Gjakova,  qyteti që i dha frymë Shqipërisë

Gjakova, qyteti që i dha frymë Shqipërisë

on Sunday, 22 December 2013. Posted in Destinacione

Mirëse vini mes traditës dhe vlerave shqiptare!

Gjakova,  qyteti që i dha frymë Shqipërisë

 

Info: Komuna Gjakovë
Gjakova gërsheton historinë e vjetër dhe moderne, me arkitekturën e çarshisë së Vjetër, ndër më të mëdhatë në Ballkan. Gjakova është qytet i tokës pjellore të atdhetarëve, intelektualëve, politikanëve, artistëve, zejtarëve e sportistëve. Qytet që ka ruajtur lidhjet e ngushta me Shkodrën dhe Shqipërinë. gjatë historisë, ndryshe nga shqiptarët e tjerë të Kosovës që shpërnguleshin në Turqi, gjakovarët u vendosën në Shqipëri, duke u organizuar në luftë për çlirimin e vndit.

 

 

Gjeografia dhe klima
Qyteti i Gjakovës ka një siperfaqe prej 708 km2 dhe shtrihet në pjesën jugperëndimore të  Rrafshit të Dukagjinit, në mes të rrugës Prizren-Pejë. Gjatë historisë, ky vendbanim ishte pjesë e rrugës Via de Zenta.
Gjakova shtrihet në koordinatat 42,22 dhe 20,26 me një lartësi mesatare mbi nivelin e detit 365 m. është 92 km nga Prishtina dhe 37 km nga Peja dhe Prizreni.
Zona e Gjakovës shtrihet në perëndim të Çabratit, në një lartësi 440-460 m mbi nivelin e detit, ndërmjet maleve të Junikut dhe Shkëlzenit, pjesë të Bjeshkëve të Nemuna.
Malet e ulta me qafa si ajo e Prushit, e Dobrunës, e Morinës etj., mundësojnë ndikimin e erërave të Detit Adratik nëpër luginën e Drinit, prandaj Gjakova dhe rrethinat kanë klimë të mesme kontinentale me elemente të asaj mesdhetare me verë të nxehtë dhe të thatë. Mesatarja e reshjeve është 959,3 mm në vit,  ndërsa temperatura mesatare e korrikut është 21,5*C dhe e janarit -0.9* C. Vera është e thatë, ndërsa dimri me lagështi. Prandaj, nëse vizitoni Gjakovën gjatë verës, duhet të visheni sa më lehtë.
Burimet natyrore
Përmidis qytetit kalon lumi Krena që sjell freski sidomos gjatë verës. Në një pjesë të këtij lumi është ndërtuar shtrati, ndërsa objektet hoteljere janë mjaft të vizituara për shkak të kënaqësisë që jep gurgullima e lumit.
Lugina e Krenës është e ngjashme me luginën e lumit Erenik, në të cilën përveç qytetit ndodhen disa qendra të tjera të banuara, si Baballoqi, Skivjani, Oseku etj..
Lumi i Erenikut buron nga liqeni i akullnjajave të Gjeravicës dhe derdhet në lumin Drini i Bardhë dhe përshkon njërin skaj të Gjakovës. Gjatë verës është shumë i preferuar për plazh.
Është më teper lum fushor, sepse në 2/3 e rrjedhës kalon nëpër pjesë të ulëta me një lartësi 300-500m mbi nivelin e detit. Lugina e Erenikut shtrihet në lindje, ka formë harkore me degëzim lindor, është mjaft e gjërë, ka reliev të butë dhe tokë pjellore me mundësi të zhvillimit të bujqësisë.
Fushëgropën e Gjakovës e përshkojnë 80 rrjedhje të ujrave sipërfaqësorë që burojnë në veri nga vargu malor i Cërmjanit, si dhe nga kurorat malore, në jug të qytetit. Të gjitha derdhen në Erenikun 51 km të gjatë. Njëra prej degëve të tij të majta është Bistrica e Lloqanit, që buron prej lartësisë Plloça në perëndim të Gjaravicës dhe mbasi ndan Gjakovën nëpërmjet lumit Krena në dy pjesë, derdhet në Erenik. Trava dhe Trakaniqi janë dy lumenj të tjerë të vegjël, tipikë fushorë që derdhen në Erenik.
Vetëm 10 minuta larg nga qyteti është liqeni artificial i Radoniqit me rreth 120 km2, i cili mori emrin e fshatit të përmbytur për krijimin e tij. I vendosur 600 m mbi nivelin e detit, Radoniqi ka ujë të pastër si loti dhe kaltërsia e tij ngjan më shumë me detin, ndërkohë që gjelbërimi përreth ia shton akoma më tepër bukurinë. Liqeni furnizon me ujë rreth 215.000 banorë të qytetit të Gjakovës dhe të Rahavecit dhe të fshatrave përreth, si dhe shfrytëzohet edhe për ujitjen e 10.500 ha tokë. Për këtë arsye, larja në të është e ndaluar, por aty mund të kalohet koha e lirë duke peshkuar.
Lumi i Drinit të Bardhë buron në malin e Zhleb i Pejës, afër fshatit Radavc. Gjendet vetëm 9 km nga Gjakova. Afër Kukësit bashkohet me Drinin e Zi. Për shkak të liqeneve artificiale të Fierzës, Komanit dhe të Vaut të Dejës, një pjesë e tij është e lundrueshme. 18 m mbi këtë lumë ngrihet Ura e Fshenjtë, e cila është pika më e vizituar e turistëve sidomos në verë, për shkak të plazhit që ofron.
Legjenda e urës është ballkanase: thuhet se këtë urë e ndërtuan tre vëllëzër, njëri prej të cilëve sakrifikoi gruan e vet, sepse vetëm murosja e saj pamundësonte rrënimin e vazhdueshëm.
Tradicionalsiht te kjo urë mbahen çdo vit garat e kërcimeve në ujë, ku notarët kërcejnë në stile të ndryshme nga lartësia e saj. Disa prej hedhësve nga kjo urë kanë dalë të suksesshëm edhe në hedhjet nga Ura e Mostarit, në Bosnje.
Kodra e Çabratit paraqet një përmendore të rëndësishme kulturore e historike, ku u zhvilluan beteja të armatosura gjatë gjithë historisë së Gjakovës deri në luftën e fundit të UÇK-së, por edhe përmendore natyrore, ku gjakovarët zbaviteshin gjatë gjithë historisë. Është simbol i qytetit të Gjakovës dhe ka frymëzuar shumë këngëtarë popullorë dhe shkrimtarë. Nga resorantet mbi kodër, panorama e qytetit përjetohet me kënaqësi.
Këtu gjendet edhe kompleksi i varrezave të martirëve të luftës së UÇK-së.
Shkugëza ndodhet rreth 3 km nga qyteti, duke ndjekur rrugën për në Shqipëri-Qafa e Prushit, pas kalimit të urës së Tabakut, në të majtë në drejtim të rrugës për në fshatit Fierzë.
është një pyll është artificial, i krijuar në vitet '40. Lartësia e pemëve shkon deri në 25m dhe ka një biodiversitet të theksuar dhe vegjetacion të larmishëm. Kjo e ban Shkugëzën tërheqëse edhe për ajrin e pastër. Mund të vizitohet  në çdo stinë për rekreacion, ecje, vrapim, sporte të lira, biçiklizëm etj.. Në restorantet e ngritura rishtazi, mund të shijohet edhe kuzhina e pasur gjakovare.
Legjendë dhe histori
Thuhet se fillet e Gjakovës së sotme u vunë në mesjetë, rrreth shekujve XIV-XV, kur Hadum Aga vendosi të ndërtojë një xhami në mes dy vendbanimeve: Mëhallës së Gërçarëve dhe të Gecës. Pronari i tokës, Jak Vula, i takonte besimit të krishterë. Pasi dëgjoi kërkesën e Hadum Agës, ai tha se do t'i shiste aq tokë sa zinte sipërfaqja e lëkurës së rrjepur të një bualli. Hadum Aga e gjeti zgjidhjen: theri një buall dhe lëkurën e preu në shirit të hollë. Kur ky shirit u shtri, zuri  sipërfaqe të mjaftueshme për ndërtimin e një xhamie. E meqë kishte premtuar, Jak Vula pranoi t'ia shiste tokën Hadum Agës.
Kështu, rreth viteve 1594-95, Hadum Sylejman Efendia-Hadum Aga e ndërtoi xhaminë, e cila edhe sot mban emrin e tij. Xhamia që u ndërtua në fushën e Jakë Vulës, i dha qytetit emrin e parë: Jakovë.
Varrezat tumulare në fshatrat Brekoc e Moglicë dhe gjetjet e tjera të rastit, dëshmojnë për jetën e ilirëve në këtë trevë.
Për herë të parë, në mesjetë, Gjakova përmendet si fshat dhe vend pazari më 1485. 10 vjet më vonë, Sylejman Hadum aga ndërtoi xhaminë, shkollën, bibliotekën, hanin, hamamin dhe muvakit hanën, objekt për matjen e kohës dhe për caktimin e kalendarit me ndihmën e kuadrateve astrolabikë, që ishin bërthama rreth së cilës u ndërtua Çarshia e Madhe. 
Për herë të parë si qytet, Gjakova përmendet në vitin 1662, nga udhëpërshkruesi osman Evlia Çelebiu: ”Jakova i ka dy mijë shtëpi të stolisuara... Ka dy xhami të bukura, mesxhide, hane të mbuluara me plumb… Ka një hamam të bukur që të kënaq zemrën dhe nja treqind dyqane me nja një mijë lloj mjeshtrishë. Meqë e ka klimën e këndshme, banorët janë të bukur dhe të këndshëm”.
Gjakova mori pjesë në të gjitha kryengritjet antiosmane gjatë Rilindjes Kombëtare të shek. XIX-XX.
Më 1837 kryengritësit gjakovarë dëbuan forcat osmane nga qyteti dhe shpallën vetqeverisjën. Më 1845, Binak Alia dhe Sokol Rama e çliruan përsëri Gjakovën, por Mehmet Reshit pasha, e shtypi me gjak kryengritjen.
Më 1862, Mehmet Ali pasha la në Malësi 1500 ushtarë të vdekur, ndërsa më 1866-1868, Binak Alia, Shaqir Curri etj., i detyruan osmanët të pranonin vetqeverisjen.
Përgatitjet për formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit filluan në Gjakovë qysh më 1877, kur Haxhi Zeka dhe Ahmet Koronica kontaktuan anglezët dhe vazhduan deri në formimin e saj më 10 qershor 1878.
Në Qeverinë e Përkohshme të 1881, bënin pjesë Sylejman Vokshi dhe Ali Ibra nga Dega e Gjakovës. Sylejman Vokshi, komandant i forcave të Lidhjes, çliroi Shkupin, Prishtinën, Vushtrrinë, Mitrovicën, Gjilanin, Kumanovën, Tetovën, Gostivarin, Dibrën etj., ndërsa Ali Ibra duhej të vendoste pushtetin e Lidhjes në Jeni Pazar.
Lëvizja për autonominë e Shqipërisë vazhdoi me themelimin e Lidhjes së Pejës më 1889, ku u dallua Bajram Curri.
Gjakova ishte arenë luftimesh edhe në kryengritjët e viteve 1909,1910 dhe 1911. Gjakovarët dhanë ndihmesën e tyre edhe në Kryengritjën e Përgjithshme e vitit 1912.
Më 6 nëntor 1912, forcat serbo-malzeze e ndanë qytetin e Gjakovës në dy pjesë, duke plaçkitur dhe djegur Çarshinë e Madhe dhe pjesë të tjera të qytetit dhe rrethinave.
Me vendimin e Konferencës së Londrës më 1913, Gjakova mbeti nën sumdimin serb.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, Gjakova ishte nën sundimin austro-hungarez deri më 1918, kur hyri përsëri ushtria serbe.
Pas ripushtimit, reforma agrare dhe kolonizimi e vështirësoi së tepërmi gjendjen e fshatarësisë. Në rrethin e Gjakovës u kolonizuan 2100 familje që kishin në dispozicion 29.093,35 ha tokë.
Për ndryshim nga shqiptarët e tjerë të Kosovës që shpërnguleshin në Turqi, gjakovarët u vendosën në Shqipëri, ku u organizuan në luftë për çlirimin e vendit. Bajram Curri, Niman Ferizi, Qazim Bakalli etj., ishin shumë aktivë në Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës.
Pas kapitulimit të Jugosllavisë së parë, më 1941, u kthyen në Gjakovë shumë djem të shkolluar në Shqipëri, të cilët u punësuan në administratë, arsim e institucione të tjera dhe organizuan qëndresën antifashiste.
Ngjarja më e rëndësishme e kësaj periudhe është Konferenca e Bujanit, parlamentit i parë në historinë e re të Kosovës, ku përfaqësuesit e të gjitha nacionaliteteve formuan qeverinë e parë të Kosovës. Në Konferencë u miratua Rezoluta, e cila në bazë të së drejtës për vetvendosje, kërkonte bashkimin me Shqipërinë. Hartues të saj ishin gjakovarët Hajdar Dushi, Zekeria Rexha dhe Xheladin Hana.
Pas luftës, Jugosllavia, por as Shqipëria, nuk e përfilli këtë Rezolutë.
Në Gjakovë dhe në Malësi ekzistonte edhe një lëvizje tjetër nacionaliste antifashiste me në krye Gani Kryeziun, e cila ishte e orientuar kah aleatët anglo-amerikanë. Rreth saj u grumbulluan patriotë me orientime perëndimore si Selman Riza, Ejup Binaku etj..
Traditat shekullore gjetën shprehjen e plotë edhe në luftën e UÇK-së. Në qytet gjetën strehim rreth 50 mijë fshatarë të zonave të përfshira në luftë, edhe pse këtë bujari disa e paguan me kokë. Rreth 20 mijë prej tyre, sapo nisën  bombardimet e NATO-s, ikën nga terrori serb në qytet dhe u vendosën në Raçë dhe Moglicë.
Gjakova ishte i vetmi qytet që e kundërshtoi ashpër politikën e braktisjes së trojeve shqiptare, si dhe i vetmi qytet që formoi Brigadën 137 “Gjakova” të UÇK-së. Prandaj, forcat serbe dogjën Çarshinë me 168 shtëpi, 423 dyqane, Kompleksin e Teqesë së Bektashinjve, Kompleksin e Medresesë së Madhe dhe të gjitha përmendoret e tjera kulturore e historike.
Bilanci i Luftës në Komunën e Gjakovës është i rëndë: u dogjën 70 fshatra me 6.200 shtëpi banimi dhe objekte të tjera përcjellëse, 47 objekte kuturore historike e fetare, 18 objekte shëndetsore, 23 shkolla dhe 80% e infrastrukturës.
Gjatë luftës ranë rreth 200 dëshmorë, ndërsa numërohen 609 të zhdukur, 645 viktima civile dhe 324 të burgosur.
Popullsia
Sipas regjistrimit të vitit 2011, komuna e Gjakovës ka rreth 100 mijë banorë, por për shkak të një numri të madh të gjakovarëve që jetojnë jashtë, mendohet se kjo shifër është rreth 150 mijë. Veç kësaj, migrimi drejt Prishtinës dhe qendrave tjera jashtë vendit, vazhdon.
Tradita dhe kultura
Gjakovarët njihen si krijues, dashamirës dhe kultivues të mirë të muzikës dhe humorit. Tradita për këngën është kultivuar brez pas brezi, sikurse edhe humori, të cilin e ndesh kudo. Këto dy karakteristika e bëjnë Gjakovës shumë të afërt me Shkodrën.
Gjakova ka traditë të pasur edhe në arsim e kulturë. Misionarët françeskanë hapën shkolla në Gjakovë në fillim të shek. XVIII. Gjon Nikollë Kazazi, arqipeshkëv i dioçezës së Shkupit hapi shkollë shqipe në shtëpinë e tij në Gjakovë, si dhe në Janjevë, Zym etj., ndërsa më 1743  botoi "Doktrinën e Kështen" në gjuhën shqipe.
Në shkurt 1912 Don Pashk Krasniqi kërkoi nga përfaqësuesi austrohungarez hapjen e një gjimnazi katolik në Gjakovë.
Më 1707 Murat pasha themeloi Medresenë e Madhe në gjuhën shqipe, ndërsa më 1770, Tahir efendi Gjakova themeloi Medresenë e Vogël.
Pas tërheqjës së ushtrisë serbo-malazeze më 1915, me nismën e Bajram Currit, në Gjakovë dhe rrethina u hapën tre shkolla shqipe për djem dhe një për vajza, që nuk xgjatën shumë, sepse pas mbylljes së shkollave shqipe në Kosovë më 1918, mësuesit gjakovarë u detyruan të shkonin në Malësi ku themeluan shkollën e parë shqipe në Bujan dhe konviktin “Kosova”.
Midis dy luftërave botërore në Gjakovë nuk kishte asnjë shkollë shqipe, bibliotekë apo shoqatë kulturo-artistike, prandaj mbi 90% e popullsisë shqiptare ishin analfabetë.
Më 1941 në Gjakovë u hapën tri shkolla shqipe, ndërsa më 1942 u hap normalja "Gjon Nikollë Kazazi", godinën e të cilës e ndërtoi populli i Gjakovës.
Pas Luftës II Botërore, në Gjakovë hapet normalja e vetme shqipe, që përgatiste mësues për të gjitha viset shqiptare të Jugosllavisë.
Më 1967, hapet Shkolla e Lartë Pedagogjike, i vetmi institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në ish-Jugosllavi, e që aktualisht po shndërrohet në Universitetin e Gjakovës.
Mbas djegies së përsëritur të bibliotekës së Xhamisë së Hadumit (1912, 1999) dhe bibliotekës së Teqesë së Bektashinjve më 1999, u asgjësua një fond i pasur librash dhe dorëshkrimesh shumë të vlefshme. Megjithatë, shpëtuan disa libra të rrallë si “Cuneus Prophetarum” e Pjetër Bogdanit, e botuar në Venedik më 1691, e ruajtur në shtëpinë e Hafiz Smajlit, si dhe enciklopedia e Sami Frashërit "Kamus ul ‘alam" e botuar më 1889, e ruajtur në bibliotekën e Xhelal Pulës.
Qysh prej vitit 1947, Gjakova ka bibliotekën e Qytetit "Ibrahim Rugova", ndëkohë që më vonë janë krijuar Teatri Profesionist, Teatri Amator, Teatri i Kukllave dhe Teatri i të Rinjve, Shoqëria “Shqiponja e Dukagjini”, Ansambli i Valleve Popullore, Ansambli “Art Dizajn” dhe shoqëri të tjera kulturo-artistike.
Në Gjakovë ndodhet edhe Muzeu Etnokgrafik, Muzeu i Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Arkivin Historik të Qytetit,
Gjakova ka klubin letrar "Gjon Nikollë Kazazi" dhe Degën e Lidhjës së Shkrimtarëve të Kosovës, si dhe organizon qysh nga viti 1964 "Mitingun e Poezisë".
Muzika qytetare gjakovare ka një traditë mbi 250-vjeçare, të përcjellë përmes shoqërive muzikore "Gajret", "Kosova" dhe "Agimi", ndërsa aktualisht janë edhe disa shoqëri tjera, si "Hajdar Dushi", "Ymer Riza", "Shote Galica", "Metaliku", "Hadi Bajrami", "Skofiarët" etj..
Sofra gjakovare paraqet një tjetër vlerë të trashëgimisë shpirtërore të popullit të Gjakovës, sepse rreth saj është kultivuar tradita e muzikës së vjetër. Si formë atraktive dhe interesante e përditshmërisë, organizimi i sofrave muzikore ka mbetur e tillë edhe në ditët e sotme. Në mes të odës shtrohet sofra, me diametër 2 m, ku dominojnë ushqimet tradicionële dhe rreth saj zënë vend rreth 20 persona. Prapa këngëtarëve janë ulëset tjera, shiltet apo minderi, ku ulen muzikantët. Këngëtarët dhe instrumentistët shoqërohen edhe nga disa burra që bashkohen në këndim. Marrin pjesë edhe valltarë dhe luhen valle popullore.
Për ta mbajtur të gjallë këtë traditë çdo vit, në çashinë e Vjetër organizohet “Sofra gjakovare”.
Veç trashëgimisë materiale, Gjakova ka një trashëgimi të pasur shpirtërore, si dhe personazhe popullorë që kanë lënë gjurmë në historinë e qytetit, si: Remzi Hasimja, mëndashpunues, Ruzhdi Qarri, zdrukthtar, Fehmi Vejsa, lëkurëpunues, Shaban Paja, parashikues i së ardhmes etj..
Kur dhe si me ardhë?
Gjakova është tërheqëse gjatë gjithë vitit, falë monumenteve të shumta të trashëgimisë kulturore e historike, por edhe falë lumenjëve të shumtë dhe liqenit të Radoniqit, që kanë ujë të pastër dhe rërë natyrale bashkë me pishinat e hapura.
Në verë mbahen shumë manifestime tradicionale: Mitingu i Poezisë, garat tradicionale të kërcimeve në ujë nga Ura e Fshenjtë, Festivali i këngës për fëmijë, manifestimi “Sofra gjakovare”, si dhe shumë aktivitete të tjera kulturore e sportive. Po ashtu, gjatë verës mbahen edhe dasmat tradicionale të Gjakovës të cilat karakterizohen nga ritet e tyre të veçanta, muzikën qytetare, si dhe kuzhinën e pasur.
Edhe gjatë dimrit Gjakova është e vizitueshme. Në këtë periudhë, në shpatet e çabratit mbahen garat e skive.
Nëpërmjet ajrit mund të shkohet në Gjakovë nga aeroporti “Adem Jashari” i Prishtinës, rreth 65 km larg, por me Rrugën e Kombit, mund të përdoret edhe aeroporti “Nënë Tereza” i Tiranës, rreth 3 orë larg. Megjithatë, 2 km nga qyteti, Gjakova ka edhe aeroportin e vet të ndërtuar Italia, e që aktualisht është në shërbim të KFOR-it, dhe pritet të jepet për shfrytëzim për fluturime civile.
Nga deti, në Gjakovë mund të mbrrihet duke shfrytëzuar portin e Durrësit prej nga kalohet nëpër autostradën Durrës-Kukës-Prizren-Gjakovë, por edhe nëpërmjet portit të Shëngjinit, në drejtimin Milot-Morinë-Prizren-Gjakovë.
Nëpërmjet rrugës automobilistike në Gjakovë mbrrihet nga Prishtina, 92 km larg, ndërsa nga Mali i Zi duhet zgjedhur kalimi në Pejë, si qyteti më i afërt kufitar me këtë shtet, 36 km larg Gjakovës. Nga Shqipëria, udhëtimi është më i lehtë, falë autostradës moderne Durrës-Kukës- Prizren-Gjakovë. Në të gjitha këto drejtime çdo 30 minuta qarkullojnë autobusë të rregullt, por edhe minibusë, me bileta që shkojnë deri në 4 euro. Nga Shqipëria bileta kushton rreth 20 euro, ndërsa linjat e autobusëve janë dy herë në ditë: në mëngjes dhe në mbrëmje.
Për t'u vizituar
Në zonën e Gjakovës ka mjaft monumente kulturore e historike, që datojnë nga lashtësia e deri në kohët moderne.
Ndër gjurmët më të lashta po rendisim disa:
Në fshatin Doblibare gjendet një lokalitet arkeologjik, ndërsa në fshatin Qerim, në pronën e Nik Laskut, ndodhet nekropoli ilir me tuma ku varroseshin dardanët.
Në fshatin Ujz, në pronën e Ndoc Dedës gjendet një tumë ilire me diametër 15 m dhe 1.7 m e lartë.
Në kodrën e fshatit Raçë, në vendin e quajtur “Kisha katolike”, në bregun e majtë të prroit Raçicë, gjenden mbeturinat e mureve të një fortifikate antike romake. Sasia e matreialit arkeologjik të gjetur në atë vend dhe gjithkund përreth arave si dhe mbeturinat e mureve në arat e afërme, lë të kuptohet se bëhët fjalë për një përmendore të rendësishme të të kaluarës.
Pas Luftës II Botërore fillojnë gërmimet në Rogovë të Hasit dhe në Sukën e Cërmjanit. Gërmimet vazhdojnë më 2001 në Tumat e Rakovinës, më 2002 në Tumën e Moglicës dhe më 2004 përsëri në Rogovën e Hasit. Më 2001 u bë njohja e terrenit në kuadër të projektit “Harta arkeologjike” e luginës së Drinit të Bardhë. 
Ndërsa më poshtë po rendisim disa prej monumenteve të poeriudhës së mëvonshme:
Varri i nënës së Hadum agës, themeluesit të Xhamisë së Hadumit dhe të shumë objekteve të para publike në Gjakovë, ishte me origjinë nga fshati Voksh, prej nga u shpërngul në fshatin Guskë afër Gjakovës, është përmendorja e parë shqiptare e periudhës osmane. Ky monument është dëshmia e parë materiale që provon se në Kosovë shqiptarët nuk janë ardhacakë të shpërgulur nga Shqipëria pas të ashtuquajturës Shpërngulje të Madhe Serbe, nën udhëheqjën e patrikut të Pejës, Arsenije Çarnojeviqit më 1690.
Gjakov është e njohur edhe për teqetë e shumta, ndër më të vjetrat e të cilave është Teqeja e Madhe Autoqefale Ballkanike, e themeluar nga Shejh Sylejman efendiu (Axhiza Baba), rreth vitit 1582.
Teqeja e Bektashinjve ishte selia e Kryegjyshatës Botërore të Bektashive, në kohën e ndalimit të fesë në Shqipëri. Ajo është themeluar në vitin 1790, ndërsa është rindërtuar pas djegies nga Luftë më 1999. Teqeja e Bektashijve është i vetmi objekt i këtij lloji në Kosovë, njëkohësisht edhe seli e Gjyshatës së Kosovës.
Në tempullin djathtas janë varret e 7 prej 9 baballarëve bektashi që shërbyen këtu, qysh nga shekulli XVIII. Teqja e Bektashive gjendet ne krye të rrugës me kalldrëm në drejtim të Mëhallës Jusuf, afër hanit të Haraçisë dhe majtas Xhamisë së Hadumit.
Teqja e Shejh Eminit i takon Tarikatit Saadi. është ndërtuar më 1730 dhe rindertuar mëe 1856 nga Shejh Emini, artitekt i njohur i Gjakovës. Objekti i takon artitekturës popullore qyetetare. Paraqet një kompleks objektesh me teqe, tyrbe samahane, kroje, shtëpi dhe objekte te tjera percjellese. Si brenda ashtu edhe jashtë, është i pasur me elemente dekorative druri të gdhendur. Shquhet për dhomën e mysafirëve në fomë trekëndëshi. Periudha më e vizutuar është ajo ziqrit në fillim të pranverës.
Gërshetimi i arkitekturës së vjetër me të renë dhe numri i madh i monumenteve të trashëgimisë kulturore me epiqendër Çarshinë e Madhe të Gjakovës, ofron kënaqësi për vizitorët gjatë qëndrimit në Gjakovë. Ajo lidhet me qendrën e qytetit përmes urës së Islam begut, vetëm 5 minuta larg.
Çarshia e Madhe paraqet njërin nga komplekset monumentale më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Shtrirja e saj nga veriu në jug arrin në 1000 m., ndërsa sipërfaqja e përgjithshme e rreth 500 dyqaneve bashkë me hapësirat është 35.000 m2.
Nga pikëpamja urbanistike, Çarshia paraqet një shembull të planit urbanistik oriental me elemente të pasura arkitekturore, si dhe një muze të vërtetë të veshur me mozaikun e larmishëm të zejeve. Në arkitekturën specifike të enterierëve të pasur, paraqet një laborator me modele të panumërta të krijimtarisë popullore, në të cilin pasqyrohet kreativiteti në përpunimin e drurit.
Është një rast i rrallë kur një tërësi urbane ruhet plotësisht dhe jeton gati e paprekur nga jeta moderne, është shembull  i bashkëjetesës harmonike të së vjetrës me të renë në një qytet.
Kompleksi i Xhamisë së Hadumit, simbolit të qytetit të Gjakovës, paraqet qendrën kulturore, arsimore dhe fetare të këtij vendbanimi. Pranë saj gjendej biblioteka - më e madhe se vetë xhamia - dhe pranë bibliotekës, shkolla. Sylejman Hadim aga ndërtoi pranë këtij kompleksi edhe një muvakit-hane, një han, një hamam dhe disa dyqane që përbejnë bërthamën e Çarshisë së Madhe.  Të huajt e konsideronin "monument i kulturës shqiptare … monument unik në të gjitha trojet shqiptare" (Ridelmayer), e cila "lirisht mund të bënte gara me xhamitë në Stamboll" (Myller).
Xhamia ka një hapësirë njëkupolëshe me hajat trepjesësh dhe minare në këndin jugperëndimor. Planimetria e saj përbëhët nga salla e lutjeve, hajati dhe minareja. Salla është e mbuluar me kube të konstruktuar drejtëpërdrejt mbi te nëpërmjet trompeve në këndët e mureve konstruktive. Ky konstruksion specifik paraqet të vetmen zgjidhje të tillë ndërtimore në Kosovë.
Enterieret janë zbukuruar me arabeska, me pejsazhe të stilizuara, e në disa raste edhe me motive të arkitekturës popullore (nga kullat e Dukagjinit), si dhe me selvi, natyra të qeta, ornamente bimore, figura gjeometrike, citate të kuranit.
Përreth saj gjendeshin varret e personaliteteve të njohura të Gjakovës dhe rrethinave.
Prej djegies së këtij kompleksi më 1999, shpëtoi vetëm xhamia me minaren e granatuar, hyrjen e djegur dhe arabeskat e dëmtuara.
Në Gjakovën e shek. XVIII-XIX, banesat ishin të tipeve të ndryshme si: me hajat, me çardak, me qoshk, kullë dhe shtëpi me zgjidhje të veçanta.
Nga ana tjetër, ekzistonin edhe objektet e hoteliere publike: hanet dhe karavansarajet. Më 1835, A. Bue përmend hanin e  bukur të Haraçisë dhe ate të Islam agës. Gjatë viteve 70-80 të shek. XIX Gjakova kishte 16 hane. Më 1838 Mylleri përmend karavansarajin e madh të Gjakovës që strehonte deri në 100 musafirë tregtarë me kafshët e tyre dhe ku i kishin sallat e mëdha edhe arafët armenë.
Hani i Haraçisë është një ndër objektet monumentale më të vjetra të Gjakovës dhe daton nga shekulli XVI. Hani gjendet në pjesën Jugore të Çarshisë së Madhe, afër Xhamisë së Hadumit. është shumë karkateristik për nga stili i ndërtimit me druri, me çardak të bukur. Hani ka dy kate e një oborr dhe në tërësi, thuajse e ka ruajtur formën origjinale. Pjesa më e madhe të dy kateve është restorant-muze, por bukuria e tij është çardaku me formën e rumbullakët, ndërsa në korridore vërehen dyert që tregojnë se më herët ka qenë i ndarë në dhoma për miqtë.
Ura e Terezive është një ndër objektet e vyera të trashëgimisë materiale, me të cilën lidhen shumë histori, e sidomos të atyre që i dhanë emrin: terezinjtë (rrobaqepësit).
Ura me gjatësi 113 m dhe 11 harqe, u ndërtua në shek. XVIII, për të lidhur rrugët tregtare që kalonin drejt Gjakovës.
7 km nga qyteti, kjo urë lidh Gjakovën me Prizrenin, afer fshatit Bishazhin. Veçantia e urës është në mesin e saj,  ku është gdhendur Ylli i Davidit.

 

5.0/5 rating (5 votes)

Hits

27370

Comments (1)

  • Selim Bejtullahu

    Selim Bejtullahu

    24 December 2013 at 00:32 |
    vlen te permendet edhe nje monument i vitit 1689 Tyrbja e Qikave. vend ne lagjen me te vjeter te Gjakoves,lagjen Hadum. Ky monument historik,tregon trashegimine tone shqiptare ne keto troje prej kohesh... per me teper mund te vini ne rr. Permet Vula nr.25,ose te prof. Masar Rizvanolli qe ka shkruar per kete ngjarje.

    reply

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.