“Di një vend” në Shqipërinë e bukur, është Kepi i Rodonit

“Di një vend” në Shqipërinë e bukur, është Kepi i Rodonit

Written by Flora Xhemani Baba on Thursday, 31 August 2017. Posted in Lajme

Dy ditë festë nëpër bukuritë e natyrës dhe trashëgimisë në Rodon

“Di një vend” në Shqipërinë e bukur, është Kepi i Rodonit
Nën moton e veçantë “Di një vend”, e cila lindi jo aq rastësisht por si një shkëndijë mes qindra udhëtimeve e fotove të bukura nëpër Shqipëri, Klubi “Discover Albania”, shpalli një aktivitet dy-ditor, për të vizituar një prej vendeve më të bukura e më interesante në Shqipëri, Kepin e Rodonit. Ishte një aktivitet i konceptuar si një festë e madhe në natyrë, që zgjati dy ditë e një natë, pikërisht në datat 25 dhe 26 Gusht, ku organizatorët ftuan edhe kompani të tjera që ushtrojnë aktivitetin e tyre me sporte në natyrë, që festa të bëhej sa më e larmishme dhe interesante. 
Qindra të rinj nga Shqipëria dhe Kosova iu bashkuan ftesës së Klubit për të qenë pjesë e kësaj feste, e cila nisi që në Tiranë, me transportin e organizuar, vazhdoi me shijimin e udhëtimit deri në kepin e Rodonit, me përjetimin e shijimit të perëndimit të paharrueshëm ku hëna dhe Dielli ishin bërë bashkë dhe me festën e madhe në plazh, që zgjati deri në orët e para të mëgjesit.
Një koncert i organizuar me muzikë të kombinuar mes këngës dhe ritmeve rinore të muzikës me DJ, ishte kolona zanore e një mbrëmjeje të gjatë që secili e shijoi ashtu siç dëshirone, o duke bërë shëtitje të gjata në plazh, o duke biseduar me shokët rreth zjarrit, o duke pirë një birrë në darkën e barbekjusë, ose duke ndjekur nga afër koncertin, tingujt e të cilit dëgjoheshin deri larg, në të dy cepat e plazhi të gjatë.
Fjetja e organizuar në çadra kampingu, ishte e vetmja mënyrë akomodimi sepse Rodoni për fat të mirë ende nuk është prekur nga urbanizimi dhe shpresojmë që të mbetet i tillë, pikërisht për të ofruar një përvojë ndryshe të shijimit të natyrës.
Por jo vetëm të natyrës. Rodoni është një vend ku mund të zbulohet edhe një copëz e historisë së Shqipërisë dhe një prej aktiviteteve të shumta që u organizuan në këtë festë, ishte edhe vizita në Kalanë e Skënderbeut, pak kilometra në këmbë që nga plazhi ku ishte stacionuar kampi. Po ashtu ishte menduar edhe vizita në Kishën e Shën Ndout.
Në mëngjesin e të nesërmes, grupe të ndryshme iu bashkuan aktiviteteve të ndryshme. Dikush pati dëshirë për një relaks total nën tingujt qetësues dhe lëvizjet magjike të sportit shpirtëror të Jogës. Më të dhënët pas natyrës, iu bashkuan grupeve që do të vizitonin Kalanë dhe Kishën, kurse ata më aventurorët, shkuan pas sporteve. Në det grupet e Albania Adventure organizuan “stand up paddle” dhe kajak ndërsa përgjatë shpateve të Kepit, sërish grupet e Albania Adventure u zhytën në aventurën “Off Road” me autokolonën e makinave 4 x 4.Pati dhe nga ata që zgjodhën të pedalonin përgjatë shtigjeve me biçikletë.
Ishte një festë ku mund të thuhet me plot gojën se Rodoni mori jetë. Klubi “Discover Albania”, My Albania Nature Explorers, Albania Adventure, Borea Travel, DSM, Kalemi Travel, ATV, dhanë secili pak nga përvoja e tyre, të cilën e shijuan me qindra të rinj, për të treguar se po, Shqipëria mund të shijohet duke e dashur natyrën, duke e respektuar trashëgimininë, duke mos e ndotur mjedisin, duke e njohur historinë e sigurisht duke u argëtuar pa fund. Sepse të dish vlerat që ke dhe t`i shijosh ato duke mos i dëmtuar, do të thotë të ushtrosh turizëm të përgjegjshëm.
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

305

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.