Vjosa - rafting në ujrat e bardha...

Vjosa - rafting në ujrat e bardha...

Written by Gent Mati on Friday, 02 March 2012. Posted in Outdoor

Pranverë në Luginën e Vjosës

Vjosa - rafting në ujrat e bardha...

Pranvera në Përmet është thjesht e mrekullueshme. Në të gjithë Shqipërinë pamjet spektakolare në këtë stinë të bukur nuk mungojnë, por 'ëmbëlsinë' e Përmetit do ta veçoja. Lëndinat e buta e të gjelbërta, pemët frutore në lulëzime shpërthyese dhe majat e maleve me dëborën si akullore në horizont, lidhen magjishëm me njëra tjetrën duke të zgjuar ndjesitë që kohë më parë frymëzuan poetin tonë të dashur Naim Frashëri të thurrë disa nga vargjet më mbresëlënëse të atdhedashurisë shqiptare. 

Këtu mes 'maleve të Shqipërisë dhe lisave të gjatë' rrjedhin ujërat e Vjosës - një lumë me rrjedhë të bollshme, sa të qetë aq edhe të rrëmbyeshme e plot dallgë. Në këto rrjedha dinamike, guidat me përvojë të Outdoor Albania - Rafting, mundësojnë lundrime plot aksion për këdo që dëshiron të përjetojë  emocione të forta në ajër të pastër!

Ndonëse me pak vonesë në krahasim me shumë vende të tjera të Europës ku aktiviteti rafting nisi në mesin e viteve 80-të, sot edhe në Shqipëri dashamirësit e rafting-ut nuk mungojnë. Është një kënaqësi e veçantë të konstatosh se pas thuajse dy dekadash 'letargjie', shqiptarët më në fund po i 'lëshohen' vendit të tyre tepër tërheqës për ta eksploruar me çdo mjet që të mundin.

Takim në Përmet

Pjesëmarrësit udhëtojnë në Përmet një ditë përpara lundrimit rafting, për të qenë sa më të shlodhur e të freskët.  Si në qendër të qytetit ashtu edhe në rrethina ka hotele mjaft të mira të gatshëm për të mirëpritur mysafirë.

Përmeti ofron edhe mundësi të ndryshme vizitash të shkurtra kulturore dhe natyrore, ndër të cilat do të veçoja afresket e mrekullueshme të Kishës së Shën Mërisë në Leusë, shtëpitë tërësisht të gurta karakteristike të fshatit Bënjë dhe urën otomane përmbi Langaricë që të shpie te disa 'vaska' të ndërtuara me gurë lumi nga  banorët e zonës: 'Banjat e Bënjës' të cilat mbushen nga burime termale squfurore  me veti kurative.  

Në një vend të tillë me njerëz aq mikpritës e të kulturuar, nuk mund të mungonte edhe ushqimi tepër i shijshëm, i cili serviret mjeshtërisht nëpër restorante e taverna, shoqëruar nga verat e vjetëruara të luginës dhe raki nga më e mira në vend. Nuk duhet harruar të merret diçka me vete si 'souvenir' - një shishe me raki të veçantë, mjaltë lulesh Frashëri, gliko arre apo kumbulle të mbushur me bajame ose fiku të egër.

Tani rafting!

Si rregull , pjesëmarrësit pasi vishen me pajisjet e nevojshme ndjekin me vëmendje një shpjegim teknik 'briefing' nga organizatorët, për tu njohur me manovrat që do të përdoren në lumë, si edhe me elementet e sigurisë në rast të ndonjë notimi 'surprizë' që nuk mungon. 

Më pas formohen skuadrat, ndahen pozicionet në barkë dhe gjithçka është gati për aventurë.  Pikënisja është zgjedhur disi e qetë, në mënyrë që ekuipazhi të  familjarizohet me përdorimin e lopatave si edhe me mënyrën e veçantë të notimit në ujëra të rrëmbyera.

Më pas kthesa e Kaludhit nuk vonon të emocionojë ekuipazhet në një tren dallgësh të rrëmbyera, pasuar nga thirrje gëzimi të qeshura të hareshme dhe pse jo edhe ndonjë notues, që 'shijon' freskinë e Vjosës!

Ujërat e qeta që pasojnë, mundësojnë ripërtëritjen e forcave dhe përgatitjen për të tjera dallgë kryeneçe përmes të cilave do të lundrojmë me rafte, përbri pamjes hijerëndë të faqes veri-lindore të Nemërçkës - malit më të lartë të Shqipërisë së Jugut. 

Rrjedha e grykëderdhjes së Langaricës dhe ajo e 'Brirëve'  dhurojnë disa nga dallgët më të fuqishme të lumenjve të Shqipërisë të cilat i 'kalërojmë' fuqishëm njëra pas tjetrës. Janë aq ë mëdha e të fuqishme sa raftet hera herës 'zhduken' nën ujë për të ridalë në sipërfaqe shoqëruar nga 'shpërthime stërkalash dhe britmat e ekzaltuara të ekuipazheve. 

Ngadalë i afrohemi Përmetit ku është mbërritja dhe fundi i kësaj aventure  spektakolare një ditore. Faleminderit Vjosa! dhe sidomos: Mirupafshim!

Çfarë është rafting?

Rafting - Lundrim nëpër rrjedha uji të shkumbëzuara të lumenjve, përmbi barka me ajër të ndërtuara posaçërisht për këtë qëllim. Në përgjithësi njihet si 'sport ekstrem' por në të vërtetë nën drejtimin e intruktorëve të kualifikuar është një aktivitet tepër zbavitës ku mund të marrë pjesë kushdo.

Materiali teknik

Gjithsecili mban veshur kostume neopreni - material sintetik i njëjtë më atë të kostumeve të zhytjes i cili edhe i lagur arrin të ruajë temperaturën e trupit. Jeleku i shpëtimit garanton pluskimin nëpër rrjedha, ndërsa kaska siguron mbrojtje nga ndonjë goditje e papritur. 

5.0/5 rating (1 votes)

Hits

17621

About the Author

Gent Mati

Eksplorues dhe ushtrues i sporteve te natyres si rafting, kayaking, skiing, kite-surfing etj, me kompanine e tij Outdoor Albania. OA eshte nje nga kompanite me te spikatura qe ushtron aktivitete dhe ture me natyre aventureske ne Shqiperi.

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.