjinari është nderuar edhe me Çmimin e Turizmit për vitin 2011.

Antigonea

Parku Arkeologjik i Antigonesë mund të konsiderohet tashmë si një nga pikat më interesante turistike të zonës së Gjirokastrës, duke qenë se vetë qyteti është i njohur e i vizituar masivisht. Qytet antik, cilësuar  si vendi që lindi prej dashurisë e u shkatërrua prej urrejtjes, Antigonea, doli në dritë rreth vitit 295 p.e.s. si dëshmi e dashurisë së mbretit Pirro të Molosëve, për gruan e tij Antigona. Antigonea ka qenë një nga qytetet më të zhvilluara antike në jug të Shqipërisë. Ndërkohë, që qyteti u shkatërrua gjatë fushatave luftarake në përfundim të luftrave romako – maqedonse në vitin 167 p.e.s. Kësisoj, qytetërimi i Antigonesë pak më shumë se një shekull u shfaq dhe u zhduk si një “kometë” në hapësirat e qytetërimeve në Luginën e Drinos. Sot ju mund të zbuloni pak e nga pak historinë e lavdishme të këtij qyteti të mrekullueshëm.
Vendndodhja: Antigone, Gjirokastër. Largësia nga Tirana: 250 km. Më shumë info:

Nikaj Mërturi

Një nga krahinat më të bukura, ende të paeksploruara mirë të Alpeve shqiptare, me një reliev e pasuri natyrore të mahnitshme. Ndër më të spikaturat së fundi, është Shpella “Bira e Zezë” në fshatin Qeresh,  një bukuri  madhështore e natyrës.  Arritja e gjatësisë prej 4000 m e bën atë absolutisht shpellën më të gjatë në Shqipëri e më tej. Eksplorimi i plotë i kësaj shpelle, e bën  Nikaj-Mërturin një nga zonat më interesante dhe më e bukura të Alpeve jo vetëm në Shqipëri por edhe në në Europë. Shumë shpejt Zona e Nikaj-Mërturit  do të jetë një Zonë e mbrojtur (Park alpin i speleologjisë), duke patur parasysh shpellat e shumta që ka kjo zonë si  Bira e Zezë, Shpella e Boshit, Shpella e Shkëmbit të Rajës,  Shpella e Kakverrit, Shpella e Fratit, Shpella e Lumit e shumë të tjera për të cilat po punohet nga Qendra Alpe në bashkëpunim me Shoqatën “Boegan” për evidentimin dhe eksplorimin e tyre. Zhvillimi i turizmit speleologjik është një domosdoshmëri krahas turizmit alternativ në Nikaj-Mërturi sepse shpellat janë monumente natyrore shumë të vizituara nga turistët e huaj.
Më shumë info: www.alpe.al    www.nikaj-merturi.com; 

Bylisi

Një nga zonat më interesante të qarkut të Fierit dhe rrethit të Mallakastrës sot, Parku arkeologjik i Bylisit ka qenë nga qytetet më të rëndësishme në Ilirinë e Jugut, dhe ka shërbyer si kryeqendër e Bylinëve, duke përfshirë edhe qytetet Nikaia (Klosi) dhe Eugen (Margëlliçi), të cilat të gjitha bashkë, ishin pjesë e krahinës së Atintanisë, që mbulonte gjithë zonën e Vjosës. Qyteti kishte një teatër të madh me rreth 8000 vende, stadium lojrash, shkollë, tempuj etj, kishte edhe monedhën e tij prej bronzi. Monumentet më të spikatura janë Porta 6, Banesa B, Stadiumi dhe stera, Bazilika, Mbishkrimi, Katedralja, Banja e Justinianit etj. Infrastuktura rrugore deri tek Parku është shumë e mirë.
Vendndodhja: Mallakastër, Fier. Distanca: 150 km. Më shumë info: www.t669.net

Karaburuni

Një nga tendencat më të spikatura të këtij viti për turizmin ujor është edhe Gadishulli i Karaburunit, i shpallur para dy vjetësh edhe si Park Kombëtar Nënujor, për vlerat e rralla të florës dhe faunës detare, bashkë me Ishullin e Sazanit. Të vizitosh Karaburuni në mënyrë aventureske, do të thotë të përshkosh 70 km vijë bregdetare, ku ju presin plazhe përrallore, shpella misterioze, kepe e gjire pa fund, ujra të kristalta e të thella dhe një klimë për t’u pasur zili. Ndonëse tendenca për ta vizituar po rritet nga viti në vit, sërish nëpër plazhet e tij ju prej intimiteti dhe takimi vetëm me natyrën, që këtu nuk ka kursyer asgjë. Mund ta vizitoni me kajake, me varka të vogla, me jahte ose edhe me transport privat, që jua mundësojnë pothuajse të gjitha hotelet e Vlorës.
Distanca nga Tirana: 180 km. Më shumë info: www.bashkiavlore.gov.al

 

Durrësi

 

Jo një destinacion i ri por një destinacion i rinuar mund të quhet Durrësi për vitin 2013, duke qenë se ndryshimet e tij janë jo të pakta. Durrësi është një nyjë e rëndësishme e turizmit, për pozicionin strategjik që ka, si porti më i madh i Shqipërisë. Tashmë me terminalin e ri të pasagjerëve janë shtruar pistat për të pritur kroçerat, si një prurje e fuqishme e të ardhurave për ekonominë shqiptare. Por jo vetëm kaq. Durrësi mbart pasurinë më të madhe kulturore të periudhës së Antikitetit, duke e dëshmuar këtë me shumë monumente e site të veçanta kudo nëpër qytet, të cilat mund të vizitohen lehtë pa transport ndihmës. Përveç kësaj, ndonëse njihet për plazhet masive, pak km larg fluksit të zhurmshëm ndodhet Kallmi, një nga plazhet më të bukur, plotësisht i virgjër e me florë e faunë nënujore të pasur, që ju ofron pushime të qeta e njëkohësisht plot mundësi eksplorimi.
Largësia nga Tirana: 38 km. Më shumë info: www.durres.gov.al 

 

5.0/5 rating (1 votes)

Hits

20603

Comments (1)

  • VisitVlora Albania

    VisitVlora Albania

    10 June 2013 at 19:27 |
    Shume e vertete per Karaburinin e Vlores tone :) Vend fantastik qe me termend je vlen ta vizitoni, sidomos ju qe ju pelqen ecja ne kembe.

    Ju mirepresim dhe ne www.VisitVlora.com

    reply

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.