A po nis industria e ndërtimit të anijeve në Shqipëri?

A po nis industria e ndërtimit të anijeve në Shqipëri?

Written by Flora Xhemani Baba on Wednesday, 20 February 2019. Posted in Lajme

Në Vlorë ka nisur puna për ndërtimin e anijes së dytë, pjesë e Regina Group

A po nis industria e ndërtimit të anijeve në Shqipëri?
Disa vite më parë, një vajzë e apasionuar pas detit dhe anijeve me vela, pasi kishte mbaruar një shkollë që zakonisht konsiderohej për djem, siç ishte inxhinieria e drurit, filloit të projektonte varka me vela, të ndërtuara në mënyrë artizanale, që një ditë do të lundronin nëpër detet dhe liqenet e Shqipërisë. Dhe ajo ditë erdhi. Sot Genta Ahmeti me nismën e saj “Life on a Boat” ka populluar jo pak herë liqenet e Tiranës dhe detin e Durrësit me pulëbardhat e saj të bukura, që kanë hijeshuar plot aktivitete dhe që nesër shpreson t`i kthejë në mjete të zakonshme lundrimi për individë ose turistë.
Nga ana tjetër, vitin e shkuar Regina Group ndërtoi anijen e parë me kapacitet rreth 300 persona, e cila përshkoi brigjet e Vlorës nëpër Sazan e Karaburun, ku qindra turistë të huaj e kuptohet, edhe plot shqiptarë, shijuan bukuritë e bregdetit vlonjat në ditët e nxehta të verës.
Këtë vit po ndërtohet anija e dytë, me kapacitet më të madh, si rrjedhojë e kërkesave të shumta të turistëve, që megjithë shtimin e mjeteve të lundrimit, mbetet ende e lartë. Skeleti i anijes si një shpend i madh prehistorik, ka filluar të hedhë shtat diku pranë Plazhit të Vjetër, në një kantier ndërtimi që mbikëqyret nga inxhinierë dhe projektues huaj, dimplomuar e vlerësuar nga BE, me qëllim që të sigurohet cilësia dhe siguria e duhur.
Pyetjes tonë, nëse këto janë shenjat e nisjes së industrisë së ndërtimit të anijeve në Shqipëri, Vasil Bedinaj, president i Regina Group, i përgjigjet pozitivisht, duke na zbuluar se përveç zgjerimit të flotës së Regina Group me anije të tjera, në të ardhmen, planet janë për tregtimin e këtyre anijeve, duke plotësuar natyrisht kërkesat e tregut në sajë të porosive.
Duket vërtet e largët koha kur moratoriumi i skafeve kishte ndaluar lëvizjen e çdo mjeti lundrues në bregdetin shqiptar, tani që jo vetëm lundrohet, por edhe po ecet me shpejtësi drejt plotësimit të kësaj pike të rëndësishme të turizmit në sektorin e argëtimit dhe kohës së lirë. Në këtë sektor Vlora është disa hapa më përpara se Durrësi, ku deri tani nuk ka anije turistike në lëvizje por ku stacionohen disa kryqëzore gjatë verës, gjë që në Vlorë nuk ka ndodhur akoma.
Mëgjithatë është lajm shumë i mirë që shenjat e lindjes së një sektori prodhimi duken pozitive, sepse Shqipëria, me një bregdet prej katërqind e pesëdhjetë kilometrash, do të punësonte një numër të madh njerëzish e do të rriste mundësinë e shkollimit në profile profesionale të fushës inxhinierike të lëndëve drusore.
Sipas Z. Bedinaj, projektet e të ardhmes nuk do të mbesin vetëm në Vlorë por do të shtrihen edhe në Durrës, Shëngjin e Sarandë, aty ku ka portet do të krijonin hapësira të përshtatshme për lëvizjen e anijeve të mëdha.
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

8039

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.