Krociera - për herë të parë nga Shqipëria

Krociera - për herë të parë nga Shqipëria

on Tuesday, 20 October 2015. Posted in Lajme

Celestial Cruises, dhe operatori shqiptar ATHS nisen nga porti i Sarandës

Krociera - për herë të parë nga Shqipëria
Kroçera, ky qytet i vogël lundrues, niset për herë të parë nga Shqipëria? Po ky është një sihariq turistik  për ne! U bënë vite që ne shqiptarët pëlqejmë udhëtimet me kroçera dhe pavarësisht kostos së lartë të kësaj pakete turistike, tundimi i madh që me një udhëtim të vetëm, të shohësh disa vende njëkohësisht, ka qenë më i fortë se stepja e kostos së lartë. Me kalimin e viteve zerot pas çmimit të paketave për kroçera u pakësuan dhe të shkosh me kroçerë nëpër Mesdhe fjala vjen, nuk është më një aventurë e paarritshme apo me kosto të lartë. Numri i shqiptarëve që blejnë paketa turistike për udhëtimet me kroçera është tanimë i konsiderueshëm dhe agjencitë turistike ofrojnë dendur paketa për këtë shërbim. Mirëpo udhëtimi me kroçerë e ka një problem sidoqoftë; ato nuk nisen nga portet shqiptare por ose nga Greqia (përgjithësisht),  ose nga mali i Zi, ose nga Italia. Dhe kjo natyrisht shton koston e paketës, netët e qëndrimit në vendet fqinje ose në Sarandë (në rastin e nisjes nga Greqia).
Po sot?
Sot jemi para një realiteti të ri. Një prej kompanive më të njohura në botë në fushën e lundrimit me kroçera, Celestial Cruises, në bashkëpunim me operatorin shqiptar të udhëtimit ATHS, kanë vendosur t`u bëjnë një shërbim të ri shqiptarëve (dhe jo vetëm) të apasionuar pas udhëtimeve të gjata mbi anije. Në tetor dy udhëtime mbi kroçerë do të nisen pikërisht nga porti i Sarandës! Tashmë kostot e udhëtimit janë më të lira dhe koha e shpenzuar gjithashtu, për shkak se nuk do të jetë e nevojshme nisja një ditë më parë për të qenë në port ditën e nisjes.
Por çfarë të mirash sjell kjo dukuri e re për turizmin shqiptar? A mund të jetë sektori i kroçerave ndikues për të ardhurat në ekonominë tonë? Pa dyshim që po. Kur jo shumë kohë më parë, kroçerat e para filluan me ndrojtje ta shohin Sarandën si një stacion disaorësh për turistët, gjithkush u gëzua, jo vetëm për shkëmbimin e kulturave shumëkombëshe, edhe pse shkurt por edhe për përfitimin financiar të shpenzimeve të mundshme të turistëve që do të zbrisnin në qytet. Por ishte shumë shpejt. Shqipëria, krejt e panjohur për kompanitë e këtyre gjigandëve të udhëtimit nuk ishte as në hartë, madje nëse ishte në disa harta të vjetra, rezultonte një vend i rrezikshëm për ta, ose edhe për lundruesit me jahte. Dhe kur, pas shtimit të rasteve kur kroçerat çlodheshin në portin e Sarandës, e më pas edhe në atë të Durrësit, asgjë e keqe nuk ndodhi, kur pas bregut blu të Sarandës apo kalatave të pabukura të Durrësit, priste Butrinti i magjishëm apo Amfiteatri i lashtë, numri i kroçerave u shtua dhe gjatë sezonit ato janë një realitet i vazhdueshëm në peisazhin e Durrësit dhe të Sarandës.
Përfshirja e Shqipërisë në hartat e kroçerave, do t`i jepte një hov të madh turizmit, sepse do të shtonte qëndrimin e tyre së paku për një natë në një prej porteve tona, e që do të përkthehej në më shumë shpenzime prej turistëve që në rastin më të zakonshëm arrijnë një shifër prej dymijë personash për çdo udhëtim. Çdo biznes sado i vogël që ka një aktivitet të lidhur me turizmin e di mirë se ç`do të thotë që qytetin ta vizitojnë dymijë turistë njëherësh. Dhe ky lloj turizmi ka edhe një të mirë tjetër të madhe; ushtrimin e aktivitetit edhe jashtë sezonit turistik, që në Shqipëri ende shtrëngohet dhimbshëm brenda muajve të verës. Kjo do të thotë që edhe në Shqipëri mund të kemi lëvizje masive turistësh brenda e jashtë saj, edhe përtej muajve të verës? Atëhere Celestial Cruises, paç këmbën e mbarë dhe lundrofsh në sa më shumë ujra të botës, duke u nisur nga detet e Shqipërisë!
3.0/5 rating (1 votes)

Hits

3258

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.