Kala  Festival – oksigjeni qershoras i Rivierës Shqiptare

Kala Festival – oksigjeni qershoras i Rivierës Shqiptare

on Wednesday, 19 June 2019. Posted in Lajme

Festivali i muzikës elektronike mbush Dhërmiun dhe ii jep jetë gjithë Rivierës

Kala  Festival – oksigjeni qershoras i Rivierës Shqiptare
Prej gati dhjetë ditësh tashmë, më shumë se 6 mijë turistë të huaj, kryesisht të rinj, kanë “pushtuar” Plazhin dhe fshatin e Dhërmiut, si pjesëmarrës në Kala Festival, festivali i muzikës elektronike ndërkombëtare, ose siç i thuhet shkurt, festivali i DJ-ve. Rreth 60 të tillë të njohur e të rinj nga e gjithë bota, janë vendosur në Dhërmi prej datës 12 e deri në 25 qershor, duke argëtuar të ardhurit e shumtë, kryesisht nga Britania e Madhe por me një gjeografi të shtrirë nga e gjithë bota, deri në Afrikë e Azi.
Por të rinjtë e ardhur natyrisht që nuk do ta kalojnë gjithë kohën me muzikë. Plazhet, gjiret, shtigjet fshatrat e Dhërmiut, Vunoit, deri në Himarë e Porto Palermo, kanë parë këto ditë grupe të pafundme me vizitorë, për argëtimin e të cilëve Dhërmiu “kërkoi ndihmën” e qyteteve të tjera si Vlora e Saranda. Flota e Finikas Lines me makinat 4 x 4 për safari apo flota e Regina Group me anijet turistike, janë vendosur në Dhërmi, për të plotësuar nevojat e kapacitetit të tejmbushur, duke u mundësuar të rinjve ture detare në Gjipe, Porto Palermo, Shpellën e Piratëve, Gramë dhe gjiret e tjera të Karaburunit, deri në Vlorë e Sazan. Por shumë prej tyre kanë përfituar për të bërë një xhiro deri në Sarandë, e për t`u kthyer sërish për t`iu bashkuar mbrëmjeve plot gjallëri në plazh, mes muzikës e pijeve pa fund. Asnjëherë Dhërmiu nuk ka parë kaq shumë gjallëri në Qershor. Hotelet brenda këtyre datave janë të gjitha të prenotuara por edhe restorantet e njësitë e tjera të shërbimit, kanë pasur një aktivitet të ngjeshur, duke e bërë qershorin një muaj me të ardhura të kënaqshme, në raport me sezonin e kaluar dhe me muajin qershor, që në përgjithësi njihet si muaj me fluks të pakët. Kjo ka bërë që të gjithë pushuesit e tjerë jo pjesëmarrës në festival, të spostohen në Vlorë, duke i dhënë gjallëri asaj ditëve të qershorit dhe duke e mbushur fundjavën me kapacitet thuajse të plotë.
Lëvizja ekonomike e vetëm një ngjarjeje të tillë turistike, i ka befasuar hotelet e Dhërmiut e megjithë “efektet anësore” që sjell një grupmoshë e shkujdesur turistësh si rinia, ata shprehen mjaft të kënaqur për këtë “dhuratë” të fillim sezonit, duke shpresuar që anulimet e prenotimeve prej situatës politike, nuk do të ndikojnë në buxhetin e të ardhurave kur të bëjnë bilancin në fund të shtatorit.
Festivalet muzikore janë një ngjarje e zakonshme në bregdetet fqinje si Greqia, Mali i Zi apo Kroacia, madje shpeshherë në data të caktuara, mbahen edhe koncerte të yjeve botërorë. Kjo sjell të ardhura të konsiderueshme dhe është një risi mjaft pozitive edhe për bregdetin shqiptar. Një plazhi rinor si Dhërmiu, i duhen disa festival të tilla, që duke u zhvilluar në muajt e pranverës, të verës së hershme apo në muajt e parë të vjeshtës, para se të nisë cikli universitar, duke pasur parasysh grupmoshat pjesëmarrëse, mund të kthehen në burim të përhershëm të ardhurash për turizmin. Pak ditë më parë në Shëngjin u mbajt UNUM Festival, një tjetër festival me muzikë elektronike, që ashtu si KALA, që sivjet ka edicionin e tij të dytë, pritet që të shtojë vit pas viti numrin e pjesëmarrësve.
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

7777

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.