100 mijë vizitorë për pesë ditë në Panairin e Librit

on Monday, 19 November 2012. Posted in Lajme

Fituesit e librave me te mire te Panairit i Librit “Tirana 2012”

100 mijë vizitorë për pesë ditë në Panairin e Librit

Është mbyllur të dielën në mbrëmje edicioni i 15-të i Panairit të Librit “Tirana 2012”. Në një ceremoni të veçantë, në orën 18.00, me praninë e Ambasadores së Francës Christine Moro, drejtoreshës së Institutit Italian të Kulturës, Fulvia Veneziani, diplomatë e politikanë u ndanë edhe çmimet e panairit. Për këtë vit, juria e përbërë nga Arta Marku, Dhurata Shehri, Mirela Kumbaro, Fatos Baxhaku dhe Parid Teferiçi kanë përzgjedhur më të mirët mes rreth 70 kandidaturave të ofruara nga botuesit. Këtë vit panairit i mungoi çmimi për Letërsinë për Fëmijë. Arsyet sipas kryetarit të Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, janë mungesa në tregun e librit të letërsisë dedikuar fëmijëve. Autorët shqiptarë nuk i qasen letërsisë për fëmijë. Këtë e përforcoi edhe Mirela Kumbaro, anëtare e kësaj jurie në fjalën e saj përshëndetëse. “Juria nuk gjeti sivjet një kandidaturë të mjaftueshme që të plotësonte kriteret për çmim në kategorinë e letërsisë për fëmijë, tha ajo. “Në këtë edicion ky çmim mungon ndaj uroj që kjo të jetë një nxitje për të pasur më shumë letërsi për fëmijë në edicionet e ardhshme, sidomos nga autorët shqiptarë”. Çmimin për Përkthyesin e Vitit e mori Rudi Erebara, për përmbledhjen poetike, “Tek era e kam shpëtimin”, të poetit amerikan Archibalt Ammons, i shtëpisë botuese “Aleph”. Çmimi u dorëzua nga shkrimtari Parid Teferiçi me motivacionin për guximin në përcjelljen në shqip të një autori të vështirë, por emancipues. Këtë vit u dha edhe një çmim për Përkthyesin më të mirë nga gjuha frënge, ofruar nga Ambasada e Francës, i cili shkoi për përkthyesin Orgest Azizi për përkthimin e vëllimit të parë të librit “Historia e seksualitetit” të Michel Foucault, botim i UET Press. Çmimi special i jurisë shkoi për Aleko Mingën për sjelljen në shqip të librit “Simfonia e numrave të thjeshtë” të Markus du Sautoy, botim i Institutit të Dialogut dhe Komunikimit me motivacionin “si stacion domethënës në rrugën e tij për popullarizimin e shkencës”. Çmimin e dorëzoi Fatos Baxhaku, anëtar i jurisë. Ndërsa çmimin kryesor të panairit atë për Autorin e Vitit e mori Artan Fuga për librin “Rënia e qytetit”, botim i shtëpisë “Papirus”. Autori Fuga u vlerësua për mënyrën e re se si e shkruan qytetin si koncept, si jetesë dhe si metamorfozë. “Rënia e qytetit” është një botim ku ndërthuret syri i vëzhguesit që jeton brenda një qyteti shqiptar, me analizën e fakteve prej një filozofi social siç është dhe filozofi Artan Fuga, duke parashtruar njëkohësisht ide bashkëkohore se si duhet të jetë një qytet. Në mungesë të autorit, çmimi iu dorëzua nga Dhurata Shehri, botuesit Benet Koleka. 

Në edicionin e 15-të të Panairit të Librit mbi 100 botues nga treva të ndryshme shqiptare, por edhe universitete dhe shtëpi botuese të huaja kanë ekspozuar për pesë ditë në Tiranë mbi 60 mijë tituj botimesh, ndër të cilët 1500 të rinj. Përveç prezantimit të librave në stendat përkatëse të shtëpive botuese dhe sallat e konferencave u zhvilluan më shumë se 60 promovime autorësh e librash të rinj, ndërkohë që në serinë e aktiviteteve nuk munguan diskutimet mbi tema profesionale, për komunikimin, konferencat, apo dhe ekspozetë, përfshirë edhe atë që Shoqata e Botuesve Shqiptarë kishte parashikuar në këtë vit të 20 vjetorit të saj. i shtrirë në të tria katet e Pallatit të Kongreseve, me një pjesëmarrje më të madhe se asnjë vit tjetër, në këtë edicion panairi ka zënë një sipërfaqe prej 1800 metrash katrorë. Gjatë pesë ditëve Panairi i Librit u vizitua nga më shumë se 100 mijë vizitorë, u bënë më shumë se 80 veprimtari librore, u shitën më shumë se 600 mijë libra. Vizitorët kryesisht ishin nga qyteti i Tiranës, por kishte edhe mijëra lexues, të organizuar ose shoqërisht e familjarisht të ardhur jo vetëm nga Durrësi, Shkodra e Korça, nga Prishtina e Tetova, nga Gjakova e Shkupi, por deri edhe nga Italia e Greqia. Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri një falenderim të veçantë ka bërë për ambasadat dhe institucionet e huaja që janë në vendin tonë: Ambasada e SHBA, ambasadat e Spanjës e Zvicrës, Institutin Gëte në Tiranë etj. “Dua të dalloj Institutin Italian të Kulturës dhe Ambasadën e Francës  për elegancën dhe performancën e shkëlqyer e seriozitetin që manifestuan në Panairin e Librit”, tha ai. “Dua padyshim të falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe personalisht zotin Bumçi për mbështetjen, jo vetëm për këtë Panair por edhe disa veprimtari të tjera që kemi bërë gjatë këtij viti jubilar duke filluar me pjesëmarrjen shumë cilësore në Panairin e Librit në Leipzig, në panairet e Shkupit, të Prishtinës dhe  të Frankfurtit. Dua të falënderoj Drejtorinë e Librit në Ministrinë e Kulturës zotin Ermir Nika me të cilin kemi bashkëpunuar ngushtë, deri në lodhje,  për këto veprimtari”. TRAVEL

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

2098

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.