Nano Resort - aty ku natyra nusëron

Nano Resort - aty ku natyra nusëron

Written by Flora Xhemani Baba on Saturday, 03 October 2015. Posted in Tradita

Një dashuri si kjo mund të vijë vetëm nga zemra dhe duart e njerëzve si ata....

Nano Resort - aty ku natyra nusëron
Kur dëgjova për herë të parë për Nano Resort, ajo ishte një bisedë mes miqsh, nga ato biseda të thjeshta, pa superlativa pa hyrje e dalje të gjata por me një shprehje sa të thjeshtë aq edhe efektbërëse, siç janë zakonisht fjalët e vërteta. “Kliti Nano ka bërë një gjë të bukur në Daias, perlë. Ku? Në Daias, pas Mulletit.” Çfarë ka bërë? Një fermë. Fantastike”. Ky ishte takimi i parë virtual.
Takimi i dytë me Nano Resort ishte gjatë pregatitjes së Tirana Guide 2015. Rruga deri atje, e bukur, gjarpërushe, mbi kurbat e buta të kodrinave që shkojnë nga Mulleti drejt Fikasit e pastaj kthehen për Daias. Ende nuk kishte ardhur mirë pranvera por hapësira e pamatë të mbushte. Vetëm ideja e gjelbërimit dhe e pafundësisë të ngopte me ajër e kënaqësi.
Hyrja e resortit ishte ndërtuar me gurë natyralë, në krah, një çezmë e gdhendur bukur dhe ajo.  Në oborr, një bahçevan merrej me lulet dhe perimet që bashkë me vreshtat e ullinjtë, kishin mbushur mbushur faqet e kodrave tejetej. Rruginat që të çonin në verandën e restorantit, ishin të mbushura me trëndafila. Tek-tuk tulipanë të vegjël përskuqnin rrëzët e pemëve dhe barit, që e kishin mirëpritur këtë lule mysafire të largët. Veranda e restorantit e shtruar bukur me elementë tradicionalë, të krijonte njëkohësisht ndjesinë e luksit e të thjeshtësisë, aq me finesë ishte dekoruar. Kamerieri i parë që doli, na uroi mirëseardhjen dhe na ftoi të uleshim. I thamë se nuk kishim ardhur për të ngrënë po për të takuar të zotin e shtëpisë. Duhet të flisni me Ravesën, na tha, menaxheren. Por ajo nuk është këtu. Mund ta takoni në Tiranë, tek zyrat, ose të vini në fundjavë.
Ravesa? Ç’është ky emër i bukur? Ravesa është vajza e të zotit të shtëpisë. Prisni se po i bëj një telefon dhe po i them për ju. Ndërkohë që kamerieri fliste në telefonn ne shtëitnim sytë në pesiazhin përballë verandës. Ullinj e vresha pa fund, sa të hante syri. (Më vonë, Ravesa na tha se këto i kishte hapur i ati të gjitha, sepse kodrinat kishin qenë të mbushura me shkurre mesdhetare).
Ravesa më tha që i duket shumë interesante ideja e guidës dhe më porositi që t’ju jap numrin e saj. Mund ta takoni edhe në Tiranë, na tha kamerieri. Ky ishte takimi i dytë me Nano Resort. Por ende nuk ishim takuar me Ravesën. Dhe ndonëse në dukje, një gjë e thjeshtë, një kafe e fiksuar dhe çfiksuar disa herë, nuk u pi dot për shkaqe kryesisht kohe, veçse pas disa muajsh, që do të thotë diku nga fundi i majit.
Takimi me Ravesën ishte një kënaqësi më vete por kjo ndoshta meriton një shkrim tjetër ku mund të tregosh me nge se sa me fat duhet të ndihet njeriu, nëse puna e lidh me njerëz të tillë, që të kuptojnë  pa qenë nevoja të flasësh gjerë e gjatë për punën tënde, për të treguar se çfarë bën, si e bën dhe pse e bën por të  inkurajojnë e të mbështesin, duke kuptuar plotësisht e imtësisht skarificën e madhe që duhet të bësh në çdo hap, për të bërë një punë si kjo. E përfundimisht kafen e lamë të pinim tek resorti, si mund të ishte ndryshe? Kështu, do të kishim edhe takimin tonë të tretë me Nano Resort.
Tashmë ishim në fund të pranverës dhe ashtu siç na e mori mendja, gjelbërmi ishte harbuar deri në çmenduri, duke përmbytur gjithçka kishte gjetur përpara, kodra e kodrina, fusha e oborre shtëpish, e resorti gjithashtu nuk i kishte shpëtuar kësaj përmbytjeje gjelbëroshe. Larmia  e trëdafilave sidomos që kishin çelur tufa-tufa, e kishte bërë ambientin mrekullisht të parezistueshëm. Por bukuria e resortit nuk është thjesht se hapësirat janë dekoruar me lule. Poshte pemëve kopshtet me perime, sallatëra jeshile e të kuqe, lakrat, erëzat, nenexhikët, majdanozi, angjinaret, domatet që ishin ende jeshile, tregonin se jo gjithçka që është mbjellë, duhej vetëm për bukuri. Mes pemëve dekorative, skuqnin lulet tashmë të formësuara të shegëve, kumbullat e vogla e të mëdha, manat e zinj….
Ravesa na priti në verandë, ku ishte ulur bashkë me shefin e kuzhinës, e ndërkohë që porisitëm kafen, pyeti: Doni t’ju sjell ndonjë frut nga të kopshtit? Për shembull ca mana të zinj? Po natyrisht, e si mund të vije deri këtu e të mos haje fruta nga të kopshtit? Manat ishin të mëdhenj, mjaltë të ëmbël, të freskët, se qe të marrin më shumë shije, i këpusim dhe i vëmë pak në frigorifer para se t’i shërbejmë…. Eh…
Pse bëtë një fermë, që ka kaq shumë punë, e jo fjala vjen një restorant të thjeshtë e t’i merrnit furnizimet nga një burim i besuar? – pyes Ravesën.
Ka qenë ëndrra e gjyshit. Gjyshi kishte toka pa fund në Drenovë, nga kemi dhe origjinën, e ndonëse kishte mbaruar për farmacist i lartë në Turqi, ka bërë çobanin gjithë jetën. Aty e kishte shpirtin te toka, te bagëtia. Nuk ka ilaç më të mirë se ajri i pastër thoshte, se qumështi, se ushqimet që të jep toka po e deshe fort. Mirëpo për 50 vjet iu ngri ëndrra se tokat ikën dhe bashkë me to edhe bagëtia e çdo gjë që mund të bëhej prej saj. Edhe ne s’kemi shumë që e kemi bërë këtë fermë, gati një vit. Tokat janë pastruar më parë, rreth 2-3 vjet  dhe, duke pastruar e duke mbjellë.
Ngrihemi të vizitojmë fermën. Duke biseduar, duke shëtitur. Rron gjyshi? Rron, edhe është top me shëndet. Oh, epo, paska rilindur, do rroka më shumë se njëqind vjet. Poo, vjet kur bëmë një si përurim të vogël për hapjen e resortit, e lamë në ditën e emrit të gjyshit. Dhe atë ditë lindi një kec nga tufa e bagëtive që kemi këtu. Atë kec e therëm sivjet po në ditën e emrit të gjyshit. Kur vjen këtu, bëhet me krahë. Nuk ngopet me tokën me bimët, me bagëtitë, i përkëdhel si fëmijë. Thotë gjjithmonë, po e deshe tokën, edhe ajo të do dhe të jep me bujari çfarë t’i kërkosh. Edhe im atë në fakt mendon po kështu, do jetë punë rrënje sepse edhe unë me tim vëlla kemi po të njëjtat mendime.  Po pra, se në fakt është pak e çuditshme që një vajzë e re merret me tokën, me dhitë e kecat, me domatet, me manat, në vend që të udhëtojë duke bërë shoping nëpër botë, i them. Epo jemi edukuar që të vegjël me dashurinë për tokën po e po, por edhe me dashurinë për punën. Im atë ka shumë nuhatje për biznes në fakt. Ka filluar të merret me gjëra të guximshme që në fundin e viteve tetëdhjetë  dhe e ka zakon të hidhet me kokë në një investim, duke i besuar vetëm instinktit të tij. Ky vend këtu, që e ka krijuar pothuajse me duart e tij, deri tani ka shkuar në më shumë se 50 hektarë. Dhe nuk është gjithçka, sepse në zonën e Vilë Bashtovës në Kavajë, janë edhe gati 140 hektarë të tjerë, ku mbillen kultura pa fund, rriten bagëtitë, mishin e të cilave e përdorim për klientët, për të gatuar një ushqim jo vetëm të shijshëm por edhe të shëndetshëm. Është një tokë e çmuar, që shtrihet nga fshatrat në kufi me Lushnjen, e deri në tokat buzë detit, ku ndodhet edhe Kalaja e Bashtovës. Natyrisht, nuk mund të mbash një peshë prodhimi gjithëvjetor që të vijë nga ferma jote, vetëm me pesë parcela tokë, sado mirë t’i punosh ato.
Për të ardhur e për të ngrënë tek Nano Resort, është mirë që të merrni masat e të prenotoni, sepse asgjë nuk ju pret në kuzhinë apo në frigorifer. Sa kohë duhet, për të pregatitur, fjala vjen një pulë, pyes shefin e kuzhinës. Ooo, nja 3-4 orë të paktën. Se duhet kapur, therur, pregatitur, varet si e do, dhënë një valë, pastaj procesi i gatimit…shumë orë. Po mishi viçit? Ditë. Sepse kur theret, duhet lënë të vijë në gjendje të ngrënshme. Në fakt  procesi i ushqimit duhet thënë se fillon disa vjet para se të vijë në tavolinën e klientit, sepse fillon që nga kujdesi për tokën, ushqimi i saj vetëm me pleh organik e jo kimikate, që bagëtia dhe shpendët të ushqehen me çfarë bën toka. Por edhe perimet e frutat, që duken më të thjeshta për t’u konsumuar, duan po aq kujdes. Një ditë para shikohet çfarë është pjekur sa duhet, asgjë nuk këputet kot dhe mbi masën. Unë e di mirë se sa ushqim më duhet për një ditë sepse e kam nga përvoja. Për të bërë një lakror me dy petë apo edhe një byrek, që patjetër do bëhet në saç, më duhen 16 lloje barishtesh, që i kemi të gjitha në fermë, të egra dhe buta. Spinaqi, laboti, erëzat, radhiqet, lulëkuqet, duhen mbledhur e kombinuar në masën e duhur që lakrori të ketë shijen e duhur. Është një shkencë më vete dhe e gjitha e kombinuar me përfitimin e madh të ushqimit natyral.
Ferma ka edhe hotel. Ka shumë njerëz sot, për fat të mirë, që duan të zgjohen e të hanë mëngjesin në mes të një natyre si kjo, e të provojnë se si mund të ketë qenë dikur një saraj, apo ajo që dikur me konotacion negativ, quhej shtëpia e beut. Ambientet e brendshme pak aristokrate e pak fshatare, me fajancat e porcelanta e zbukurimet plot qëndisma e dantella, stili edhe klasik edhe barok, plotësojnë më së miri një dekor ku gjithkush do të donte të ishte pjesë.
Kur Ravesa na përcolli deri te shkallët e verandës, ku shushurinte uji i shatërvanit, po thosha me vete se ky vend që quhet Nano Resort është në fakt një parajsë e vogël në mes të gjelbërimit dhe se vërtet çdo gjë aty ishte bërë me dashuri, ndryshe nuk do të kishte qenë e mundur të bëhej kaq e bukur, kaq e ngrohtë e kaq mikptitëse njëkohësisht.
                        
5.0/5 rating (2 votes)

Hits

18579

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.