Rrugëtim drejt Sarandës, aty ku dielli ngroh...

Rrugëtim drejt Sarandës, aty ku dielli ngroh...

on Thursday, 12 July 2012. Posted in Itinerare

Aty ku bashkohet antikiteti me verën e dielltë të jugut ku ka qindra vizitorë, të huaj dhe shqiptarë, në Sarandën e mrekullueshme...

Rrugëtim drejt Sarandës, aty ku dielli ngroh...

 Drejt jugut nga çdo skaj i vendit, përmes një kureshtie se diëka ka ndryshuar në këtë stinë pranvere e prag vere, drejt vendit të ngrohtë, Gjirit të Sarandës. Pasi mbërrin në Tiranë nga linjat urbane apo ajrore, harta e shërbimeve publike të tregon mundësinë e rrugëtimit me linjën e autobuzëve përmes kontakteve me agjensitë e shërbimit, orare fikse në tarifa fikse 1300 lekë bileta, në rrugëtimin nga Bregu apo Gjirokastra, një zgjedhje kjo ardhje kthim, në pikëtakime në Rivierën shqiptare.

 

 Ditët e pranverës janë të ngrohta në jug të vendit. Përgjatë rrugës së Bregut kundron vijën e  kaltër të bregut të Jonit dhe mund të ndalesh përmes Rivierës në vendet e shumta turistike, në objektet e kulturës të njohura të zonës, nga Palasa e Dhërmiu në Himarë e deri në Butrint e Konispol.

Sapo makina lë pas Himarën me historinë e lavdishme që përcillet në ajër mbi muret e kalasë së vjetër, ku asnjëherë nuk gjen ciceronë, dhe ku muret e zgjeruara të shtëpive dhe oborreve janë bërë njësh me objektet historike. Këto mure u ndërtuan fillimisht si fortesë e fisit epiriot të Kaonëve në shek IV para Krishtit deri në shekullin e XVI, ku nga kujtesa  vijnë vargjet e Bajronit, poetit që i përshkruante banorët e kësaj zone:

“Të bijtë e Himarës që s ‘falin as mikun/Si mund të lënë të gjallë armikun

Si s’marrkan dot gjak me pushkët besnike/Ka shenje më të bukur se zemra armike?”

Poshtë kalasë shtrihet deti dhe qyteti i ri me gjirin e njohur të Himarës.

Pak lëvizje nga vendasit, më së shumti burra në qendrën e qytetit me kafenetë e hapura në breg të detit nga ku mund të soditësh gjirin deri tej në kaltërsinë marramendëse të Jonit. Ka shërbim të shpejtë të picave apo gatimeve tradicionale të prodhimeve të detit, e deri te fast-food-et tymuese e erëndjellëse. Pushuesit janë të paktë, më së shumti kalimtarë që ndalen në Himarë për një pushim të vogël. Pak kilometra nga Himara, në të djathtë të rrugës  shfaqet Porto Palermo, gjiri i njohur me kalanë e Ali Pashë Tepelenës. Bukuria e rivierës joniane me morinë e ngjyrave dhe relievin e papërsëritshëm, aty ku deti prek malin dhe qiellin, e syri i vizitorit lë gjirin e nëndetëseve për të kundruar kalanë pesëcepëshe të Ali Pashës. Si një yll gjigand deti, muret e kalasë ngrihen në kodrinën rrethuar nga deti e që lidhet me një rrip toke me rrugën nacionale 200 metër larg.

Sapo ndal makina, në sheshpushimin e rrugës, shfaqet një portret i dashur që të duket si i njohur i vjetër për mirëseardhjen që të uron. Është Klearko Koci, ciceroni dhe kudjestari i kalasë së Pashait. Klearko tregon se kjo pranverë vazhdon të ketë plot vizitorë në kala. Janë qindra të huaj që ndalen këtu. Dhe Klearko e njeh mirë ajrin dhe muret e kalasë, aty ka lindur, edhe pse e ëma u nis të lindte në Himarë. “Ajo më lindi këtu në rrugën nga duket kalaja, ne jemi banorë të hershëm të Qeparoit. E kështu, këto mure i fiksova që fëmijë kur zhyteshim me shokët për guacka pina”, tregon Klearko, babai i dy fëmijëve që shërben prej 6 vitesh në këtë zonë, për interes të Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Të huajt vijnë këtu dhe janë shumë kureshtarë për natyrën, historinë e Ali Pashait dhe gruas së tij - të bukurës Vasiliqi, për kohërat gati 200 vjet përpara të kalasë dhe fatit të qindra njerëzve që rrjedha e jetës i solli të shijojnë apo vuajnë nën muret e gurta. Studiuesit shkruajnë se aty ku u ndërtua kalaja, dy shekuj më parë ngrihej një manastir, manastiri i shën Kollit, që dëshmohet nga mbishkrimi i vitit 1800 në kutinë e eshtrave “lipsanave” të shenjta të tij, kuti e cila ruhet në Kishën e Manastirit të Shën Mitrit në Qeparo.

Nga oborri hyrës i kalasë, nën portën e gurtë mungon pllaka e hershme me shënimin e lexuar deri në vitin 1996.

Nga aty syri kundron gjirin e gadishullit dhe piktoresk të Panormës (Panormus - liman me ujëra të thella). Nga deti dhe toka mund të dallosh lehtë muret e kalasë 4000-vjeçare në kodrën e Kukumit si dhe dhjetëra e dhjetëra objekte kulturore dhe historike të turizmit. Më e afërta është kisha që tregohet se u ndërtua për 48 orë me urdhër të Pashait për gruan e tij Vasiliqinë, fortësinë e së cilës pashai e provoi duke e gjuajtur me top dhe muret s’pësuan asgjë veçse një guri që e ruan formën e gjyles dhe sot e kësaj dite. Kisha nuk pësoi asnjë ndryshim deri në vitet 1970, kur iu vendosën disa pllaka gri në rradhën e magazinave të krijuara në ato tre reparte të kohës së italianëve.

Duke folur për strukturën, korridori qendror kufizohet me kolona e harqe guri. Nga një skaj i korridorit nis shkallarja që të ngjit në bedena. Prej bedenave që bien direkt mbi det, hapet një pamje e pafund mbi kaltërsinë e detit dhe faqet e maleve, ku fryma vrapon me aromën e sherebelit që endet në ajër.

Sapo kalon Portën hyrëse lagështira dhe errësira e kalasë të kthen në kohën pas, rreze drite nga frëngjitë e mureve të lartë të krijojnë mundësinë e vëzhgimit deri të shënimet në mure: që nga ata të italianëve që e kthyen kalanë në magazinë ushtrie vaji dhe graso, e deri te emrat të burgosurve në kohëra.

Më e rënda kohë, më e errëta me kujtime të hidhura është ajo e diktaturës komuniste, kur uria dhe kushtet e këqija e rrënjosën në kujtesën e vuajtjes kalanë e Pashait për qindra burra, gra e fëmijë. Verën që shkoi në kala erdhën dhe motrat Kaballa nga Puka, emrat e tyre janë të shkruara në murin e brendshëm, Dila dhe Lala Kaballa kishin ardhur nga Amerika të kërkonin eshtrat e foshnjës së varrosur në shkurret jashtë kalasë. U kish vdekur nga uria kur ishin të internuara, se babi i foshnjës kishte kaluar kufirin nga Puka në Kosovë. Dhe kalvari i dhimbjes i risolli aty sërish në kërkim të një pelene me eshtra.

Më tej, Klearko rrëfen se kontaktet me vizitorët e huaj janë pasuar nga këmbimi i informacionit. Klearko lexon të gjitha librat mbi Ali Pashë Tepelenën dhe beson se do ta përfundojë librin e tij mbi kalanë. Vajza e tij dytë, Polikseni, studion arkitekturë e kështu diçka trashëgohet mes brezave për të vazhduar me më të mirën në kujtesën e të rinjve.

Por në mjediset e kalasë nuk ka asnjë mjet shpjegues përvec Klearkos, cili me zë përsërit çka dëgjuar e lexuar, përsërit si për shqiptarët dhe të huajt në anglisht dhe greqisht. Përpos guidave turistike, grupet e vizitorëve janë me shoqërues që e bëjnë informimin. Ndërsa Klearko thotë se përveç një restaurimi të pjesshëm, asgjë nuk është bërë për mirëmbajtjen e kalasë. Ai ëndërron një shëtitore rreth e qark kodrës së kalasë me drita e rrjet kanalizimi, heqjen e reparteve magazine midis kishës së Vasiliqisë dhe kalasë së Pashait, ndërsa dallgët përkëdhelin bregun dhe atë gji të fshehtë ku nuk shkohet në këmbë, por veç me varkë dhe që njihet si gjiri i nuses së Pashait, gjiri i Vasiliqisë. Një gji i njëjtë me dhjetëra gjire në bregdetin e Jonit.

* * *

Pas vizitës të kalasë mund të pushosh paksa në një nga lokalet e zonës, dhe të drekosh në të djathtë të rrugës ushqimet tradicionale ku mbizotërojnë prodhimet  e detit.

Kanë kaluar kështu pa u ndjerë orët e ditës dhe në  pasdite mund të kundrosh perëndimin e diellit nga bregu i Borshit, duke u futur kështu në një vijë bregdetare 6  kilometër të gjatë, ku mund të zgjedhësh të pushosh në një nga hotelet, apo shtëpitë me dhoma me qera të shumta gjatë rrugës, apo afër detit.

Kalaja e Borshit, një tjetër qendër piktoreske me kënaqësinë e kundrimit të maleve dhe bregut deri drejt Korfuzit.

Rruga është e mirë, është rruga e re e Bregut, me portat e shtëpive ngarkuar me lule e agrume. Ujëvara me ujin e hershëm të burimeve mbretërore të përcjell freski dhe rrugëtimi është i  këndhsëm drejt Gjirit të Sarandës. Në rrugë, fshatrat e Bregut, si Piqerasi që zbret në det, Buneci me gjirin e hapur, Lukova, Shën Vasili e Nivica kalojnë, e nëse ndalesh në çdo vend ka objekte kulti të hershme të vizitueshme dhe njerëz punëtorë që kanë eksperiencat e emigracionit dhe tregtisë me shtetin fqinj. Fshatrat e Bregut kanë historinë e njohur të rezistencës dhe zhvillimit kolektiv të viteve të fundit, si dhe ndërtime të  reja me arkitekturën e ndikuar nga emigracioni i gjatë.

Nga ballkoni i rrapit të Nivicës mund të soditësh fushën e Delvinës, kodrën e  Finiqit, qëndrën e Kaonisë, e pakëz rrugë dhe mbërrin në Sarandë.

Saranda është e qetë, me pak lëvizje dhe shumë pallate, ku syri të kap pak drita të ndezura larg qendrës. Eshtë ende herët për fluksin marramendës të verës. Në Sarandë gjallërimi nga pushuesit nis vetëm me rritjen e temperaturave, në fundjavat e majit nga gjimnazistët dhe pastaj gjithë vera nga pushuesit. Tani me lëvizjen e lirë mund të kalosh disa orë në ishullin e Korfuzit, në vendin fqinj përmes lundrimit me tragetet në portin e qytetit.

Në Sarandë mund të shijosh kafenetë e hotelet buzë detit, qetësinë e Gjirit dhe miqësinë e peshkatarëve te limani. Hotelet tani kanë dhe çmime pak më të ulëta se në verë, kjo tregon një strategji të mirë për të thithur vizitorët familjarë. Saranda, dikur një mundësi për kalimin e muajit të mjaltit, tani të ofron zhurmën e një qyteti ku dominojnë ndërtimet e betonta shumëkatëshe në faqen e malit deri afër Manastirit të 40 Shenjëtorëve. I vizitueshëm manastiri, ashtu si në krahun tjetër kalaja e Lëkursit, janë grishje që të programosh lëvizjen. Ashtu si Butrinti i shumëkërkuar. Butrinti, ky qytet i kaonëve, pasuri e UNESCO-s.

Drejt Butrintit

Aty ku bashkohet antikiteti me verën e dielltë të jugut ka qindra vizitorë, të huaj dhe shqiptarë, grupe turistësh që e kanë zgjedhur paketën turistike për Butrintin, apo pushues që s’mund të rrinë pa u rikthyer në oazin e kohës, mes ujërave të liqenit dhe detit Jon.

Tashmë rruga nacionale Sarandë-Ksamil-Butrint ka përfunduar dhe për pak minuta nga Saranda gjendesh në Butrint. Pasi kalon përmes gadishullit të Ksamilit, në skajin juglindor të tij shtrihet Parku i Butrinti, rrethuar në jug nga ujërat e kanalit të Vivarit , i cili lidh liqenin e Butrintit me detin Jon.

Zërat e njerëzve paliten sapo kalon pragun e portës së Butrintit. Në pikën e parë të kontaktit me punonjësin, të ofrohet bileta e vizitimit të Parkut dhe Muzeut Arkeologjik, si dhe guida në anglisht.

Në rrugicën e shtruar me guralecë, mes kolonave antike, shtrihet qyteti me udhëkalimet ku secila të  përball me elementët e vizitueshëm, si në një udhëtim të papriturash, ku kohërat ndërthuren mes admirimit për të kaluarën dhe etjes për të sotmen, aty mes ujërave të liqenit dhe fluturimit të pulëbardhave. Ky vend është banuar që në gjysmën e dytë të mijëvjecarit të dytë para Krishtit. Emrin e qytetit, Butrinti e mori nga Helenus, i biri i Primait, mbret i Trojës. Në një udhëtim nga Troja  për në Dodonë, Helenus zbriti në një ishull të Epirit ku vendosi të sakrifikonte një dem. Kafsha u arratis, eci përgjatë  detit dhe ngordhi në breg. Heleneus e mori këtë si një shenjë dhe themeloi këtu qytetin e Butrintit.

Në rrugëtimin përmes udhëkalimeve dëgjohen zëra në gjuhë të ndryshme, vizitorët fotografojnë papushim në pjesën më të lartë në Akropol, në shkallët e teatrit antik zëri merr magjinë e zotave dhe në skenën e gurtë luajnë figura të diellta njerëzish kureshtarë. Agoraja tempujt, portiku, teatri janë ndërtuar në gjysmën e shek III p.e.s. Në mesin e shek I p.e.s u pushtua nga romakët, të cilët preferuan të mos e shkatërronin sic kishin bërë me qytetet e tjera epiriote. Gjatë luftës civile mes Jul Cezarit dhe Pompeut, Butrinti ishte bazë e rëndësishme detare dhe ushtarake  e Cezarit. Në periudhën romake qyteti përjetoi një varg ndërtimesh si gjimnazi, banjot publike, tempulli i Eskulapit, shtepi banimi etj. Nga periudha bizantine janë trashëguar një sërë ndërtimesh kulti, ku dallohet një baptizer, dy bazilika dhe katër kisha. Vendbanimi qytetar vazhdoi pandërpreje jetën e tij gjatë gjithë mesjetës, duke u përmendur shpesh edhe si qendër peshkopale. Mes shek të XI dhe fillimit të XIX, qyteti kaloi në duar sundimtarësh e pushtuesish të ndryshëm, që nga normanët e Robert Guiskardit, kryqtarët, bizantinët e Mihal Komnenit, suevët e Manfredit të Siqelisë, anzhuinët e Karlit I. Në 1306 ra nën zotërimin vendikas  të cilët e mbajtën gjatë, deri në vitin 1797 dhe lanë pas një numër të madh fortifikimesh të dukshme deri sot. Me largimin  e venedikasve Butrinti ra për pak kohë në duart e francezve të Napoleon Bonapartit dhe një vit më vonë u zotërua nga Ali Pashë Tepelena, i cili ndërtoi pranë tij edhe një kala. Gërmimet e para arkeologjike u kryen gjatë  viteve 1928-1941 nga arkeologu italian Luigi Ugolini. Pas Luftës së Dytë Botërore arkeologët shqiptarë zbuluan pjesë të rëndësishme dhe objekte me shumë vlera.

Nga Butrinti një tjetër zonë mikëpritëse, Konispoli dhe natyrisht kthimi në Ksamil, qytezën e  ishujve të njohur, pikën më të afërt me ishullin e Korfuzit.

Këto vende të mrekullueshme lidhen me njëri tjetrin përmes lundrës ose rrugës së re. Gjithçka është nëj zgjedhje e qetë dhe përherë e orientuar nga tabelat e rrugëve.

E në rrugën e kthimit nga Saranda, mund të zgjidhet drejtimi i Qaf Muzinës për në Gjirokastër, një tjetër qytet i njohur si Pasuri e Trashëgimisë Botërore të Kulturës.

 

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

4637

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.